Rrëzohet aeroplani afër Almatit, 12 persona të vdekur

Pjesë e aeroplanit të rrëzuar në Almati të Kazakistanit.

Një aeroplan pasagjerësh është rrëzuar në Kazakistan, duke lënë të vdekur të paktën 12 persona.

Ministria e Brendshme ka thënë fillimisht se 15 persona kanë vdekur, mirëpo në vonë kur ka publikuar listën e viktimave, aty janë përmendur qenë vetëm 12 të vdekur, përfshirë kapitenin e aeroplanit.

Aeroplani i kompanisë kazake, Bek Air është përplasur në një ndërtesë, pak pasi është nisur nga Aeroporti i Almatit në mëngjesin e së premtes.

Të mbijetuarit kanë treguar se si kanë ecur mes rrënojave në errësirë dhe mot të ftohtë.

Të paktën 60 persona janë plagosur, duke përfshirë disa fëmijë dhe të gjithë janë dërguar në spital.

Aeroplani i llojit, Fokker 100 ishte nisur nga qyteti më i madh i Kazakistanit Almati, për në kryeqytetin, Nur-Sultan.

Shkaku i rrëzimit të aeroplanit ende nuk është bërë i ditur. Një gazetar i agjencisë së lajmeve, Reuters ka thënë se në skenën e incidentit ka pasur shumë mjegull.

Avioni i rrëzuar në Kazakistan.


Aeroporti i Almatit ka thënë se aeroplani i kompanisë Bek Air ka qenë duke bartur 93 pasagjerë dhe pesë pjesëtarë të bordit. Lista e plotë e personave që kanë qenë në aeroplan është publikuar nga Ministria e Brendshme e Kazakistanit.

Maral Erman, një nga të mbijetuarat ka qenë duke u dridhur në kohën kur aeroplani është rrëzuar, ka raportuar agjencia lokale e lajmeve, Tengri News.

Ajo ka thënë se fillimisht ka menduar se aeroplani po ateron, mirëpo më vonë e ka kuptuar që është përplasur diku.

“Nuk ka pasur shumë kaos në aeroplan. Nuk kanë bërtitur shumë persona”, ka thënë Erman, e cila më vonë ka parë aeroplanin “të ndarë në dysh”.

Kompania Bek Air ka anuluar të gjitha fluturimet pas këtij incidenti.

Ndërkohë fluturimet tjera në aeroportin e Almatit janë realizuar me kohë.

Nur-Sultan, qytet i njohur më parë si Astana, është emëruar së fundmi në emër të ish-presidentit Nursultan Nazarbayev, pasi ai është larguar nga pushteti.

Cilat kanë qenë reagimet?

Një komisionar special ka thënë se është i vendosur për të zbuluar shkakun e rrëzimit.

Presidenti i Kazakistanit, Qasym-Jomart Toqayev ka shprehur “ngushëllime të thella” për familjarët e viktimave.

Ai po ashtu ka thënë se “të gjithë personat përgjegjës do të ndëshkohen ashpër sipas ligjit”.

Çfarë dihet për kompaninë Bek Air?

Kompania Bek Air është themeluar më 1999, duke shënjestruar fillimisht fluturimet për personalitete të shquara, thuhet në faqen online të kësaj kompanie.

Tani kompania e prezanton veten si linjë ajrore e fluturimeve me çmim të ulët.

Avioni i rrëzuar i kompanisë Bek Air.

Në flotën e saj janë shtatë aeroplanë të llojit Fokker-100.

Të dhënat tregojnë se aeroplani i përfshirë në incident, Fokker-100, ka qenë 23.7 vjet i vjetër.

Kompania që ka prodhuar këtë lloj aeroplani, ka bankrotuar më 1996 dhe prodhimi i këtyre aeroplanëve është ndalur më 1997.

Kjo nuk është hera e parë që ndodh një incident i tillë në Kazakistan.

Më 2013 një aeroplan pasagjerësh duke udhëtuar nga qyteti verior, Kokshetau është rrëzuar afër Almatit, duke lënë të vdekur 20 persona.

Një muaj më herët, 27 persona kanë vdekur kur një aeroplan ushtarak me zyrtarë të sigurisë kazake është rrëzuar në jug të shtetit.

Përgatiti: Krenare Cubolli