Serbia forcon arsenalin me raketa kineze me rreze të gjatë

Sistemi kinez FK-3 gjatë prezantimit të aftësive të Forcave të Armatosura të Serbisë në aeroportin e Batajnicës, pranë Beogradit. Prill 2022.

Serbia bleu raketa balistike supersonike nga Kina, konfirmoi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ndërsa Kroacia fqinje kërkoi reagim nga aleanca e NATO-s.

Me këtë blerje, Serbia u bë vendi i parë, pas Pakistanit, që siguroi nga Kina raketa CM-400, me fuqi të madhe shkatërruese.

Sipas regjistrave të armëve, të disponueshëm ndërkombëtarisht, është i vetmi vend në Evropë që i zotëron ato, ndërsa është i rrethuar nga shtete anëtare të NATO-s.

SHIKONI EDHE: Serbia blen raketa kineze “shkatërruese”, Kroacia njofton NATO-n

Ky veprim “ndezi alarmin” në rajon, sepse objektivat e këtyre raketave, me fuqi të madhe shkatërruese, mund të jenë disa qindra kilometra larg.

Vuçiq tha se Serbia nuk e ka ndërmend të sulmojë askënd, por pohoi se ushtria ka tashmë “një numër të konsiderueshëm raketash” dhe “do të ketë edhe më shumë”.

Megjithatë, ai nuk tregoi se sa është numri i saktë i tyre, kur janë blerë dhe sa kanë kushtuar.

Presidenca, Qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me detajet e prokurimit të armëve të reja nga Kina.

Serbia po e thellon bashkëpunimin ushtarak me këtë vend, pavarësisht kritikave nga Perëndimi.

Deri më tani, nuk ka komente as nga Bashkimi Evropian, Departamenti i Shtetit i SHBA-së ose selia e NATO-s.

SHIKONI EDHE: Robotët kinezë në Ushtrinë e Serbisë

Analisti ushtarak serb, Aleksandar Radiq, beson se Perëndimi “nuk do të heshtë” ndaj vendimit të autoriteteve serbe për ta zgjedhur Kinën partnere për prokurimin e raketave hipersonike.

“Kjo është një zgjedhje politike nga Aleksandar Vuçiq. Kina e mbështet atë, ndërsa ai blen armë kineze. Prokurimi është, në fakt, një instrument i politikës së jashtme, një mekanizëm me të cilin hyn në një marrëdhënie të fortë dhe strategjike dhe pret një nivel të caktuar mirëkuptimi dhe mbështetjeje për interesat tua”, thotë Radiq për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se Serbia, si një vend që nuk është pjesë e aleancës së NATO-s, as që mund të priste të blinte armë “kaq shkatërruese në Perëndim”, nga ndonjëri prej shteteve anëtare.

“Edhe kur je brenda NATO-s, je i kufizuar në mënyrën dhe kohën kur do të marrësh fonde të caktuara, e lëre më kur nuk je. Kina, nga ana tjetër, është e gatshme t’i shesë arritjet e veta teknologjike, që vendet e tjera nuk duan t’i shesin ose nuk i posedojnë”, thotë Radiq.

Sipas të dhënave të fundit nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen (SIPRI), Pekini është furnizuesi më i madh ushtarak i Beogradit.

Në pesë vjetët e fundit, pothuajse dy të tretat e armëve në Serbi arritën nga Kina.

Edhe pse Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paralajmëruar vazhdimisht autoritetet në Serbi për rreziqet e thellimit të bashkëpunimit ushtarak me Kinën, deri më tani nuk ka pasur masa më specifike.

Për çfarë shërbejnë raketat CM-400?

Radiq i përshkruan raketat CM-400 si armë me rreze të gjatë veprimi dhe fuqi të lartë zjarri, të cilat “ia kalojnë shumë çdo gjëje që kanë pasur deri më tash Forcat e Armatosura të Serbisë”.

“Ky është një hap drastik përpara, krahasuar me aftësitë e mëparshme. Serbia ka aftësi sulmuese, sepse rrezet e veprimit të këtyre armëve janë pothuajse të barabarta me raketat balistike nga epoka e Luftës së Ftohtë”, shpjegon Radiq.

SHIKONI EDHE: Armët kineze dominojnë tregun ushtarak të Serbisë

Rrezja e veprimit të raketave kineze CM-400 mund të jetë deri në 400 kilometra.

Megjithatë, supozohet se versioni për tregun e huaj, i emërtuar CM-400 AKG, të cilin e zotëron edhe Serbia, ka një rreze veprimi më të shkurtër - rreth 250 kilometra.

