Kosova e mirëpret çdo nismë që synon përshpejtimin e integrimit në Bashkimin Evropian, por mbetet skeptike ndaj ideve që mund ta mbajnë atë në një status të ndërmjetëm.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, thotë se përfshirja në Tregun e Përbashkët Evropian mund të jetë hap përpara, por thekson se nuk ka ende detaje të qarta.
“Ne e mirëpresim çdo plan të ri, i cili e ka për synim integrimin më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian... Pozicion i Kosovës është që ne nuk mbështesim kurrfarë propozimi, i cili krijon dhoma të pritjes në BE”, thotë Konjufca.
Konjufca mori pjesë në punimet e forumit të sigurisë GLOBSEC në Pragë, ku edhe foli për REL-in.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Konjufca, ditëve të fundit po qarkullon ideja e disa vendeve të Bashkimit Evropian për përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Tregun e Përbashkët Evropian, për t’i shtyrë përpara në rrugën e tyre drejt anëtarësimit të plotë në BE. Cili është qëndrimi i autoriteteve të Kosovës ndaj kësaj nisme?
Glauk Konjufca: Ne, ta them të drejtën, e mirëpresim çdo plan të ri, i cili e ka për synim integrimin më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
SHIKONI EDHE:
Ç’është Tregu i Përbashkët Evropian dhe a mund t’i bashkohet Kosova?Prej fazës së nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit deri kur të hapen negociatat për anëtarësim, ajo që përbën bërthamën e negociatave për çdo shtet, janë negociatat kryesisht ekonomike, se si të krijohen të gjithë mekanizmat e nevojshëm për përfshirjen e vendit përkatës në tregun e vetëm.
Kështu që kjo iniciativë, e cila u përshëndet në mënyrë eksplicite edhe nga kancelari [gjerman, Friedrich] Merz, dhe u shty përpara nga shtete si Austria e Çekia, është, në njëfarë mënyre, që t'i jepet një shpejtësi e re procesit të zgjerimit.
Kjo është e mirëseardhur, por ajo çka është më e rëndësishme në këtë proces, po aq sa ideja, janë edhe detajet, e të cilat ne nuk i kemi ende.
Pres që, në javët e ardhshme, këto shtete të shkojnë drejt hollësive dhe detajizimeve sa i përket ecjes përpara.
Radio Evropa e Lirë: Besoni se ky do të jetë një hap transitor drejt BE-së?
Glauk Konjufca: Nëse e ndajnë me faza, ku disa parapërgatiten për t’iu bashkangjitur BE-së, të tjerët mund të jenë vëzhgues menjëherë tash… të shohim. Ajo çfarë ne kemi thënë, që është pozicion i Kosovës, është që ne nuk mbështesim kurrfarë propozimi, i cili krijon dhoma të pritjes në Bashkimin Evropian. Tash tjetër janë problemet politike, për shembull mosnjohësit e Kosovës e të tjera. Por, nuk duam dhoma të pritjes në BE.
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, Kosova e ka në dhomën e pritjes aplikimin për anëtarësim në BE qysh në vitin 2022…
Glauk Konjufca: Po, ajo nuk është trajtuar, është e vërtetë. Këtu, elefanti në dhomë është dukshëm politik dhe ai është dukshëm dialogu me Serbinë.
SHIKONI EDHE:
Merz propozon: Ballkani Perëndimor si vëzhgues në BE, Ukraina si anëtare e asociuarUnë mendoj se shtetet mosnjohëse dhe dialogu me Serbinë e mbajnë të patrajtuar aplikacionin tonë, i cili është dorëzuar gati katër vjet më parë.
Përgjigjja zyrtare që jep Brukseli, sa herë që e ngremë këtë çështje, është: duhet të punoni më shumë me vendet anëtare. Kur thuhet me vendet anëtare, nënkuptohen vendet mosnjohëse. Ne, vazhdimisht, punojmë me to - me Spanjën, me Greqinë e me të tjerat.
Mirëpo, gjithmonë në ato biseda vijnë marrëdhëniet e mira fqinjësore me Serbinë, të cilat mendoj unë - pa fajin tonë - kanë marrë goditje të mëdha të mirëbesimit në këta dy-tre vjetët e fundit, për shkak të sulmeve sikurse ishte ai në Banjskë.
Radio Evropa e Lirë: A ka Qeveria e Kosovës, edhe pse tani është në detyrë, ndonjë plan konkret për ta shtyrë përpara këtë proces?
Glauk Konjufca: Ne kemi miratuar Planin e Rritjes të BE-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kosova është njëri prej vendeve që agjendën evropiane të reformave e ka miratuar dhe është duke e zbatuar - është vendi me impenjimin ndoshta më të lartë në Ballkanin Perëndimor sa i përket kësaj agjende.
SHIKONI EDHE:
KE mirëpret diskutimin për afrimin e Ballkanit dhe Ukrainës me BE-nëPor, kur flitet për reformat e fondet [e BE-së], kanë shumë rëndësi edhe uniteti politik, funksionaliteti i demokracisë dhe i institucioneve. Sepse, nëse deri në dhjetor kemi këso peripecish, ne do t’i humbim 250 milionë euro - që do të thotë se janë 25%-30% e Planit të Rritjes.
Mirëpo, përkundër reformave që i bëjmë, duket që ndonjëherë në negociatat me BE-në peshon më shumë dialogu me Serbinë sesa reformat e brendshme që i bëjmë.
Sepse, nëse e qet Kosovën në parametra me shtetet tjera, në parametra të demokracisë, të rritjes ekonomike që e ka Kosova, të pavarësisë së gjyqësorit etj., Kosova është shumë përpara.
Radio Evropa e Lirë: Por, e patëm një publikim të ditëve të fundit, mbi bazën e të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që e nxirrte Kosovën si vendin e dytë më të varfër në Evropë.
Glauk Konjufca: Po, por, në të njëjtën kohë, Banka Botërore thotë se Kosova do të ketë një rritje stabile ekonomike mbi 4 për qind. Kjo e ngushton diferencën me vendet tjera.
SHIKONI EDHE:
Banka Botërore parashikon rritje ekonomike prej 3.7 për qind në KosovëQë Kosova të kapërcejë katër vende apo pesë vende, nuk është lehtë, sepse e ke Malin e Zi, e ke Serbinë, i ke shtetet që kanë pasur ekonomi shumë më të konsoliduara se Kosova, e cila ka dalë e shkatërruar prej luftës.
Neve na mjafton edhe zvogëlimi i diferencave me këto shtete.
Radio Evropa e Lirë: Jemi në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit dhe domosdoshmërisht na interesojnë pritjet tuaja nga ky proces...
Glauk Konjufca: Nuk ishte lajm i mirë që Kosova po shkon në zgjedhjet e treta brenda një viti e gjysmë, por u përket qytetarëve të Kosovës. Nuk dua që nga ky forum, në të cilin jam në cilësinë e ministrit të Jashtëm, të futem thellë në detajet e skenës sonë politike, sepse këtë do ta bëj kur të kthehem në Kosovë.
Radio Evropa e Lirë: A prisni që këto zgjedhje të çojnë në formimin e të gjitha institucioneve, deri të zgjedhja e presidentit?
Glauk Konjufca: Po, besoj që po. Jam shumë optimist që këto do të jenë zgjedhjet e fundit për katër vjetët e ardhshëm.