Në disa pjesë të Azisë Qendrore, mijëra vajza zhduken para se të marrin frymë për herë të parë.
Të pajisura me ekografi, analiza gjaku dhe tradita patriarkale shekullore, familjet në gjithë rajonin po vendosin në heshtje se cilët fëmijë meritojnë të lindin dhe cilët jo.
Synimi janë vajzat e palindura.
Në Uzbekistan dhe Taxhikistan, baraspesha natyrore midis lindjeve të djemve dhe vajzave është shtrembëruar prej vitesh. Në disa zona, lindin deri në 110 djem për çdo 100 vajza - një dallim që ekspertët thonë se nuk mund të ndodhë natyrshëm.
Pas këtyre shifrave fshihet një sistem i padukshëm abortesh selektive sipas gjinisë, shpesh i nxitur nga trysnia e burrave, vjehrrave dhe pritshmërive kulturore se një djalë është thelbësor për statusin, trashëgiminë dhe mbijetesën e familjes.
SHIKONI EDHE:
“Si të bëj djalë?”: Tregu i këshillave, miteve dhe boshllëqeve ligjore në KosovëNafisa, 50 vjeçe nga Tashkenti, e quan abortin që kreu një nga vendimet më të vështira të jetës së saj. Në atë kohë, ajo dhe bashkëshorti i saj kishin tashmë dy vajza. Kur mjekët i thanë se po priste edhe një vajzë tjetër, ajo e ndërpreu shtatzëninë.
“Burri im i adhuronte vajzat tona dhe gjithmonë i llastonte. Por, në të njëjtën kohë, ai kurrë nuk e fshehu faktin se dëshironte edhe një djalë”, tha Nafisa për Azattyq Asia, njësia në gjuhën ruse e Radios Evropa e Lirë (REL) që mbulon Azinë Qendrore.
“Doja të sillja në jetë fëmijën e tretë dhe pastaj të mos bëja më fëmijë. Nëse do të kisha lindur një vajzë atëherë, do të më duhej të mendoja për një shtatzëni të katërt, sepse edhe unë doja një djalë. Vendosa që trupi im nuk do ta përballonte një barrë të tillë. Kam shëndet të dobët. Prandaj e ndërpreva shtatzëninë e tretë”, shpjegoi ajo.
Dy vjet më vonë, Nafisa mbeti sërish shtatzënë.
“Në ekografinë e javës së 12-të, mjeku tha se kishte shumë gjasa të ishte djalë”, tha ajo. “E vazhdova shtatzëninë pavarësisht problemeve shëndetësore dhe vërtet lindi një djalë”.
Burri me 8 vajza
Për gra të tjera, kjo trysni i shkatërron familjet.
Guli, një grua 35-vjeçare nga Ferhana në jug të Uzbekistanit, thotë se familja e burrit të saj kërkonte hapur djalë gjatë secilës shtatzëni të saj. Kur mjekët zbuluan se fëmija i saj i katërt do të ishte përsëri vajzë, të afërmit e shtynë të abortonte. Ajo nuk pranoi.
“Në fillim mendova se burri im po bënte shaka”, tha Guli për REL-in. “Por, vjehrra ime përsëriste vazhdimisht se ishte faji im që vazhdonim të kishim vajza”.
Pas lindjes së vajzës së katërt, trysnia u përshkallëzua.
“Ajo më në fund e bindi djalin e saj ta merrte një grua tjetër, duke besuar se ajo do t’ia lindte djalin e shumëpritur”, thotë Guli, duke shtuar se burri i saj e mori një grua të dytë, siç i kishte këshilluar e ëma.
“Por, edhe ajo solli në jetë katër vajza. Tani burri im ka gjithsej tetë vajza”, tregoi ajo.
Histori si të tyre përsëriten në gjithë rajonin.
Si në Taxhikistan ashtu edhe në Uzbekistan, aborti me kërkesë të gruas lejohet deri në javën e 12-të të shtatzënisë. Në faza më të vona, procedura lejohet vetëm për arsye mjekësore ose sociale.
Por, aktivistët dhe psikologët thonë se ligji shpesh anashkalohet.
“Di raste kur gratë janë detyruar të ndërpresin shtatzëninë edhe në javën e 21-të, vetëm sepse prisnin vajzë”, tha Muazzam Ibrakhimova, psikologe në organizatën joqeveritare Mehrjon me bazë në Ferhana, e cila merret me mbrojtjen e nënave dhe fëmijëve.
