Vuçiq kërkon nga Sorenseni angazhim më aktiv të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi

Emisari evropian për dialogun, Peter Sorensen, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Beograd, 25 shkurt 2026.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se është takuar në Beograd me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, për vazhdimin e dialogut me një angazhim më aktiv të bllokut.

“Jam i bindur se është në interesin e të gjitha palëve të shmangen veprimet që do të çonin në përshkallëzim të mëtejmë dhe që, me ndërmjetësimin e BE-së, të këmbëngulet në zbatimin e plotë të obligimeve të marra dhe në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në terren”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram më 25 shkurt.

Vuçiq gjatë takimit me emisarin evropian përsëriti kritikat ndaj bashkëpunimit të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke theksuar se me këtë “rriten më shumë tensionet dhe rrezikohet siguria e popullit serb”.

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan në mars të vitit të kaluar një deklaratë në të cilën thuhet se tri shtetet do të bashkëpunojnë për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore, teksa Vuçiq e përshkroi këtë si një “aleancë ushtarake dhe sulmuese kundër serbëve dhe Serbisë”, gjë që u mohua nga Prishtina, Tirana dhe Zagrebi.

SHIKONI EDHE: NATO për paktin e mbrojtjes të Kosovës: Shqipëria dhe Kroacia kontribuojnë në stabilitetin rajonal

Vuçiq gjithashtu “shprehu shqetësim” lidhur me Ligjin për të huajt dhe atë për automjetet, zbatimi i plotë i të cilit në Kosovë pritet të nisë më 15 mars.

Zbatimi i plotë i Ligjit për të huajt mund të ndikojë në funksionimin e institucioneve shëndetësore dhe arsimore në Kosova që punojnë sipas sistemit serb, pasi personat që nuk posedojnë dokumente të Kosovës duhet të pajisen me leje pune ose licencë për ushtrimin e veprimtarisë, për të cilën kërkesa paraqitet në Agjencinë e Punësimit të Kosovës.

Bashkimi Evropian ka deklaruar më herët për Radio Evropa e Lirë se statusi i strukturave dhe shërbimeve shëndetësore dhe arsimore që mbështeten nga Serbia në Kosovë do të trajtohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në përputhje me marrëveshjet e arritura dhe ligjet në fuqi në Kosovë.

Para vizitës në Beograd, Peter Sorensen qëndroi në Prishtinë, ku pas takimeve me zyrtarë kosovarë deklaroi se fokusi i bisedimeve ishte në avancimin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosova, Albin Kurti, tha pas takimit se Kosova mbetet e përkushtuar për normalizim të raporteve me Serbinë, përmes njohjes reciproke.

Ndërkaq, kryediplomati i Kosovës, Glauk Konjufca, e ka njoftuar Sorensenin se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës do të udhëheqë procesin e dialogut për normalizim të raporteve me Serbinë, që ka nisur më 2011.

Megjithatë, MPJD-ja nuk tha saktësisht nëse Konjufca do të jetë në krye të këtij procesi.

Duke reaguar ndaj njoftimit të MPJD-së, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se “negociatori i Prishtinës në dialog, pavarësisht zgjedhjes kadrovike, është ekskluzivisht përfaqësues i institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë” – formulim që Beogradi, i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, përdor për institucionet e shtetit fqinj.

Ndërkaq, njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Artan Muhaxhiri, i tha Radios Evropa e Lirë se beson se marrja e udhëheqjes së dialogut nga MPJD-ja shënon një "momentum të ri", por paralajmëroi se çdo gjë në këtë proces do të varet nga "gatishmëria për të bërë kompromise dhe për të qenë realist".

Dialogu, tha ai, do të duhej të ishte projekti kryesor i Qeverisë së Kosovës në muajt e ardhshëm.

Viteve të fundit, Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar një sërë rundesh të dialogut në nivel kryenegociatorësh, por takime të nivelit të lartë politik nuk ka pasur që nga shtatori i vitit 2023.

Atëbotë, rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë u zhvillua pak ditë para sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, kur një grup i serbëve të armatosur vranë një polic të Kosovës. Kosova e fajëson Serbinë për këtë sulm, por Beogradi mohon se ka gisht në të.

Mbi një dekadë dialog, Kosova dhe Serbia kanë arritur një sërë marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar në terren.

Më 2023, palët arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, e njohur edhe si Marrëveshja e Ohrit, por BE-ja ka thënë se ajo ende nuk është zbatuar.

Ndonëse kjo marrëveshje nuk është nënshkruar, sipas bllokut evropian, ajo është e detyrueshme për të dyja palët.