Ukraina: Shpërthimi në Kiev u shkaktua nga një raketë e rrëzuar ruse

Stacioni Qendror Hekurudhor në Kiev. 27 shkurt, 2022.

Një shpërthim në afërsi të stacionit qendror hekurudhor të Kievit, që ndodhi më herët gjatë të mërkurës, është shkaktuar nga mbetjet e një rakete të rrëzuar nga forcat ajrore të Ukrainës, tha një këshilltar i Ministrisë së Brendshme të Ukrainës.

Anton Herashchenko postoi në Facebook se mbetjet e raketës së rrëzuar goditën një tubacion të ngrohjes, duke shkaktuar shpërthim.

Por, ai tha se nëse raketa do të kishte goditur qendrën e Kievit, numri i viktimave dhe i dëmeve do të kishte qenë i tmerrshëm.

Megjithatë, Herashchenko nuk bëri të ditur nëse nga ky shpërthim ka të lënduar.

Zyrtarët ukrainas më herët thanë se vendi ku ka ndodhur shpërthimi gjendet ndërmjet stacionit hekurudhor jugor dhe hotelit Ibis, në zonën pranë Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës.

Stacioni hekurudhor jugor është një prej dy stacioneve që përdoren nga pasagjerët dhe mijëra persona i kanë përdorur stacionet hekurudhore për t’u strehuar pas shpërthimit të luftës më 24 shkurt.

Dy stacionet janë të lidhura përmes një korridori që kalon përmes dhjetëra binarve.

Stacionet gjenden rreth 3 kilometra larg nga Sheshi Maidan, që më 2014 ishte skenë e protestave të mëdha.

Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.