Irani ka kritikuar vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump për të emëruar ish-ambasadorin në OKB, John Bolton në postin e këshilltarit për siguri kombëtare, përderisa një zyrtar ka thënë se ky emërim është “i turpshëm” dhe është shenjë se Uashingtoni dëshiron që të rrëzojë Qeverinë në Teheran.
Një zëdhënës i Boltonit i ka quajtur këto deklarata si “propagandë”.
Ali Shamkhani, sekretar i Iranit në Këshillin për Siguri Kombëtare, ka bërë një referencë se Bolton ka marrë pjesë në një takim të grupir opozitar iranian më 2017, grupit Muxhahedinët e Popullit iranian (MEK). Ky grup është në ekzil dhe mbështetë rrëzimin e udhëheqësisë së Iranit.
Agjencia e lajmeve Fars ka cituar Shamkhanin të ketë thënë më 25 mars se për “për një superfuqi, është e turpshme që këshilltari për siguri kombëtare merr pagë nga grupe terroriste”. Megjithatë, ai nuk ka ofruar asnjë dëshmi për pretendimet e tij dhe MEK ka mohuar se ka financuar Boltonin apo ndonjë zyrtar tjetër amerikan.
Gjithashtu, Hossein Naghani Hosseini, zëdhënës në komitetit parlamentar për siguri kombëtare dhe politikë të jashtme, i ka thënë agjencisë ISNA se emërimi i Boltonit, si dhe i ish-shefit të CIA-s, Mike Pompeo në postin e Sekretarit të Shtetit, “dëshmon se qëllimi final i SHBA-së është që të rrëzojë Qeverinë iraniane”.
Ai ka pretenduar se SHBA-ja do të përdorë grupin MEK për të tentuar që të rrëzojë nga pushteti lidershipin teokratik në Teheran. Megjithatë, edhe ai nuk ka ofruar asnjë dëshmi për pretendimet e tij.
Zëdhënësi i Bolton, Garret Marquis, ka thënë se Bolton “nuk i përgjigjet propagandës që vjen nga një Qeveri që për një kohë të gjatë është në listën e SHBA-së për shtetet që sponzorisojnë terrorizmin”.
Në Paris, zëdhënësi i MEK-ut,Shahin Ghobadi ka thënë se pretendimet se grupi i tij “ka financuar ambasadorin Bolton apo ndonjë zyrtar tjetër amerikan, janë thjesht gënjeshtra dhe shaka”.
Bolton në të kaluarën ka avokuar për ndryshim të regjimit në Iran dhe ka kundërshtuar ashpër marrëveshjen bërthamore me Iranin, përmes së cilës, Teheranit i lehtësohen sanksionet, në këmbim të kufizimit të programit bërthamor.
Në fjalimin e tij në korrik në mbledhjen e MEK-ut, Bolton kishte shprehur shpresën e tij se Qeveria e Iranit do të rrëzohej “më 2019”.
Presidenti Trump ka njoftuar më 22 mars se Bolton do të emërohet këshilltar për siguri kombëtare në vend të H.R. McMaster.
Your browser doesn’t support HTML5
Bolton, 69-vjeç, ka qenë kritikues i madh i politikave të jashtme të Partisë Republikane. Ai ka avokuar për sulme ushtarake parandaluese kundrejt Koresë së Veriut dhe sulme në Iran.
Ai ka shërbyer në administratën e Ronald Reagan, George Bush dhe George W.Bush.
Qëndrimet e tij mbi marrëveshjen e Iranit duket se janë në një linjë me ato të Trumpit, i cili është kritikues i madh i marrëveshjes.
Trump vazhdimisht ka thënë se marrëveshja bërthamore e arritur më 2015 është e keqe dhe ka kërkuar që ajo të “rregullohet” deri më 12 maj, në të kundërtën, Uashigtoni do të tërhiqet nga ky pakt.