Presidenti Donald Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara po “bisedojnë me njerëzit e duhur në Iran” lidhur me një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, ndërkohë që Teherani kreu sulme ndaj Izraelit dhe Kuvajtit dhe mediat amerikane raportuan se mijëra trupa shtesë mund të dërgohen në rajon.
Gazeta amerikane New York Times dhe televizioni izraelit Channel 12 raportuan se SHBA-ja ia ka dërguar Iranit një plan paqeje me 15 pika.
Ato cituan zyrtarë të paidentifikuar, ndërsa as administrata Trump e as Teherani nuk e kanë komentuar deri tani këtë plan.
Trumpi i bëri këto komente të martën vonë, një ditë pasi kishte thënë se ishin zhvilluar bisedime “shumë të mira dhe frytdhënëse”, pavarësisht se figura të larta iraniane e kanë mohuar se Teherani është në bisedime me Uashingtonin.
“Ne, në fakt, po flasim me njerëzit e duhur dhe ata duan shumë të bëjnë marrëveshje. Nuk ia keni idenë sa shumë duan të bëjnë marrëveshje”, tha Trump të martën në Shtëpinë e Bardhë.
“Ne jemi në bisedime tani,” shtoi ai.
SHIKONI EDHE: Pakistani vetofrohet si “mikpritës” i bisedimeve për t’i dhënë fund konfliktit me IraninPër herë të dytë brenda dy ditësh, ai tha se Irani është pajtuar se nuk do të zhvillojë kurrë armë bërthamore.
Programi bërthamor i Iranit, për të cilin Teherani këmbëngul se është thjesht paqësor, është në qendër të tensioneve ndërkombëtare lidhur me këtë vend të Lindjes së Mesme.
Trump tha se i dërguari amerikan, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, janë të përfshirë në bisedime, së bashku me nënpresidentin JD Vance dhe sekretarin e shtetit Marco Rubio.
Ai nuk dha afat kohor për ndonjë takim apo telefonatë.
Trump nuk përmendi e as nuk zbuloi ndonjë zyrtar me të cilin Shtetet e Bashkuara po bisedojnë.
Ai tha se “po merremi me një grup të ri njerëzish” pas vrasjes së liderit të kamotshëm suprem, Ali Khamenei, dhe shumë zyrtarëve të tjerë të lartë iranianë.
Trump tha se ky grup i kishte dhënë SHBA-së një “dhuratë shumë të madhe” që “mbërriti sot” dhe që lidhej me naftën dhe gazin. Ai nuk sqaroi se çfarë ishte, por sugjeroi se kishte lidhje me Ngushticën e Hormuzit, rrugën e rëndësishme detare për dërgesat e naftës dhe gazit nga Gjiri Persik drejt tregjeve globale.
SHIKONI EDHE: Irani heq kufizimin për raketat, Evropa në rrezikNew York Times, duke cituar dy zyrtarë të paidentifikuar, tha se është “e paqartë se sa gjerësisht është shpërndarë ndër zyrtarët iranianë” plani me 15 pika për zgjidhjen e konfliktit, i cili u dorëzua përmes Pakistanit.
Channel 12, që citoi tre burime, tha se SHBA-ja po kërkonte armëpushim njëmujor për ta diskutuar planin, i cili, ndër të tjera, përfshinte mbajtjen e Ngushticës së Hormuzit të hapur, çmontimin e programit bërthamor të Iranit, përfundimin e mbështetjes së tij për grupet e jashtme dhe heqjen e të gjitha sanksioneve ndaj Teheranit.
Shtyrja e afatit për Ngushticën e Hormuzit
Pavarësisht se Irani po i vazhdon sulmet ndaj Izraelit, vendeve të Gjirit Persik dhe shënjestrave amerikane në rajon, dhe njëkohësisht po e mban të bllokuar Ngushticën e Hormuzit, Trump tha se “kjo luftë është fituar” dhe se Irani është “plotësisht i mundur.”
Të hënën, Trump tha në një postim se Shtetet e Bashkuara dhe Irani kishin zhvilluar bisedime “shumë të mira dhe frytdhënëse” për t’i “zgjidhur plotësisht armiqësitë në Lindjen e Mesme”.
Ai tha se po shtynte me pesë ditë një afat që i kishte vendosur Iranit për të hapur Ngushticën e Hormuzit, ose përndryshe SHBA-ja do t’i shkatërronte centrale e tij energjetike.
SHIKONI EDHE: Raportohet se Trump po shqyrton angazhimin e trupave tokësore në Lindje të MesmeKryetari i Parlamentit të Iranit dhe zyrtarë të tjerë e kanë mohuar se ishin zhvilluar bisedime me SHBA-në, por raportet e mediave amerikane sugjeruan se kishte pasur të paktën kontakte fillestare mes palëve përmes ndërmjetësve.
