Ndërlidhjet

Trump thotë se ka “mundësi serioze” për ujdi me Iranin, pasi i pezulloi sulmet ndaj caqeve energjetike

E përditësuar
Presidenti amerikan, Donald Trump.
Presidenti amerikan, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të hënën se ka “mundësi shumë serioze” për të arritur marrëveshje me Teheranin, pasi tregoi se SHBA-ja dhe Irani zhvilluan bisedime gjatë fundjavës, gjë që e shtyu atë t’i pezullojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike iraniane për pesë ditë.

Duke folur për gazetarët para se të hipte në avionin Air Force One më 23 mars, Trump tha se i dërguari special, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, janë përfshirë në bisedimet e nisura nga Irani.

Ai tha se bisedimet po zhvillohen me një lider “të lartë” iranian - por jo me udhëheqësin suprem Mojtaba Khamenei - dhe se në to janë arritur “pika të rëndësishme të marrëveshjes”.

Zyrtarët dhe mediat shtetërore të lidhura me Iranin e kanë mohuar menjëherë se po zhvillohen bisedime të tilla.

Agjencitë e lajmeve Tasnim dhe Fars, të dyja të afërta me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), cituan burime që thanë se “nuk po zhvillohen bisedime”, as drejtpërdrejt dhe as tërthorazi, midis Teheranit dhe Uashingtonit.

Ndërkohë, Omani po “punon shumë për të vendosur masa të sigurta kalimi për Ngushticën e Hormuzit”, tha ministri i Jashtëm i vendit, Badr al-Busaidi, në rrjetet sociale pak para se Trump të deklaronte se Shtetet e Bashkuara kishin zhvilluar “bisedime frytdhënëse” për t’i dhënë fund luftës.

“Bazuar në tonin dhe përmbajtjen e këtyre bisedimeve të thella, të detajuara dhe frytdhënëse, të cilat do të vazhdojnë gjatë gjithë javës, kam udhëzuar Departamentin e Luftës që ta shtyjë çdo sulm ushtarak ndaj centraleve dhe infrastrukturës energjetike iraniane për një periudhë pesëditore,” tha Trump në një postim në rrjetet sociale më 23 mars, duke shtuar se pezullimi varet nga suksesi i bisedimeve.

Nuk ka pasur njoftime paraprake se po zhvilloheshin bisedime midis Uashingtonit dhe Teheranit.

Ndërkohë, Izraeli - i cili tha menjëherë pas njoftimit të Trumpit se po kryente sulme ajrore në Iranin qendror - nuk ka komentuar publikisht.

“Ne kemi eliminuar fazën e parë të udhëheqjes, fazën e dytë dhe në masë të madhe fazën e tretë. Por, po merremi me njeriun që unë besoj se është më i respektuari dhe lideri”, tha Trump për gazetarët.

“Ne nuk duam pasurim [të uraniumit], por gjithashtu duam uranium të pasuruar”, shtoi ai.

Afati për Ngushticën e Hormuzit

Të shtunën, Trump e kishte paralajmëruar Iranin se centralet e tij elektrike do të shkatërroheshin nëse Teherani nuk do ta “hapte plotësisht” Ngushticën e Hormuzit për të gjithë transportin detar brenda 48 orësh.

Trump e caktoi afatin deri të hënën rreth mesnatës.

Paralajmërimi i tij nxiti kërcënime për kundërpërgjigje nga Garda Revolucionare e Iranit, e cila në një deklaratë të hënën tha se do t’i sulmonte centralet elektrike të Izraelit dhe ato që i furnizojnë bazat amerikane në rajonin e Gjirit, nëse Trump do ta zbatonte kërcënimin e tij për ta “shkatërruar plotësisht” rrjetin energjetik të Iranit.

Ndërsa, Mohammad Baqer Qalibaf, kryetar i Parlamentit iranian, paralajmëroi se “menjëherë pas shënjestrimit të centraleve elektrike dhe infrastrukturës në vendin tonë, infrastruktura jetike, si dhe infrastruktura energjetike dhe e naftës në të gjithë rajonin, do të konsiderohen objektiva legjitime dhe do të shkatërrohen në mënyrë përherë”.

Të paktën 175 njerëz të plagosur nga sulmet iraniane në Izrael

Të paktën 175 njerëz të plagosur nga sulmet iraniane në Izrael Të paktën 175 njerëz të plagosur nga sulmet iraniane në Izrael
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:01:26 0:00

Më shumë se 3.000 njerëz janë vrarë në luftën që SHBA-ja dhe Izraeli e nisën më 28 shkurt, sipas grupit iranian për të drejtat e njeriut, HRANA.

Lufta ka tronditur tregjet, ka rritur kostot e karburantit, ka nxitur frikë për inflacion global dhe ka lëkundur aleancën perëndimore të pasluftës.

Kërcënimi për sulme ndaj rrjeteve elektrike në Gjirin Persik ka rritur frikën për ndërprerje të mëdha në procesin e shkripëzimit të ujit për pije dhe ka trazuar edhe më shumë tregjet e naftës.

XS
SM
MD
LG