Ndërlidhjet

Strategjia e luftës së Iranit: Ta rrisë koston e konfliktit për ta arritur një armëpushim përfundimtar

Shoferët kalojnë pranë një reje tymi që ngrihet nga një sulm iranian i raportuar në zonën industriale të Dohas, Katar, më 1 mars.
Shoferët kalojnë pranë një reje tymi që ngrihet nga një sulm iranian i raportuar në zonën industriale të Dohas, Katar, më 1 mars.

Derisa Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po luftojnë kundër Iranit, Teherani është duke e zgjeruar konfliktin dhe duke e rritur koston për Uashingtonin, në mënyrë që ta arrijë një armëpushim përfundimtar, thonë ekspertët.

Irani i ka lëshuar mijëra raketa dhe dronë duke shënjestruar bazat ushtarake amerikane, si dhe infrastrukturën energjetike dhe zonat komerciale vendet aleate të SHBA-së, si Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajt, Bahrejn dhe Katar, që nga 28 shkurti.

“Synimi është që të rritet kostoja për Shtetet e Bashkuara, drejtpërdrejt dhe tërthorazi, për ta bindur Uashingtonin se nuk mund të fitojë në këtë luftë”, i tha Radios Evropa e Lirë (REL) Hamidreza Azizi, bashkëpunëtor në Institutin gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.

“Teherani dëshiron të vërtetojë se kjo është luftë që Shtetet e Bashkuara nuk mund ta fitojnë, dhe, prandaj, duhet t'i japë fund sa më shpejt që të jetë e mundur", shtoi ai.

Prej sinjalizimit te mbijetesa

Irani i ka shënjestruar bazat ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe interesat komerciale në rajon edhe gjatë periudhës së më hershme të konfliktit – përfshirë në luftën 12-ditëshe të Teheranit me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara në qershor të vitit 2025 – por këto veprime ishin kryesisht simbolike dhe të kryera shkëlqyeshëm.

Gjendja e ushtrisë së Iranit tani, thonë ekspertët, është krejtësisht ndryshe pasi udhëheqësi suprem, ajatollah Ali Khamenei, dhe disa zyrtarë të rëndësishëm të sigurisë, u vranë nga sulmet ajrore më 28 shkurt.

“Irani duket se është duke vënë bast në ndjeshmërinë e administratës amerikane dhe të gjithë aleatëve të saj mbarëbotëror, për t’i rritur çmimet e energjisë”, tha Azizi.

“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me trysni rajonale. Ka të bëjë me shtimin e barrës në një treg global tashmë të brishtë që është ende i tronditur nga pasojat e luftës në Ukrainë”, shtoi ai.

“Rreth një e pesta e furnizimit të botës me naftë rrjedh përgjatë Ngushticës së Hormuzit, një rrugë e ngushtë ujore që lidh Gjirin Persik me oqeanin e hapur. Irani më herët ka parashikuar mbylljen e rrugës, një veprim që mund t’i prish rrjedhat botërore të naftës”, sipas tij.

Duke folur për televizionin Al Jazeera, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, bëri të ditur se fqinjët arabë të shtetit “nuk ishin të lumtur” me Iranin, por kërkoi nga ata që “ta kuptojnë” se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli e filluan luftën.

“Ata (shtetet e Gjirit) nuk duhet të na bëjnë trysni neve që të ndalim këtë luftë. Ata duhet të bëjnë trysni në anën tjetër”, tha ai.

Ngopje dhe kërcënime

Në terren, e vërteta ushtarake është një prej atyre lodhjeve rraskapitëse.

Farzin Nadimi, ekspert i mbrojtjes në Institutin Uashington, theksoi se Irani ka mësuar nga dështimet e kaluara, duke vendosur asetet e saj më të avancuara, sikurse raketat balistike Fattah-1 dhe Kheibar Shekan, për të mposhtur mbrojtjet ajrore të prodhuara në Perëndim e të vendosura nga aleatët e SHBA-së në rajon.

“Synimi është që të sigurohet se sistemet e mbrojtjes ajrore dhe popullsia civile në strehimore janë nën presion të vazhdueshëm”, i tha Nadimi Radios Fardaa të REL-it.

Ai theksoi se Irani pati një ritëm të qëndrueshëm duke qëlluar përafërsisht 25 raketa balistike në orë, një ritëm i projektuar për t’i shteruar rezervat e interceptorëve.

Brenda disa ditësh, dronët dhe raketat iraniane kanë goditur një ndërmarrje të madhe gazi në Katar, një rafineri nafte në Arabinë Saudite, një bazë amerikane në Kuvajt dhe një aeroport të madh në Emiratet e Bashkuara Arabe, përveç caqeve të tjera.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, në anën e tyre, janë përgjigjur me një vendosmëri të madhe.

“Cisternat e forcës ajrore amerikane janë duke ofruar përkrahjen e nevojshme që t`ia mundësojnë avionëve të Izraelit të qëndrojnë mbi zonat e tyre të synuara (në Iran) për periudha më të gjata”, shtoi Nadimi. “Nëse ata mund t`i mbajnë këta avionë në qiell me municione më të mëdha, ata mund t`i nxjerrin përgjithmonë nga qarkullimi raketahedhësit iranianë”.

“Mbijetesa në rrezik”

Për Uashingtonin, sfida është nëse forca e fushatës së saj ajrore mund ta thyejë Teheranin para se pasojat ekonomike ta thyejnë vendosmërinë e aleatëve të tij.

Kryeqytetet e Gjirit, dikur mbështetës të zëshëm të frenimit të Iranit, thuhet se po bëhen gjithnjë e më të kujdesshme, derisa sistemet e tyre mbrojtëse Patriot dhe Aegis, të ofruara nga SHBA-ja, po mbingarkohen.

Nadimi paralajmëroi se "verbimi i njërit prej këtyre 'syve' [radarëve] mund të ndikojë në performancen e të gjithë rrjetit mbrojtës nga raketat në rajon".

Në fund të fundit, konflikti ka shkuar përtej analizës tradicionale të kostos dhe përfitimit.

"Kur regjimet e shohin se mbijetesa e tyre është në rrezik, ato mund të përdorin masa ekstreme që nuk përputhen plotësisht me llogaritjet racionale", theksoi Azizi. "Në situata ekzistenciale, shumica e gjykimeve të tjera bien. Vendimmarrja përqendrohet në mbijetesë, dhe kjo është korniza përmes së cilës duhet të kuptohet kjo luftë rraskapitëse".

Përgatiti: Valbona Bytyqi
XS
SM
MD
LG