Pas raportimeve se negociatat mund të zhvilloheshin në Pakistan këtë javë, kryeministri Shehbaz Sharif tha në një postim në rrjetet sociale të martën se vendi i tij “është i gatshëm dhe i nderuar të jetë mikpritës për të lehtësuar bisedime kuptimplota dhe përfundimtare për një zgjidhje gjithëpërfshirëse të konfliktit”.
Por lufta, e cila filloi me sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt, po vazhdon me pak shenja se do të ndalet. Mediat amerikane, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar, raportuan se SHBA-ja po planifikon të dërgojë mijëra ushtarë nga Divizioni elitë i 82-të Ajror në Lindjen e Mesme.
Wall Street Journal raportoi se Pentagoni po planifikon të dërgojë një njësi luftarake prej rreth 3.000 ushtarësh nga ky divizion në rajon. Ushtarët e kësaj njësie “stërviten për të zbarkuar me parashutë në territore armiqësore ose të kontestuara për të siguruar aeroporte dhe zona tokësore”, tha gazeta.
SHIKONI EDHE: Irani lëshon raketa drejt Izraelit dhe Kuvajtit, pavarësisht raportimeve për përpjekje diplomatikeIrani kreu sulme ndaj Kuvajtit dhe Izraelit të martën, ku zyrtarët thanë se të paktën gjashtë njerëz u plagosën në Tel Aviv nga mbetjet që ranë pasi raketat dhe dronët iranianë u rrëzuan në ajër.
Përparimi diplomatik, i paqartë
Ndërkohë, Financial Times raportoi se Irani u ka thënë shteteve anëtare të Organizatës Ndërkombëtare Detare se “anijet joarmiqësore” mund të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit nëse koordinohen me autoritetet iraniane.
Financial Times citoi një letër nga Ministria e Jashtme e Iranit, e cila ishte shpërndarë ndër anëtarët e IMO-së dhe që deklaronte se anijet e lidhura me SHBA-në, Izraelin dhe “pjesëmarrës të tjerë në agresion… nuk kualifikohen për kalim të pafajshëm ose joarmiqësor”.
Letra thoshte se Teherani kishte “marrë masa të nevojshme dhe proporcionale për të parandaluar agresorët dhe mbështetësit e tyre nga shfrytëzimi i Ngushticës së Hormuzit për të avancuar operacione armiqësore kundër Iranit”, sipas Financial Times.
Kenneth Pollack, ish-analist i Shtëpisë së Bardhë dhe CIA-s, tani në Institutin për Lindjen e Mesme (MEI), tha se ka pak prova që mbështesin pretendimet për përparim të afërt diplomatik, pavarësisht përpjekjeve të disa vendeve për të ndërmjetësuar bisedime.
“Siç e kuptoj unë, iranianët janë përgjigjur me kushte shumë të forta paraprake: që SHBA-ja të paguajë dëmshpërblime dhe t’i tërheqë të gjitha forcat nga rajoni, gjëra që janë të papranueshme për Trumpin”, tha Pollack për Radion Evropa e Lirë në Uashington më 23 mars.
“Deklaratat e Trumpit duket se kanë më shumë të bëjnë me qetësimin e tregjeve sesa me një përparim të vërtetë dhe të afërt”, theksoi ai.
Shpërthimi i konfliktit ka bërë që çmimet e naftës të rriten ndjeshëm, veçanërisht meqë transporti është ndalur pothuajse plotësisht në Ngushticën e Hormuzit, pikën kyç për transportin detar nëpër të cilën kalon rreth një të pestën e naftës dhe gazit botëror.
Konflikti ka tronditur tregjet e energjisë dhe ato financiare, ka rritur kostot e karburantit, ka nxitur frikë për inflacion global dhe ka destabilizuar Lindjen e Mesme dhe Perëndimin, duke shtuar shqetësimet se luftimet mund të përhapen dhe ta përfshijnë të gjithë rajonin.
Kërcënimi për sulme ndaj rrjeteve elektrike në Gjirin Persik ka ngjallur frikë për ndërprerje masive të desalinizimit të ujit të pijshëm dhe ka tronditur më tej tregjet e naftës.
Komentet e Trumpit për bisedimet ndihmuan që çmimi i naftës Brent të bjerë rreth 10 për qind të hënën, megjithëse sulmet në gjithë Lindjen e Mesme të martën e rritën sërish atë me rreth 3 për qind, në më shumë se 102.84 dollarë për fuçi.