“Shqipja në rrezik” dhe “Letërsia shqipe dhe interkulturalizmi” janë temat kryesore të edicionit të 41-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, që nisi punimet më 14 gusht.
Seminari, që është organizimi më i madh dhe më i rëndësishëm për shkencat e albanologjisë, ka tërhequr vëmendjen e qindra studiuesve shqiptarë e të huaj të fushës së albanologjisë.
Seminari do t’i zhvillojë punimet deri më 25 gusht.
Drejtori i seminarit, Bardh Rugova, tha për Radion Evropa e Lirë se 120 seminaristë do të mësojnë gjuhën shqipe.
“Shqipja ka status të pafavorshëm në vendet ku është pakicë, ndërsa folësit e brezit të dytë dhe të tretë të shqipes në mërgim shndërrohen gradualisht në gjysmëfolës, para syve tanë. Departamentet e shqipes në botë, në ndikim edhe të Sistemit të Bolonjës dhe ndërrimit të paradigmës dhe ndoshta të vetë përkufizimit të universitares, po zvogëlohen dhe po shuhen, e ne nuk po bëjmë gjë”, tha Rugova.
Sipas tij, edhe në Kosovë, në vend të projekteve për ngritjen e vlerës së albanologjisë, shpesh punohet për degradimin e tyre. Seminari, tha ai, është një ngjarje që herë pas here ngrit alarme për këtë çështje.
SHIKONI EDHE: A gabojmë kur huazojmë fjalë të huaja në gjuhën shqipe?Qerim Qerimi, rektor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, pohoi se organizimi i këtij seminari nuk është i veçantë vetëm për universitetin, por për gjithë Kosovën.
“Unë kam besim të thellë që paraqitjet dhe diskutimet gjatë sesioneve, që do të zhvillohen në dy javët e ardhshme, do të nxjerrin në pah çështje të rëndësishme studimore dhe do të shpërfaqin rezultate mahnitëse kërkimore duke vënë në pah të arriturat tona shkencore, që unë mendoj se janë tërësisht të krahasueshme dhe të matshme me të tjerët”, theksoi Qerimi.
Në ceremoninë e hapjes, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, theksoi se institucioni që udhëheq ajo, është i përkushtuar që të ofrojë mbështetje të vazhdueshme për organizimin e ngjarjeve të tilla.
“Gjuha jonë sado që mund të duket si një gjuhë e një vendi, kombi të vogël, vazhdon të jetë me interes për studiues dhe gjuhëtarë anembanë globit”, deklaroi ajo.
Në një ndikim të karakterizuar nga globalizimi dhe përparimet teknologjike, rëndësia e ruajtjes së gjuhëve nuk ka qenë kurrë më kritike, tha ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, drejtuesi i seminarit, Bardh Rugova, tregoi se numri më i madh i pjesëmarrësve është nga Polonia, Austria, Gjermania, Bullgaria, Danimarka, Spanja, Rumania, Serbia, Britania e Madhe, Greqia dhe arbëreshë të Italisë.
Në pritje është ardhja “edhe e një arnauti nga Siria”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Gjatë seminarit, të huajt do të mund të marrin pjesë në kurse në tri nivele për mësimin e gjuhës shqipe.
Në këtë seminar do të ketë kumtesa, referime shkencore, ligjërata nga studiues ndërkombëtarë dhe albanologë nga vende të ndryshme.
Gjatë këtij viti, organizatorët i kanë kushtuar rëndësi edhe aktiviteteve didaktike dhe kulturore, duke nisur nga vizitat në institucione kulturore dhe shkencore, koleksionet e veshjeve popullore e të filigranit, koncertet nga këngëtare arbëreshë, dramat arbëreshe, ekskursionet dhe ushqimet tradicionale.
Seminari i Gjuhës është themeluar në vitin 1974, por veprimtaria e tij është ndërprerë në vitin 1991 nga organet e atëhershme serbe.
Seminari ka rinisur punën në Prishtinë në vitin 2000, pasi dy sesione të tij, më 1995 dhe 1996, janë mbajtur në Tiranë.