Përvjetori i 27-të i bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe

Bombardimet zgjatën për 78 ditë, ndërsa trupat ndërkombëtare u pritën nga shqiptarët në Kosovë sikur askush tjetër më parë.

Sot shënohet përvjetori i 27-të i nisjes së bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe në ish-Jugosllavi për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.

Bombardimet nisën më 24 mars 1999 dhe zgjatën 78 ditë. Ato nisën pas përpjekjeve të dështuara të komunitetit ndërkombëtar për ta bindur ish-liderin serb, Sllobodan Millosheviq për një armëpushim.

“Nëse presidenti [jugosllav Sllobodan] Millosheviq nuk është i gatshëm të bëjë paqe, ne jemi të gatshëm t’i kufizojmë aftësitë e tij për të bërë luftë kundër kosovarëve”, pati thënë presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clinton.

Bill Clinton në Ferizaj, në nëntor të vitit 1999.

Më pas, ishte Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, i cili i autorizoi sulmet ajrore.

Kjo fushatë përbënte herën e parë që NATO-ja e përdorte forcën ushtarake pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Fushata përfshiu rreth 1.000 avionë që operuan nga bazat ajrore në Itali dhe Gjermani, si dhe aeroplanmbajtësen e vendosur në Detin Adriatik, USS Theodore Roosevelt.

Avionët kryen mbi 38.000 fluturime - prej të cilave 10.484 fluturime sulmuese - pa asnjë fatalitet në mesin e aleatëve.

Duke kujtuar këtë përvjetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Kosova nuk e harron atë që bëri NATO-ja kur populli i Kosovës përballej me shfarosje dhe që “aleancat që mbrojnë lirinë duhet t’i ruajmë po aq sa vetë lirinë”.

Your browser doesn’t support HTML5

Si është të jesh brenda bombarduesve që SHBA-ja i përdori në Iran e në Kosovë?

Gjatë fushatës ajrore, shkatërrime ose dëme të rënda pësuan kazerma dhe njësi ushtarake në Serbi, Mal të Zi dhe Kosovë, ashtu si edhe sisteme të komandës dhe kontrollit, sisteme të mbrojtjes ajrore, infrastruktura të energjisë dhe komunikimit etj.

Në përmbyllje të fushatës, presidenti Clinton pati thënë se kërkesat e komunitetit ndërkombëtar ishin përmbushur, përfshirë: tërheqjen e forcave serbe nga Kosova, vendosjen e një force të sigurisë të udhëhequr nga NATO-ja dhe kthimin e kosovarëve në shtëpitë e tyre.

“Mund t’i raportoj popullit amerikan se kemi shënuar fitore - për një botë më të sigurt, për vlerat tona demokratike dhe për një Amerikë më të fortë”.

SHIKONI EDHE: "Thirre Klintonin": Fëmijët, rrugët dhe bizneset me emra që nderojnë heronjtë e Kosovës

Bombardimet u ndalën një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.

Me këtë marrëveshje, të negociuar ndërmjet NATO-s dhe zyrtarëve ushtarakë jugosllavë, forcat jugosllave u tërhoqën nga Kosova dhe u krijua forca paqeruajtëse ndërkombëtare, e udhëhequr nga NATO-ja.

Beogradi kishte 11 ditë kohë për t’i zhvendosur 40.000 forcat e tij të sigurisë jashtë Kosovës.

KFOR-i, misioni paqeruajtës i udhëhequr nga NATO-ja, filloi dislokimin më 12 qershor, 1999. Fillimisht përbëhej nga rreth 50.000 trupa, për të arritur në 4.767 trupa sot, nga 33 vende të botës.

SHIKONI EDHE: Pritja e paqeruajtësve nga qytetarët e Kosovës

Lufta përfundoi me rreth 13.000 njerëz të vrarë; me mijëra të zhdukur - mbi 1.600 prej të cilëve mbeten ende të pagjetur; me qindra mijëra refugjatë - shumica e të cilëve u kthyen; dhe me mijëra prona të dëmtuara ose të shkatërruara.