Dilmurad Irgashev, drejtues i Shoqatës së Specialistëve të Riprodhimit në Uzbekistan, thotë se problemi është thellësisht i rrënjosur në kulturë dhe pritshmëritë patriarkale.
“Në këndvështrimin e tyre, djali supozohet të mbetet në familje dhe fëmijët e tij, nipërit dhe mbesat, konsiderohen ‘të tyret’”, tha Irgashev për REL-in. “Ata mendojnë: ‘Do ta martojmë vajzën dhe ajo do të shkojë në një familje tjetër’”.
142 milionë vajza të zhdukura
Pasojat tashmë shtrihen shumë përtej familjeve individuale.
Sipas të dhënave të publikuara nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë në vitin 2023, rreth 142 milionë vajza “mungojnë” në mbarë botën si rezultat i “preferencës për djemtë, refuzimit të vajzave dhe përzgjedhjes së gjinisë”.
Kombet e Bashkuara u kanë bërë thirrje qeverive jo vetëm t’i ndalojnë teknologjitë që përdoren për të ndihmuar përzgjedhjen e gjinisë nga prindërit, por edhe ta luftojnë presionin psikologjik dhe detyrimin familjar që i shtyn gratë drejt aborteve që ato mund të mos i zgjedhin lirshëm.
Një raport i vitit 2026 nga Instituti Max Planck përshkruan një valë në rritje të “beqarisë mashkullore” në Azi, ndërsa burrat e lindur gjatë viteve kulmore të abortit selektiv sipas gjinisë arrijnë moshën madhore dhe hasin në vështirësi për të gjetur partnere.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo mund të nxisë rritjen e paqëndrueshmërisë sociale, trafikimit, martesave të detyruara dhe dhunës së shtuar ndaj grave në shoqëritë ku numri i grave po zvogëlohet si pjesë e popullsisë.
SHIKONI EDHE:
"Të varrosur si qen": Në Çeçeni, shtypja nuk përfundon me vdekjen“Ky çekuilibër do t’i godasë më rëndë burrat e varfër”, tha Gulnora Beknazarova, drejtoreshë e Qendrës “Zerkalo” për Kërkime Sociologjike në Dushanbe, firma më e njohur e pavarur kërkimore në Taxhikistan.
“Dhe gratë do të përballen me edhe më shumë presion sepse bëhen burim i kufizuar”, theksoi ajo.
Megjithatë, edhe sot, në shumë familje, fiksimi për djemtë mbetet thellësisht i rrënjosur.
Në gjithë Azinë Qendrore, gjurmët e kësaj dëshire mund të shihen në traditat e vjetra.
Në Taxhikistan, vajzave të padëshiruara dikur u viheshin emra që nënkuptonin “Mjaft,” “E Fundit,” ose “Jo Më Vajza.” Në Uzbekistan, disa prindër ende ua vënë vajzave emrin Ugiloy - që do të thotë “Hënë-Djalë” - me shpresën se duke përfshirë fjalën “djalë” në emrin e vajzës, fëmija tjetër më në fund do të jetë mashkull.
Mjekët thonë se biologjia nuk i ka mbështetur kurrë këto mite.
“Gjinia e fëmijës varet nga babai, jo nga nëna”, shpjegoi gjenetistja Farangis Mamadbokirova, bashkëthemeluese e qendrës së gjenetikës mjekësore Vita në Dushanbe. “Por, shoqëria vazhdon t’i fajësojë gratë”.
Qeveria e Tashkentit po përpiqet t’i luftojë abortet selektive sipas gjinisë duke përfshirë liderët fetarë në fushata ndërgjegjësimi publik.
Specialisti i riprodhimit, Dilmurad Irgashev, vetë baba i dy vajzave, tha se ndonjëherë i drejtohet fesë kur përpiqet t’i bindë çiftet të mos marrin vendime të tilla në një shoqëri kryesisht myslimane.
“Kur njerëzit duan të abortojnë ose kanë kaluar IVF dhe janë të pakënaqur sepse rezultati ishte vajzë, prindërit vijnë dhe thonë se nuk e duan këtë fëmijë”, thotë ai. “Unë filloj t’ua shpjegoj nga këndvështrimi fetar se në Islam, rritja e vajzave konsiderohet një bekim i madh, shpërblimi për të cilin është parajsa… Dhe gjithmonë u them baballarëve: ‘Ju patjetër keni nevojë për një vajzë’”.