Të dashur lexues, këtu e mbyllim për sonte mbulimin direkt të zhvillimeve në Lindjen e Mesme. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjen e ngjarjeve më 1 mars:
- Pas vdekjes së liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, më 28 shkurt, Izraeli dhe SHBA-ja vazhduan të qëllonin objektiva në Iran, në ditën e dytë të operacionit të madh të përbashkët.
- Teherani nisi sulme hakmarrëse ndaj objektivave në shumë vende të Lindjes së Mesme, ku SHBA-ja ka baza ushtarake.
- Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se 48 udhëheqës iranianë janë vrarë në sulme dhe se operacioni mund të zgjasë deri në katër javë.
- Tre ushtarë amerikanë u vranë në operacion, ndërsa pesë të tjerë u plagosën rëndë, njoftoi Komanda Qendrore e SHBA-së.
- Operacionet luftarake po vazhdojnë me “forcë të plotë” dhe do të vazhdojnë “derisa të arrihen të gjitha objektivat tona”, tha presidenti amerikan.
- Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania thanë se janë gati të ndërmarrin hapa për të mbrojtur interesat e tyre dhe të aleatëve në rajon.
- Dhjetëra cisterna nafte ndaluan lundrimin në ujërat e Gjirit Persik, sipas raporteve.
Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania - gati "të ndërmarrin hapa për të mbrojtur interesat tona" në rajon
Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania lëshuan një deklaratë të përbashkët, duke dënuar Iranin për sulmet "pa dallim dhe joproporcionale me raketa" ndaj fqinjëve të tij.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Friedrich Merz, i bënë thirrje Teheranit t'i ndërpresë sulmet, ndërsa thanë se janë të përgatitur të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të mbrojtur interesat e tyre në Lindjen e Mesme.
"Ne do të ndërmarrim hapa për të mbrojtur interesat tona dhe ato të aleatëve tanë në rajon, potencialisht duke mundësuar veprime mbrojtëse - të nevojshme dhe proporcionale - për të shkatërruar aftësitë e Iranit për të lëshuar raketa dhe dronë", thanë ata.
Mbi 1.000 objektiva iraniane të goditura në 24 orët e para të operacionit
Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara - Centcom tha se mbi 1.000 objektiva iraniane janë goditur në 24 orët e para të operacionit Tërbimi Epik në Iran.
Ajo përmendi asetet ushtarake amerikane të përdorura në operacion, të cilat përfshinin bombardues të fshehtë, dronë, avionë luftarakë dhe sisteme antiraketore.
Ajo, gjithashtu, renditi objektivat iraniane, të cilat përfshinin qendra komande dhe kontrolli, lokacione raketash balistike dhe selinë e përbashkët të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit.
Trump, popullit iranian: Shfrytëzojeni këtë mundësi dhe rimerrni vendin tuaj
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, iu drejtua popullit të Iranit duke thënë: “Amerika është me ju”.
Trump u bëri thirrje iranianëve ta “shfrytëzojnë këtë mundësi dhe ta rimarrin vendin e tyre”.
Ai e inkurajoi popullin iranian të “ngrihet dhe të rrëzojë Republikën Islamike” - një ditë pas vrasjes së liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, dhe disa komandantëve të lartë ushtarakë.
“Flas për të gjithë iranianët patriotë që ëndërrojnë për liri - ju bëj thirrje ta shfrytëzoni këtë mundësi për të qenë të guximshëm, të qëndrueshëm dhe heroikë, dhe të rimerrni vendin tuaj. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë me ju”, tha Trump.