Ndërlidhjet

Kazakistan: 12 persona të vdekur nga rrëzimi i aeroplanit


Pamje nga vendi ku është rrëzuar aeroplani.
Pamje nga vendi ku është rrëzuar aeroplani.

Një aeroplan i kompanisë kazake, Bek Air, është rrëzuar me 95 pasagjerë dhe pesë anëtarë të bordit, pas nisjes nga aeroporti i Almatit, duke lënë të vdekur të paktën 12 persona.

Ministria e Brendshme ka thënë fillimisht se 15 persona kanë vdekur, mirëpo më vonë kur ka publikuar listën e viktimave, aty janë përmendur qenë vetëm 12 të vdekur, përfshirë kapitenin e aeroplanit.

Zyrtarët kanë thënë të premten se 66 persona janë dërguar në spital, duke përfshirë disa në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ata po ashtu kanë prezantuar listën e pasagjerëve që kanë qenë në aeroplan.

Autoritetet e aviacionit kanë thënë se pajisja “nuk ka arritur lartësinë e duhur gjatë nisjes dhe është përplasur për një ndalesë betoni” para se të ndeshej me një ndërtesë dykatëshe.

Ende nuk është bërë e qartë nëse ka viktima në ndërtesë.

Një gazetar i agjencisë së lajmeve, Reuters në aeroport ka thënë se në atë zonë ka pasur mjegull të madhe.

Zyrtarët kanë thënë se aeroplani ishte nisur për Nur-Sultan, qytetin që dikur është njohur si Astana, njëherësh kryeqytetin e Kazakistanit.

Agjencia lokale e lajmeve, Tengrinews, ka cituar një të mbijetuar të ketë thënë se ajo ka dëgjuar “tinguj të tmerrshëm” para se aeroplani të rrëzohej.

“Gjithçka ka qenë sikurse film: njerëzit duke bërtitur dhe duke qarë”, ka thënë ajo.

Kompania Bek Air funksionon me flotën e aeroplanëve, Fokker. Komiteti shtetëror i aviacionit ka thënë se do të pezullojë të gjitha fluturimet me këtë lloj aeroplani pas rrëzimit dhe derisa të kryhen hetimet.

Të dhënat tregojnë se aeroplani i përfshirë në incident, Fokker-100, ka qenë 23.7 vjet i vjetër.

Kompania që ka prodhuar këtë lloj aeroplani, ka bankrotuar më 1996 dhe prodhimi i këtyre aeroplanëve është ndalur më 1997.

XS
SM
MD
LG