Kjo u mundëson këtyre raketave të godasin objektiva të largëta, pa rrezikun e të qenët brenda rrezes së mbrojtjes ajrore të armikut.

Sipas specifikave, në fazën përfundimtare të fluturimit drejt objektivit, ato arrijnë një shpejtësi që është rreth pesë herë më e madhe se shpejtësia e zërit.

“Kjo është arsyeja përse një pajisje e tillë është shumë e vështirë për t’u rrëzuar. Nuk është e pamundur, por, në praktikë, mbrojtja kundër pajisjeve të tilla është një detyrë shumë e vështirë”, thotë Radiq.

Sipas tij, raketat e tilla konsiderohen edhe si mjet për të penguar një sulm të mundshëm.

Ai shton se nuk ka vende në rajon që “kanë ndonjë mjet kundërsulmi” ose ndonjë sistem kundërajror që do të ishte efektiv në mbrojtjen kundër raketave të tilla.

Por, thekson se Serbia “nuk ka kapacitet” për të sulmuar dikë.

“Nuk ka të bëjë me mjetet, por me atmosferën dhe momentin... Meqenëse Serbia është e rrethuar nga anëtarë të NATO-s, i vetmi skenar i mundshëm lufte në këtë moment do të ishte një luftë kundër NATO-s”, thotë Radiq.

Ai beson se, për shkak të kësaj, raketat kineze do të shërbejnë si një “lojë psikologjike-propaganduese në rajon”.

“Alarm në Zagreb”

Nga vendet e rajonit, Kroacia ishte e para që reagoi ndaj prokurimit të raketave supersonike kineze nga ana e Serbisë.

Kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq, tha më 12 mars se Zagrebi do të bisedojë me aleatët e NATO-s dhe do t’i paralajmërojë ata për “risitë në arsenalin e Forcave të Armatosura të Serbisë”.

Ai tha se nuk pret që “posedimi i një arme kaq serioze, në asnjë variant, të përdoret kundër vendeve fqinje - Kroacisë apo ndonjë tjetri”.

SHIKONI EDHE: Koha e duhur për municione? Kosova futet në lojë

Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, tha se shpreson që raketat “të mbeten në depo, aty ku e kanë vendin”.

“Zagrebi nuk do të vendosë se çfarë do të ketë Serbia”, ishte komenti i presidentit të Serbisë, Vuçiq, ndaj reagimeve të Zagrebit.

Ai i tha Radio Televizionit të Serbisë më 12 mars se Serbia “po përgatitej të sulmohej nga aleanca e formuar nga Prishtina, Tirana dhe Zagrebi”.

“Ne nuk mund t’i sulmojmë vendet e NATO-s, dhe Shqipëria dhe Kroacia janë gjithashtu vende të NATO-s. As nuk duam t’i sulmojmë. Por, mendoj se ky është qëllimi i tyre i vetëm. Ato, thjesht, po e presin momentin. Serbia ka forca të mjaftueshme parandaluese për dy vende dhe një entitet”, tha Vuçiq, vendi i të cilit nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Në mars të vitit 2025, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një Deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të cilën zyrtarët serbë e përshkruan si kërcënim për sigurinë e Serbisë.

SHIKONI EDHE: Serbia shpenzon më së shumti në rajon për ushtrinë

Vuçiq tha se Pllenkoviq, gjatë një bisede në mes të shkurtit, i tha atij se bashkëpunimi ushtarak i Kroacisë me Shqipërinë dhe Kosovën nuk është i drejtuar kundër Serbisë.

“E dëgjova dhe aq. Por, a e kam ende atë dozë shqetësimi dhe frike? Po”, tha Vuçiq.

Sipas tij, Serbia ka marrëdhënie të drejta dhe të mira me NATO-n. Por, ai përsëriti se nuk do t'i bashkohet asaj aleance ushtarake.

Si e konfirmoi Vuçiq se Serbia ka raketa supersonike?

Konfirmimi i Vuçiqit në Radio Televizionin e Serbisë, se Serbia ka blerë raketa supersonike kineze, erdhi pasi një forum i specializuar ushtarak publikoi së voni fotografi të avionëve luftarakë MiG-29 në fluturim, me një “ngarkesë të re”.

Një avion u tha se bartte raketa kineze me shenjën CM-400 AKG.

Radiq thotë se fotografitë pranë aeroportit ushtarak të Batajnicës, pranë Beogradit, u bënë nga një “entuziast anonim” dhe u postuan në forum.

Ai thekson se këta entuziastë, siç quhen në qarqet ushtarake, janë burime të shpeshta informacioni rreth asaj që zotërojnë ushtritë në të gjithë botën.

