Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.
Ndonëse jo pak tronditëse, pamjet e dhunës fizike mes një mësimdhënësi dhe një nxënësi këtë javë në Kosovë nuk ishin diçka e paparë për shoqërinë. Për shuplaka e forma tjera të dhunës në shkollat kosovare flitet vazhdimisht. Si mund t’i jepet fund kësaj forme të “disiplinimit” të nxënësve? Pse janë të domosdoshme ndryshimet thelbësore në sistemin arsimor?
Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për temën më të përfolur të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.
Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!
🎧 Dëgjojeni këtë newsletter:
Your browser doesn’t support HTML5
Dhuna në shkolla: A ka ardhur koha ta rimendojmë qëllimin e arsimit?
Për vlerësimin e cilësisë së arsimit të një shteti ekzistojnë shumë tregues, dhe zhvillohen testime ndërkombëtare ndër vite.
Te këto të fundit, Kosova nuk është treguar aspak e zonja. Interpretimet për këtë gjendje janë të ndryshme: planprogrami i vjetërsuar, mungesa e pajisjeve teknologjike nëpër shkolla, objekte joadekuate...
Ekspertë të arsimit thonë se, në realitet, problemi qëndron diku tjetër.
Sipas edukatorit finlandez, Pasi Sahlberg, pyetjet që duhet t’ia bëjnë vetes personat përgjegjës – nga niveli ministror e deri te mësimdhënësit – janë: Cili është qëllimi i shkollave, pse ekzistojnë shkollat sot?
Ai kujton se në ditët e sotme, notat, mësimet dhe diplomat nuk janë në krye të prioriteteve në Finlandë, ndër vendet e vlerësuara me sistemin më të mirë të edukimit në botë – ato janë zëvendësuar me mirëqenien, gjendjen shëndetësore dhe ndërtimin e mirëfilltë të marrëdhënieve.
Duke diskutuar rastin e fundit të dhunës në një shkollë në Kosovë, Sahlberg thotë se sjellja e nxënësve, sidomos kur është agresive, është tregues i qartë se diçka nuk është në rregull me jetën e tyre. Dhe, sipas tij, vlerësimet tregojnë se shkalla e agresivitetit vetëm është rritur pas pandemisë së koronavirusit, që shpërtheu në gjithë botën më 2020.
“Shumica e fëmijëve, thellë në zemër, janë të mirë, dhe arsyeja se pse ndonjëherë e thyejnë atë mirësi, është diçka në të cilën duhet fokusuar, jo thjesht te disiplinimi”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Pasi Sahlberg, profesor në Universitetin e Melburnit në Australi.
Dhuna ndaj nxënësve, thotë Sahlberg, nuk duhet konsideruar mjet disiplinimi në asnjë rrethanë.
Ai rikujton se mësimdhënësit janë shembuj për fëmijët në shkollë, sikurse prindërit në shtëpi.
Duke folur për rastin konkret të dhunës në Prishtinë, Sahlberg thotë me bindje se nëse diçka e ngjashme do të ndodhte në Finlandë, mësimdhënësi me automatizëm do ta humbte vendin e punës dhe licencën për të ligjëruar.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë e ka miratuar një Strategji për arsim për periudhën 2022-2026, me fokus në edukim në fëmijëri të hershme, aftësim profesional dhe digjitalizim të arsimit, por shumëçka duket se ka mbetur në letër.
Radio Evropa e Lirë e ka pyetur ministrinë se çfarë ka bërë në drejtim të ofrimit të trajnimeve për mësimdhënësit se si te sillen me nxënësit, dhe se çfarë masash disiplinore rekomandohen për nxënësit, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij teksti.
Më 2023, Kosova është renditur ndër vendet e fundit në tri testet e programit ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve, PISA.
Fokusi në emocione, jo në njohuri
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), mësimet parauniversitare në Kosovë i ndjekin mbi 260 mijë fëmijë.
Në prill të vitit 2022, qindra nxënës të shkollave të mesme në Prishtinë patën mbajtur një marsh me moton “S’po shkohet në shkollë”, dhe patën bërë thirrje për kushte më të mirë nëpër shkolla.
Sahlberg është vetë baba i dy fëmijëve adoleshentë. Ai thotë se gjëja më urgjente për nxënësit sot është që t’iu kushtohet vëmendje rrethanave të jetës nëpër të cilat kalojnë, nga Kosova e deri në Australi, ku ai ligjëron aktualisht.
“Kjo është një botë shumë e ashpër nëpër të cilën jetojmë. Nëse e kuptojmë këtë gjendje në të cilën janë fëmijët, duke e parë prej kësaj perspektive, dhe sidomos në Ballkan, ku memoria e asaj që ka ndodhur, dhe asaj që vazhdon të ndodhë është shumë e lidhur me fëmijët, e bën edukimin në shtëpi dhe shkolla shumë më të komplikuar, sesa në vendet ku ka më shumë siguri për këta të rinj”.
Pamje nga protesta e vitit 2022, kur nxënësit kërkuan trajtim më të mirë në shkolla.
Çelësi? Parandalimi
Finlanda dhe vendet skandinave investojnë shumë në parandalim: mësimdhënësit kanë shumë qasje nëpër trajnime, dhe punojnë në krijimin e shkollave si vende mikpritëse për të gjithë.
Çdo shkollë atje e ka një ekip – të përbërë nga psikologë, ndoshta infermierë dhe staf tjetër të jashtëm – të cilët takohen një herë në javë, dhe pas vëzhgimeve të vazhdueshme në gjithë shkollën, diskutojnë nëse kanë dëgjuar diçka nga nxënësit, nëse dikush nuk po ndihet mirë, apo rrezikohet të ndodhë diçka.
Një tjetër aspekt me rëndësi është që ligjet dhe rregulloret të jenë shumë të qarta.
Duke e komentuar pretendimin e disa mësimdhënësve për rastin e dhunës në Kosovë, që mësimdhënësi i ndaluar për disa orë nga Policia është përballur me sjellje agresive nga nxënësi, ai thotë se për këtë arsye rregullat duhet të jenë të qarta në një shoqëri, që askush të mos ketë mundësi për interpretim.
“Rregullat shkruhen gjithmonë nga perspektiva e nxënësve. Nëse është një rast i barabartë, gjithmonë fiton perspektiva e nxënësit. Pra, mësimdhënësi do të humbte rastin në Finlandë”.
Rrjeti Ombrellë i Shoqërisë Civile të Arsimit Parauniversitar në Kosovë lëshoi një deklaratë më 10 shkurt, me thirrjet për krijim të një mjedisi më të sigurt në shkollat e Kosovës.
Aty përfshihen kërkesat për instalimin e kamerave të sigurisë dhe trajnimin e personelit për menaxhimin e situatave të tensionuara nëpër shkolla, për krijimin e mundësive për trajnim dhe mbështetje psikologjike për nxënësit dhe mësimdhënësit, dhe për vendosjen e afisheve për rregullat e sjelljes së nxënësve në shkolla dhe për mënyrat e raportimit të dhunës.
Gjithë këto kërkesa bëhen në kohën kur Kosova sapo formoi Qeverinë e re. Mbetet të shihet a do të jetësohen reformat e premtuara prej vitesh...
Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).
Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:
- Paga përballë shpenzimeve: Si t’i menaxhojmë paratë?
- IPTV ilegale në Kosovë: Treg i hapur, fitime të fshehta dhe pak ndëshkim
- Kompleksi “Adem Jashari”: Kujtesa kolektive që pret restaurimin
Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.