Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli u zotuan se nuk do të lëshojnë pe në fushatën e tyre ushtarake kundër Iranit, teksa Tel Avivi lëshoi “valë të re të sulmeve” dhe presidenti amerikan, Donald Trump tha se Teherani “do të goditet dhe lëndohet edhe më tepër” në ditët në vazhdim.
“Goditjet e shkallës së gjerë nisin tani”, ka thënë Trump më 3 shkurt në Shtëpinë e Bardhë, gjatë një takimi me kancelarin gjerman, Friedrich Merz.
“Ata nuk kanë më mbrojtje ajrore, ata nuk kanë më sisteme gjurmimi, kështu që do të lëndohen shumë”, ka paralajmëruar presidenti amerikan.
Trump ka përsëritur se përveç liderit suprem Ali Khamenei, një pjesë e mirë e udhëheqjes iraniane është vrarë në sulmet amerikano-izraelite, duke e lënë regjimin në duar të pasigurta.
“Shumica e njerëzve që kemi pasur në mendje tanimë janë të vdekur. Tani e kemi një grup tjetër. Edhe ata mund të jenë të vdekur, bazuar në raportime”, ka thënë Trump.
“Tronditje dhe habi”
Pasi Trump foli, shefi i Komandës Qendrore të ushtrisë amerikane, admirali Brad Cooper ka thënë se Operacioni "Tërbimi Epik" përbën pozicionimin më të madh të ushtrisë amerikane në Lindje të Mesme brenda një gjenerate.
Ai ka thënë se mbi 50.000 trupa, mbi 200 aeroplanë luftarakë, dy aeroplanmbajtëse dhe bombarduese me rreze të gjatë janë të përfshira në operacion. Cooper e ka përshkruar fazën hyrëse të fushatës ushtarake si dyfish më të madhe sesa ajo e vitit 2003 “Tronditje dhe habi” në Irak.
“Sot nuk e kemi asnjë anije iraniane në ujërat e Gjirit Arab, Ngushticën e Hormuzit apo Gjirin e Omanit”, ka thënë Copper, duke e përshkruar atë që e ka quajtur përpjekje të pashembullt për t’i eliminuar aftësitë e Iranit që t’i kërcënojnë forcat amerikane.
“Ky është vetëm fillimi”, ka thënë admirali. “Por, besoj shumë që ne, bashkë me aleatët, do t’i arrijmë objektivat tanë ushtarakë”.
Copper ka thënë se ushtria amerikane i ka shkatërruar 17 anije të marinës iraniane – përfshirë një nëndetëse – dhe i ka rrëzuar gati 2.000 targete nëpër Iran brenda katër ditësh.
Sulme të reja izraelite
Ndaras, Izraeli ka thënë më 4 mars se ka nisur “valë të re sulmesh”, duke thënë se shënjestrat e saj në ditën e pestë të sulmeve të përbashkëta amerikano-izraelite përfshijnë “sisteme ajrore iraniane, zonat e lansimit dhe infrastrukturë shtesë”.
Në Teheran, qytet me rreth 10 milionë banorë, rrugët janë parë pa njerëz, ose në disa pjesë janë parë duke u larguar nga qyteti.
“Ka aq pak njerëz, prandaj krijohet përshtypje që askush nuk jeton këtu”, ka thënë infermierja Samireh për agjencinë e lajmeve AFP.
Autoritetet u kanë bërë thirrje njerëzve që të largohen nga kryeqyteti. Policia, forcat e armatosura të sigurisë dhe pajisje të armatosura janë stacionuar në rrugët kryesore, duke kryer kontrolle të rregullta nëpër makina, ka shtuar AFP.
Raportimet brenda Iranit vështirë verifikohen. Agjencia e lajmeve HRANA, me seli në Shtetet e Bashkuara ka thënë se gati 1.100 civilë, përfshirë 181 fëmijë, janë vrarë në sulme.
Sirena nëpër Izrael
Ndërkohë në Izrael, sirenat ajrore janë dëgjuar gjatë gjithë natës, teksa ushtria izraelite ka bërë përpjekje që t’i ndalë sulmet iraniane.
Policia në Tel Aviv ka thënë se një grua është plagosur nga një predhë që ka rënë. Nuk ka raportime për viktima tjera izraelite.
Izraeli, po ashtu, i ka nisur sulmet kundër elementëve të Hezbollahut – aleatit të Iranit – në Bejrut, pasi krahu ushtarak i grupit ka gjuajtur raketa në veri të Izraelit.
Hezbollahu konsiderohet organizatë terroriste nga SHBA-ja.
Shpërthime të mëdha janë dëgjuar edhe në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, më 4 mars, teksa Izraeli dhe Hezbollahu kanë quajtur njëri-tjetrin me raketa, duke raportuar për vrasjen e dhjetëra njerëzve.
Kombet e Bashkuara kanë thënë se mbi 30.000 njerëz janë zhvendosur në Liban.
Hakmarrja iraniane
Irani nuk është duke hequr dorë nga sulmet hakmarrëse me raketa dhe dronë, ndonëse jo në intensitetin e sulmeve amerikano-izraelite.
Qendrat diplomatike amerikane – ambasadat dhe konsullatat – në Lindje të Mesme është raportuar të jenë sulmuar me dronë, duke shkaktuar dëme të vogla, por jo viktima.
Irani i ka lëshuar qindra dronë dhe raketa drejt bazave ushtarake amerikane, si dhe qendrave komerciale dhe të energjisë në Arabinë Saudike, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajt, Bahrejn dhe Katar – të gjithë aleatë amerikanë – prej 28 shkurtit.
Zyrtarët në Katar kanë thënë se një raketë balistike iraniane e ka goditur bazën e ushtrisë amerikane në Al-Udeid më 3 mars, por nuk ka viktima.
Ambasada amerikane në Riad është goditur nga dy dronë, duke shkaktuar “zjarr” por dëmet janë të vogla, ka thënë Ministria saudite e Mbrojtje, teksa tensionet sa shkojnë e përshkallëzohen në Lindje të Mesme.
Bashkëpunim me kurdët?
Përtej këtyre zhvillimeve, partia kurde në pushtet në Irak ka thënë se liderët e saj kanë biseduar me Trumpin për hapat e ardhshëm në luftë kundër Iranit fqinj.
Shtëpia e Bardhë nuk i ka konfirmuar raportimet, mirëpo ka thënë se “presidenti Trump ka folur me disa parterë rajonalë”.
Unioni Patriotik i Kurdistanit (PUK) ka thënë se Trump e ka kontaktuar kreun e partisë, Bafel Talabani për t’i diskutuar veprimet amerikane në Iranin fqinj. Mediat amerikane kanë raportuar se Trump ka biseduar edhe me liderin kurd të Irakut, Masoud Barzani një ditë pas nisjes së sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit në Iran.
Këto raportime vijnë në kohën kur e përditshmja amerikane Wall Street Journal ka shkruar se Trump është duke e konsideruar ofrimin e mbështetjes për fraksione kurde të Irakut në luftën kundër udhëheqësisë iraniane.
Kurdët irakianë janë një forcë e madhe në kufi me Iranin dhe kanë lidhje me minoritetin kurd në Iran. Kurdët etnikë kërkojnë me dekada shtet të pavarur dhe e akuzojnë Teheranin për shtypje të minoritetit kurd.