Luftime të reja në Pashnjir të Afganistanit

Një militant taliban drejton armën në drejtim të aparatit fotografik jasht aeroportit të Kabulit.

Në luginën e Panjshirit në Afganistan janë raportuar luftime të reja ndërmjet talibanëve dhe grupeve të armatosura që kundërshtojnë sundimin e tyre. Lugina Panjshir, në veri të kryeqytetit Kabul, është një nga provincat më të vogla të Afganistanit dhe e vetmja që nuk ka rënë në duart e talibanëve.

Aty jetojnë diku midis 150,000 dhe 200,000 njerëz.

Që kur talibanët pushtuan Kabulin më 15 gusht, militantët u përballën me rezistencë nga grupet opozitare dhe ish-pjesëtarë të ushtrisë afgane në Luginën Panjshir. Raportet për luftime të reja vijnë derisa talibanët kanë paralajmëruar se së shpejti do të formojnë një qeveri të re.

SHIKONI EDHE: Çfarë ndikimi kanë SHBA-ja dhe aleatët mbi talibanët në Afganistan?

Rezistenca ndaj talibanëve udhëhiqet nga udhëheqësi fisnor lokal, Ahmad Masoud. Babai i tij kishte luftuar kundër pushtimit sovjetik më 1980 dhe atij taliban në vitet 1990.

Përmes një video mesazhi dërguar në BBC, zëvëndëspresidenti i Afganistanit, Amrullah Saleh tha se janë regjistruar viktima nga të dyja palët. Saleh po bën përpjekje t’i prijë rezistencës ndaj talibanëve.

"Jemi në një situatë të vështirë pasi jemi nën pushtimin e talibanëve", tha ai, duke shtuar se forcat e tij nuk do të dorëzoheshin.

Në fund të muajit gusht, forcat amerikane u tërhoqën nga Afganistani, pas 20 vjetësh prani në këtë vend.

SHBA-ja dhe aleatët pushtuan Afganistanin në vitin 2001, për të rrëzuar talibanët nga pushteti, pasi në atë kohë strehonin kreun e grupit militant Al-Kaida, Osama bin-Laden, i cili kishte urdhëruar sulmet terroriste të 11 shtatorit 2021 në SHBA.