Presidentja shpërndan Kuvendin, LVV-ja e çon dekretin në Kushtetuese

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencë për media, në Prishtinë, më 6 mars 2026.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se të premten ka nxjerrë dekret për shpërndarje të Kuvendit, meqë sipas saj, përfaqësuesit e vendit “vendosën ta çojnë vendin në zgjedhje”.

“Nëpërmjet këtij dekreti po kryej detyrimin kushtetues i cili është i përcaktuar qartë...Është fatkeqësi e madhe që ata [deputetët] nuk zgjodhën interesin e Kosovës”, ka thënë Osmani.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), parti në pushtet tha se shpërndarja e Kuvendit paraqet akt të paprecedent që bie ndesh me rendin dhe rastin do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese.

Më 5 mars ishte afati i fundit kur Kosova do të duhej ta zgjidhte presidentin, 30 ditë para skadimit të mandatit të Osmanit më 4 prill.

Seanca u ndërpre në mungesë të kuorumit, pasi në sallë mungoi opozita. Në garë ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, të dy nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Si pasojë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i kërkoi Gjykatës Kushtetuese t’i pezullojë përkohësisht afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri.

Megjithatë, sipas Osmanit, përpjekjet e dështuara të një nate më parë për ta zgjedhur presidentin në Kuvend, nuk ishin as rastësore, as të pamendura, ndonëse deputetët i patën 23 ditë për ta finalizuar procesin prej konstituimit të institucionit.

"Përkundrazi, shumë mirë të kalkuluara dhe ideuara, për fat të keq", ka shtuar Osmani.

Ajo ka thënë se do t’i shpallë zgjedhjet e reja pas konsultimeve me krerët e partive politike.

“Qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje, këtë situatë e ka krijuar dështimi i Kuvendit për ta kryer detyrën kushtetuese. Askush nuk do të duhej të dëshironte një cikël tjetër politik, sidomos në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet. Por, këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm, me qëllime të rrezikshme”.

Sipas saj, zvarritjet do të krijonin situata tjera edhe më të rrezikshme.

“Pa qartësi kushtetuese, një proces i zvarritur pa fund, siç e kemi parë edhe më 2025, dhe një shtet që fillon ta relativizojë edhe vetë Kushtetutën e tij”.

SHIKONI EDHE: Si u zgjodhën presidentët e Kosovës ndër vite?

Interpretimet për afatin 60-ditor

Disa juristë kanë interpretuar se Kuvendi do të duhet ta zgjedhë presidentin brenda 60 ditësh nga fillimi i seancës për zgjedhjen e presidentit.

Megjithatë Osmani ka thënë se neni 86 i Kushtetutës përcakton se presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual dhe mandati i saj përfundon më 4 prill.

“Kjo do të thotë se 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që Kuvendi të zgjidhte presidentin e ri. Ky afat ka skaduar mbrëmë në mesnatë. Pra, nuk kemi të bëjmë me një debat publik. Kemi të bëjmë me një fakt të qartë kushtetues. Kushtetuta nuk është shkruar për interpretime që relativizojnë peshën e saj. Ajo është shkruar për të garantuar funksionimin e shtetit, jo zvarritjen dhe mosfunksionimin”.

Mes tjerash, ajo ka thënë se pasojat nga mospërmbushja e afateve janë të qarta.

“Kushtetuta e parashikon qartë që një Kuvend që nuk arrin të zgjedhë presidentin nuk mund të vazhdojë pafundësisht të zvarrisë procesin, siç po tentohet, por përballet me një mekanizëm të qartë kushtetues që çon në shpërndarjen e tij. Për më tepër nenet 82 dhe 83 duhen të lexohen së bashku. Edhe vetë Gjykata Kushtetuese ka theksuar se normat kushtetuese interpretohen të ndërlidhura dhe jo ndaras me njëra-tjetrën”.

Sipas saj, kjo do të thotë se ndonëse procedura për zgjedhjen e presidentit mund të fillojë 60 ditë para afatit të fundit, ajo nuk mund të shtyhet, por patjetër duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë të përfundimit të mandatit aktual, që në këtë rast do të thotë data 5 mars.

Dekreti në Kushtetuese

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë për Radion Evropa e Lirë se Gjykata Kushtetuese mund t’i japë rrugëdalje një situate të tillë, me dërgimin e dekretit për shqyrtim në Kushtetuese.

“Është e pakontestueshme që është shkelur Kushtetuta me moszgjedhjen e presidentit të ri 30 ditë para se të përfundojë mandati i Osmanit, por Kushtetuta këtu nuk parasheh sanksione për shkuarje në zgjedhje”, tha Miftaraj.

Ai përmend dy versione se si do mund të vendoste gjykata për dekretin.

Sipas tij, ose do ta shpallte atë të ligjshëm, ose do ta merrte për precedent aktgjykimin e saj për konstituimin e Kuvendit, ku edhe aty kishte përcaktuar afat 30-ditor për konstituim, por pa përcaktuar pastaj sanksion të shpërndarjes nëse ai afat nuk përmbushet.

I pyetur se a pezullohen procedurat e organizimit të zgjedhjeve të reja me dërgimin e dekretit në Kushtetuese, ai thotë se varet a vendos gjykata për masë të sigurisë.

Ndër të tjera, ai e quajti të pakuptimtë rastin e dërguar në Kushtetuese nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

“Është një shaka me qytetarët, e padrejtë dhe e pakuptimtë që një juriste si Haxhiu të bëjë gabime të tilla profesionale, të dërgojë në gjykatë pyetje për raste hipotetike si kërkesa e saj.”

Çështja e amendamenteve për mënyrën e zgjedhjes së presidentit

Krerët e partive politike në Kosovë janë takuar disa herë në ditët e fundit në përpjekje për të arritur deri te një figurë konsensuale për president, mirëpo nuk është arritur asgjë.

Presidentja Osmani e pati bërë të ditur se synon edhe një mandat si presidente, mirëpo emrin e saj nuk e ka propozuar askush në Kuvend, madje as Lëvizja Vetëvendosje e cila kishte vota të mjaftueshme për t’i kandiduar dy figura për këtë pozitë.

LVV i ka 57 ulëse në Kuvend ndërsa për të kandiduar një figurë nevojiteshin 30 nënshkrime.

Partia ka thënë në orët e vona të 4 marsit se i ka ofruar Osmanit 30 nënshkrime, mirëpo që ajo nuk ka pranuar. Më vonë Presidenca ka thënë se këto pretendime janë gënjeshtra.

Në rritje e sipër të paqartësive, Osmani i ka nisur në pasditen e 5 marsit disa amendamente për shqyrtim në Kuvend që presidenti i Kosovës të zgjidhet me votë nga populli dhe jo nga Kuvendi.

Dokument: Amendamentet e propozuara kushtetuese lidhur me zgjedhjen e presidentit

Në konferencën për media të 6 shkurtit, ajo ka thënë se ato amendemente nuk do të kishin asnjë efekt për zgjedhjen e presidentit që do të duhej të zgjidhej deri mbrëmë.

“Arsyeja është e thjeshtë, vetë amendamentet parashohin që procedura për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli duhet të fillojnë gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të presidentit aktual”.

Ato amendamente janë hartuar mbi një dekadë më parë dhe e kanë marrë dritën e gjelbër të Gjykatës Kushtetuese, mirëpo nuk janë jetësuar kurrë.

Vota të mjaftueshme për miratimin e tyre nuk ka pasur as më 5 mars.