Vjeshtën e vitit 2022, Seda Suleimanova u largua nga Çeçenia për në Shën Petersburg për të shmangur një martesë me mblesëri, siç ishin martuar edhe motrat e saj. Ai u kthye me forcë në gusht të vitit 2023 dhe më pas u zhduk.
Një grup për të drejtat e njeriut që i ndihmoi të ikte nga Çeçenia beson se ajo u vra nëntorin e atij viti dhe u varros “si qen” përgjatë një rruge në fshatin e saj të lindjes, Alkan-Jurt.
Një fat i tillë nuk është i pazakontë: e njohur për shkelje të gjera të të drejtave të njeriut nën udhëheqësin e mbështetur nga Kremlini, Ramzan Kadyrov, Çeçenia ka përjetuar një rritje të “shtypjes funerale” ose poshtërimit pas vdekjes, thonë aktivistët.
Autoritetet përdorin mohimin e riteve tradicionale të varrimit për të shënjestruar, edhe pas vdekjes, ata që sfidojnë pushtetin ose devijojnë nga normat e rrepta shoqërore të imponuara nga lart në këtë rajon thellësisht konservator, me shumicë myslimane. Gratë që largohen nga familjet dhe pjesëtarët e komunitetit LGBT duket se janë në rrezik më të madh.
Pasi Suleimanova u largua nga Çeçenia, ajo jetoi në Shën Petersburg dhe gjeti punë si bariste. Por, ajo nuk ishte e sigurt në këtë vend.
Vëllai i saj e gjeti në shkurt të vitit 2023. Pamjet nga kamerat e sigurisë në vendin e saj të punës e shfaqën atë duke e rrahur të motrën për shkak se ajo kishte “turpëruar” familjen dhe kërkoi që ta dinte adresën e saj të banimit.
Suleimanova arriti të ikte nga një derë e pasme lokalit ku punonte, por policia shkoi në banesën ku po jetonte me partnerin e saj, Stanislav Kudryavtsev, në gusht të vitit 2023, duke i ndaluar që të dy dhe duke i thënë asaj se dyshohej se kishte vjedhur bizhuteri në Çeçeni. Më pas, ajo u dërgua në Çeçeni.
Kudryavtsev, i cili u konvertua në fenë islame me shpresën që të martohej me të, nuk arriti që ta gjente Suleimanovan.
Në shtator të vitit 2023, autoritetet çeçene publikuan një video që shfaqte Suleimanovan, që dukej e frikësuar, së bashku me Avokatin rajonal të Popullit, i cili tha se ajo ishte e lumtur që është pranë familjes dhe nuk kishte ankesa. Ajo nuk foli në këtë video dhe nuk u publikuan të dhëna për vendndodhjen e saj. Suleimanova më nuk u pa në publik.
“Jam shumë i sigurt se ajo ka vdekur”, tha për kanalin në gjuhën ruse Dozhd më 2025, Aleksandra Miroshnikova. Ajo është zëdhënëse e Grupit të Krizave SK SOS që ndihmon pjesëtarët e komunitetit LGBT dhe grupet e tjera të cenueshme që të largohen nga dhuna dhe shtypja në Çeçeni.
“Nuk shoh asnjë skenar në të cilin ajo mund të jetë gjallë”, shtoi Miroshnikova.
Edhe rastet e tjera janë të ngjashme.
Zelimkhan Bakayev, këngëtari që u zhduk pasi udhëtoi për në kryeqytetin çeçen, Grozni, për dasmën e motrës së saj më 2017, u vra për shkak të orientimit të tij seksual dhe iu mohua që të varrosej me tradita islame, sipas Grupit të Krizave SK SOS.
Sipas kësaj organizate, familja e tij u urdhërua që ta varroste pa rite formale. Po ashtu, sipas organizatës, ai u torturua para se të vritej dhe trupi më pas iu dorëzua familjarëve.
“Mohimi i dinjitetit”
Aishat Baimuradova, 23-vjeçare u largua nga dhuna në familje – nga babai i saj dhe bashkëshorti i saj me të cilin u martua me mblesëri – sipas aktivistëve për të drejtat e njeriut, dhe më vonë kritikoi online autoritetet çeçene.
Ajo u gjet e vdekur në një banesë me qira në Armeni tetorin e vitit të kaluar pasi u takua me dikë që raportohet se ishte i lidhur me zyrtarët çeçenë. Familja e saj refuzoi që ta merrte trupin e pajetë, që qëndroi në morg për pesë muaj dhe më pas u varros në Armeni.
