SHBA-ja shqyrton armatosjen e grupeve opozitare kurde iraniane

Pasojat e bombardimeve në Teheran, 2 mars.

Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e armatosjes së grupeve opozitare kurde iraniane në Irak, sipas raportimeve. Një veprim i tillë mund ta hapë një front të ri në luftën kundër Iranit dhe rrezikon nxitjen e një lufte civile në këtë vend të Lindjes së Mesme.

Disa grupe opozitare kurde të Iranit janë të vendosura në rajonin gjysmautonom kurd të Irakut dhe ka kohë të gjatë që zhvillojnë kryengritje me intensitet të ulët kundër Teheranit. Disa prej tyre kërkojnë autonomi brenda Iranit, ndërsa të tjerë luftojnë për shkëputje nga Republika Islamike.

Mundësia që Uashingtoni t’i furnizojë me armë grupet kurde iraniane dhe t’i mbështesë sulme tokësore përtej kufirit në pjesën perëndimore të vendit vjen në një kohë kur SHBA-ja dhe Izraeli po zhvillojnë një fushatë të gjerë bombardimesh ajrore kundër Iranit.

SHIKONI EDHE: Frikë dhe shpresë në Iran mes bombardimeve SHBA-Izrael

Sipas ekspertëve, qëllimi i SHBA-së do të ishte shterojë burimet ushtarake të Teheranit, ta dobësojë kontrollin e pushtetin nga shteti dhe ta nxisë një kryengritjeje brenda Iranit, i cili është shtet shumetnik me rreth 90 milionë banorë.

Udhëheqësit klerikalë të Iranit, pavarësisht vrasjes së udhëheqësit suprem, ajatollah Ali Khamenei, dhe disa komandantëve të lartë ushtarakë, nuk janë dorëzuar dhe po vazhdojnë të mbajnë pushtetin në vend që nga fillimi i fushatës së përbashkët ajrore SHBA-Izrael më 28 shkurt.

“Qëllimi kryesor është që Republika Islamike të fillojë ta humbë kontrollin mbi disa zona të vendit”, tha Michael Horowitz, ekspert i pavarur për mbrojtjen me bazë në Izrael.

“Vlerësimi mund të jetë se duke bërë këtë, edhe pakicat e tjera si dhe opozita më e gjerë mund të frymëzohen. Disa elementë brenda regjimit, të cilët mund të tundohen të dezertojnë ose të arratisen, mund ta shohin këtë si një shenjë se duhet ta bëjnë tani, para se situata të dalë plotësisht jashtë kontrollit”, theksoi ai.

Kurdët përbëjnë rreth 10 për qind të popullsisë së Iranit dhe jetojnë kryesisht në perëndim të vendit, përgjatë kufirit me Irakun.

SHIKONI EDHE: SHBA dhe Izraeli zotohen se nuk do të ndalen teksa intensifikohet fushata kundër Iranit

Irani është akuzuar prej kohësh për shtypje dhe diskriminim ndaj pakicave etnike të vendit, përfshirë kurdët.

Sascha Bruchmann, analist i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike me seli në Londër, tha se inkursionet e mundshme tokësore nga grupet kurde iraniane në perëndim të Iranit mund të shtrijnë burimet ushtarake të Teheranit.

“Nëse fraksionet kurde do të ndërmerrnin një seri sulmesh të koordinuara, trupat e Gardës Revolucionare Islamike do të detyroheshin të kërkonin përforcime”, tha Bruchmann, duke iu referuar degës elitare të forcave të armatosura të Iranit.

“Megjithatë, kjo do të dobësonte pozicionin e tyre në qytetet kryesore si Teherani, Isfahani apo Karaj. Kështu do të krijohej një dilemë për regjimin se ku t’i dërgojë përforcimet e pakta, në një kohë kur koordinimi është gjithashtu më i vështirë. Pikërisht kjo dilemë dhe shpërndarja e forcave është synimi operacional”, shtoi ai.

Sipas ekspertëve, rreziqet e mundshme të armatosjes së grupeve opozitare kurde iraniane nga SHBA janë të konsiderueshme.

“Uashingtoni mund të shkaktojë luftë civile dhe fragmentimin e vendit, gjë që mund të ketë pasoja afatgjata”, tha Horowitz.

SHIKONI EDHE: Irani thotë se Iraku është pajtuar për çarmatimin e militantëve kurdë

Ekzistojnë gjithashtu rreziqe për më shumë se gjashtë grupe kurde iraniane të bazuara në veri të Irakut. Shumë prej këtyre grupeve kanë qenë të armatosura më parë, por më pas kanë hequr dorë nga armët.

“Nëse përfshihen në një luftë afatgjatë kundër Iranit dhe mbështetja amerikane zhduket, do të ishte shumë e rrezikshme për ta”, tha Horowitz.

Së fundmi, SHBA ndërpreu mbështetjen për Forcat Demokratike Siriane (SDF), një milici e udhëhequr nga kurdët që për vite me radhë ishte partner kyç i SHBA-së në luftën kundër grupit ekstremist Shteti Islamik.

Mosmarrëveshje të kahershme

Në pritje të një sulmi amerikan ndaj Iranit, pesë grupe opozitare kurde iraniane me bazë në Kurdistanin irakian njoftuan muajin e kaluar krijimin e një koalicioni të ri politik me synim përmbysjen e Republikës Islamike dhe arritjen përfundimtare të autonomisë kurde.

Koalicioni i ri përfshin Partinë për Lirinë e Kurdistanit (PAK), Partinë Demokratike të Kurdistanit të Iranit (PDKI), Partinë për Jetë të Lirë të Kurdistanit (PJAK), Organizatën e Luftës së Kurdistanit të Iranit (Khabat) dhe Komala e Punëtorëve të Kurdistanit. Koalicioni nuk përfshin disa figura të rëndësishme politike kurde si Partia Komala e Kurdistanit të Iranit.

Irani ka kryer herë pas here sulme ushtarake kundër këtyre grupeve kurde në mërgim, të cilat Teherani i ka shpallur organizata terroriste dhe i ka akuzuar se i shërbejnë interesave amerikane dhe izraelite.

Këto sulme mund të intensifikohen nëse SHBA-ja i armatos ato.

SHIKONI EDHE: Nathan Sales: Suksesi në Iran do të matet nga ritmi i rënies së sulmeve iraniane

Më 4 mars, Irani lëshoi raketa drejt një kampi pranë kufirit të operuar nga PAK, njoftoi grupi, duke shtuar se një person u vra dhe tre të tjerë u plagosën. Një ditë më parë, sulme me dronë goditën një bazë të drejtuar nga PDKI në veri të Irakut.

Ekspertët thonë se mbetet e paqartë nëse grupet e ndryshme kurde iraniane në Irak mund t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e thella mes tyre dhe nëse kanë vullnetin dhe aftësinë për të luftuar kundër Republikës Islamike.

“Ka mosmarrëveshje të kahershme dhe ata duhet të dëshmojnë solidaritet në terren”, tha Bruchmann.

“Nuk bëhet fjalë aq shumë për ndikimin e mundshëm të disa armëve më të mira apo më të shumta nga SHBA-ja, por për vullnetin për të luftuar vendosmërisht regjimin iranian dhe për të koordinuar sulmet ushtarake mes tyre, gjë që do të përcaktojë nëse kurdët do t’i shtojnë një element tokësor fushatës ajrore SHBA-Izrael”.