Të dashur lexues, këtu po e mbyllim për sonte mbulimin tonë të drejtpërdrejtë të zhvillimeve në Lindjen e Mesme. Më poshtë mund ta lexoni një përmbledhje të shkurtër të ngjarjeve më 3 mars:
- Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndërmorën sulme të reja në disa qytete të Iranit - përfshirë kryeqytetin Teheran - në ditën e katërt të Operacionit “Tërbimi Epik”.
- Irani u kundërpërgjigj me disa sulme kundër caqeve amerikane në rajon. Ambasada e SHBA-së në Riad konfirmoi se ishte cak i një sulmi me dronë, ndërsa ajo në Kuvajt u mbyll përkohësisht, për shkaqe sigurie.
- Organizata iraniane, Gjysmëhëna e Kuqe, tha më 3 mars se numri i të vdekurve nga sulmet izraelite dhe amerikane ndaj Iranit, ka arritur në 787.
- Ambasada e Republikës së Kosovës në Abu Dabi lëshoi një njoftim për qytetarët e Kosovës për evakuim të mundshëm nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë paralajmëroi qytetarët të shmangin udhëtimet drejt Lindjes së Mesme.
- Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Irani dëshiron bisedime, por shtoi se “tani është tepër vonë për të folur”.
- Trump theksoi gjithashtu se pothuajse “gjithçka është rrënuar” në Iran.
- Ai thekson se Irani tani nuk ka më marinë, as forcë ajrore apo kapacitete për të zbuluar sulmet ajrore.
- Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se aleanca nuk është e përfshirë në konfliktin në Lindjen e Mesme, por se do të mbrojë çdo centimetër të territoreve të vendeve anëtare.
SHBA shpalos synimet e luftës kundër Iranit
Shtëpia e Bardhë i ka shpalosur katër synime të fushatës së saj të vazhdueshëm ajrore kundër Iranit, e cila po zhvillohet në bashkërendim me Izraelin dhe tashmë ka hyrë në ditën e katërt.
Duke shpallur synimet e operacionit të quajtur “Tërbimi Epik”, Shtëpia e Bardhë shkroi në platformën X më 3 mars: “Amerika do të fitojë. Regjimi terrorist iranian do të mposhtet”.
Më pas, ajo renditi hapat për arritjen e këtij qëllimi:
- Shkatërrimi i raketave të regjimit iranian
- Asgjësimi i flotës së tij detare
- Të mos lejohen kurrë më përfaqësuesit e tyre terroristë ta destabilizojnë botën
- Të mos mos lejohet KURRË Irani të ketë armë bërthamore.
Franca do të dërgojë në Mesdhe aeroplanmbajtësen e vetme që zotëron
Franca njoftoi se po e dërgon aeroplanmbajtësen e saj të vetme, Charles de Gaulle, në Mesdheun lindor si përgjigje ndaj përshkallëzimit të krizës.
Presidenti Emmanuel Macron e dha këtë lajm në një fjalim të shkurtër drejtuar kombit. Ai tha gjithashtu se Franca po dërgon një fregatë të pajisur me sisteme të mbrojtjes ajrore në Qipro.
Franca ka marrëveshje mbrojtjeje me Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajtin dhe Katarin, të cilat janë shënjestruar nga Irani. Presidenti Macron deklaroi se Franca do të qëndrojë pranë partnerëve të vet.
Macron tha se Franca duhet të “qëndrojë përkrah miqve dhe aleatëve tanë në rajon”, duke shtuar se “përgjegjësia e vendit është kryekëput për t’u mbrojtur”.
“Synojmë ta rikthejmë paqen sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai.
Udhëheqësi francez shtoi se shpreson që populli iranian të jetë në gjendje të marrë vetë vendimin për fatin e vendit të tyre.
Trump kritikon Mbretërinë e Bashkuar dhe Spanjën
Për herë të dytë gjatë konferencës për shtyp më 3 mars, Trump po foli për marrëdhënien e Shteteve të Bashkuara me Mbretërinë e Bashkuar.
Ai thotë se Spanja ka qenë “shumë jobashkëpunuese”, dhe se edhe Mbretëria e Bashkuar ka vepruar njësoj.
“Kjo e dyta është tronditëse, por kjo nuk është epoka e Churchillit”, thotë ai, duke iu referuar kryeministrit britanik, Keir Starmer.
Duke iu referuar sërish ishujve Chagos, Trump i quajti “ishuj budallenj... që ata [Britania e Madhe] i falën”.
Britania e Madhe “mori një qira njëqindvjeçare, që ka të bëjë ndoshta me popullsi autoktone që pretendojnë se ishujt janë të tyre, të cilët as nuk i kishin parë ndonjëherë këta ishuj. Çfarë kuptimi ka kjo? Ata i prishën marrëdhëniet; është për të ardhur keq”.
Ai thotë se e “do” Mbretërinë e Bashkuar, por kritikon politikat britanike për energjinë dhe emigracionin, të cilat i quan “të tmerrshme”.
Trump tha se është i “shumë i zhgënjyer” me Britaninë e Madhe për shkak të refuzimit të Londrës për t’i lejuar Shtetet e Bashkuara të përdorin bazat ushtarake britanike, përfshirë atë strategjike në Diego Garcia në Oqeanin Indian, në goditjet e para kundër Iranit.
Ai tha se Spanja ka qenë “shumë jokompetente dhe jo bashkëpunuese” dhe i ka dhënë udhëzim Sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, që “të ndërpresë çdo tregti me Spanjën”.