“Edhe pas vdekjes, ata përballen me të njëjtin kontroll dhe paragjykim”, tha Fatima Gaziyeva, aktiviste për të drejtat e njeriut në organizatën Paqe për Gratë në mbarë Botën, organizatë me seli në Zvicër.
“Atyre u mohohet dinjiteti”.
“Spastrimi i homoseksualëve” nga Kadyrovi
Lezbiket, gejët dhe pjesëtarët e tjerë të komunitetit LGBT janë përballur me diskriminim, shtypje dhe abuzim nën udhëheqjen e Kadyrovit, i cili u vendos lider i Çeçenisë më 2007 nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Pothuajse një dekadë më parë, autoritetet rajonale intensifikuan një fushatë kundër komunitetit LGBT, thanë aktivistët – një shtypje e dhunshme që njihet si “Spastrimi i homoseksualëve” të Çeçenisë.
Në një intervistë për HBO më 2017, Kadyrov mohoi se ekziston një fushatë kundër komunitetit LGBT, duke pretenduar në mënyrë të rremë se në Çeçeni nuk ka homoseksualë, e duke shtuar: “Për të pastruar gjakun tonë, nëse ka ndonjë këtu, largoni”.
Grupet për të drejtat e njeriut po ashtu thonë se ka politika jashtëzakonisht të ashpra për gratë. Në fund të vitit 2025, Qeveria çeçene duket se intensifikoi “fushatën e saj të virtytit”, duke ua ndaluar grave që të shfaqen në publik pa shami të kokës dhe duke ua ndaluar që të veshin rroba që kanë “elemente mashkullore”.
Me zyrtarët që kanë përmendur ruajtjen e traditës, kritikët argumentojnë se këto masa në thelb kanë të bëjnë me kontrollin shtetëror.
Një numër i grave që kanë tentuar të largohen nga dhuna në familje janë gjurmuar dhe janë kthyer me forcë në Çeçeni, dhe në disa raste janë zhdukur, janë plagosur apo kanë vdekur.
Frika dhe familjet
Analistët thonë se kur shteti shënjestron njerëzit për identitetin e tyre seksual, disidencën politike apo arsye të tjera, familjet shpesh janë shumë të tmerruara për të mbrojtur fëmijët e tyre, duke pasur frikë nga ndëshkimi kolektiv.
Tani, kjo shtypje ka shkuar përtej vdekjes. Përderisa traditat islame përcakton tradita të qarta varrimi – përfshirë larjen e trupit dhe lutjet për funeral – aktivistët thonë se autoritetet lokale fetare, që janë të lidhura ngushtë me shtetin, gjithnjë e më shumë refuzojnë të kryejnë rite për ata që cilësohen si “jotradicionalë”.
“Kur familjet e këtyre njerëzve janë në pushtet, ato e keqpërdorin atë pushtet për të persekutuar gratë dhe për t’i ndëshkuar ato”, u shpreh analisti politik çeçen në mërgim, Ruslan Kutayev.
Institucioni fetar ofron pak mundësi të ankesës, i tha Radios Evropa e Lirë, analisti Ruslan Aysin. Autoritetet lokale fetare në Çeçeni, tha ai, funksionojnë sipas një sistemi të “kontrollit të dyfishtë”: myftitë kontrollojnë besimtarët, ndërkaq zyrtarët politikë dhe ata të sigurisë i kontrollojnë myftitë.
Kadyrov dhe rrethi i tij i ngushtë mbeten nën sanksione perëndimore për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut në Çeçeni dhe për shkak të mbështetjes së luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Sanksionet kanë shënjestruar Kadyrovin, familjen e tij dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë dhe masat përfshijnë ndalime të udhëtimeve dhe ngrirjen e aseteve në vlerë miliardëshe.
Kritikët e Kremlinit thonë se Vladimir Putin, i cili mbështetet te Kadyrovi për të mbajtur nën kontroll një rajon që ka qenë skenë e dy luftërave shkatërruese separatiste dhe një kryengritjeje të gjatë islamiste që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik më 1991, ka mbyllur sytë ndaj atyre që grupet e të drejtave të njeriut e përshkruajnë si abuzime të përhapura, një klimë dhune dhe pandëshkueshmërie, si dhe shkelje të ligjit federal dhe të Kushtetutës ruse.