“Ky nuk është vetëm rasti në Serbi, por edhe në Shtetet e Bashkuara, për shembull. Është e zakonshme, nuk është e paligjshme. Edhe në Kinë - ku do të prisnit një sistem më të mbyllur - pothuajse çdo ditë ka fotografi të avionëve të rinj, të gjeneratës së re, të bëra nga entuziastët”, thotë Radiq.

Duke folur për RTS-në, Vuçiq konfirmoi se ushtria e “ka integruar me sukses” raketën kineze në avionët luftarakë rusë që i zotëron.

Ai tha se avionët me raketat kineze ishin “filmuar rastësisht” dhe nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarit se sa kushtuan ato.

“Raketat janë tmerrësisht të shtrenjta. Ne i morëm me një zbritje të vogël”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se rrezja e tyre është 200 deri në 400 kilometra dhe se ato janë raketa me fuqi të madhe shkatërruese.

SHIKONI EDHE: Ballkani mes dronëve të NATO-s dhe raketave nga Lindja

Kush ka raketa CM-400 të Kinës?

Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), Pakistani ka blerë raketat supersonike CM-400, konkretisht versionin CM-400AKG, nga Kina.

Nga viti 2010, kur u porositën, deri në vitin 2019, 100 nga këto raketa iu dorëzuan Pakistanit.

Sipas këtij regjistri, asnjë vend i Bashkimit Evropian nuk ka blerë sisteme armësh nga Kina viteve të fundit.

Në tregtinë e armëve, partnerët kryesorë të Pekinit janë në Afrikë dhe Azi, ndërsa bashkëpunimi ushtarak me Rusinë është po ashtu në rritje.

E, derisa Qeveria serbe vazhdon të “balancojë” midis Lindjes dhe Perëndimit, presioni nga Brukseli, që Serbia ta përshtatë politikën e saj të sigurisë me atë të Evropës, është në rritje.

Edhe pse ka negociuar anëtarësimin me BE-në që nga viti 2014, hapja e kapitujve të rinj ka ngecur. Asnjë nuk është hapur që nga viti 2021.

“BE-ja, si aleancë, këmbëngul në respektimin e elementeve të një politike të përbashkët të jashtme dhe mbrojtëse. Këtu, Serbia bie në konflikt midis ambicies së saj për t’u afruar me Evropën dhe dëshirës për të pasur një kapacitet ofensiv me origjinë kineze”, thotë Radiq.

Kur Serbia të bëhet anëtare e BE-së - nëse bëhet - të gjitha marrëveshjet me vendet e treta do të duhet të ndërpriten, përfshirë edhe ato me Kinën.

Nga dronët te sistemet kundërajrore

Ushtarët serbë, prej kohësh, posedojnë armë kineze - nga dronët luftarakë deri te sistemi raketor kundërajror FK-3.

Dronët CH92-A u prezantuan në vitin 2020 dhe ishin blerja e parë nga Kina që hyri në përbërjen luftarake të Ushtrisë serbe.

Serbia, më pas, u bë vendi i parë evropian që importoi pajisje të aviacionit kinez.

Kjo u pasua nga blerja e dronëve luftarakë CH-95 dhe sistemeve kundërajrore FK-3 dhe HQ-17.

SHIKONI EDHE: Fluturimet misterioze mes Tel Avivit dhe Beogradit ngrenë dyshime për transport armësh

Pas paradës ushtarake në Pekin, në shtator të vitit të kaluar, ku Vuçiq ishte mysafir i presidentit kinez, Xi Jinping, ai tha se po shqyrtonte “çfarë do të ishte interesante të blihej për nevojat e Ushtrisë së Serbisë”.

Në atë kohë, ai tha se zyrtarët serbë kanë biseduar me përfaqësues të më shumë se dhjetë kompanive ushtarake kineze, por nuk dha detaje të mëtejshme.

Dhe, tre muaj më vonë, pas një seance të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Vuçiq njoftoi se Serbia do t’i dyfishonte kapacitetet e saj ushtarake. Megjithatë, nuk specifikoi se çfarë armësh do të bliheshin nga jashtë.

Sipas të dhënave nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), në pesë vjetët e fundit, Serbia ka importuar më shumë armë nga Kina (61 për qind), pastaj nga Franca (12 për qind) dhe Rusia (7 për qind).

Në dy vjetët e fundit, industria serbe e mbrojtjes ka importuar mallra nga Kina me vlerë prej së paku 240 milionë eurosh, sipas të dhënave doganore, në të cilat Radio Evropa e Lirë kishte qasje.

Përgatiti: Valona Tela