Vuçiq thotë se zgjedhjet parlamentare në Serbi do të mbahen më 25 tetor

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi do të mbahen më 25 tetor, njoftoi të martën mbrëma presidenti i vendit, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq i tha Radio Televizionit të Serbisë se të mërkurën në mesditë do të nënshkruajë dekrete për shpërndarjen e Kuvendit dhe për shpalljen e zgjedhjeve si rrjedhojë.

Ai shprehu shpresën se pas zgjedhjeve, vendi do të dalë nga kriza.

Njoftimi i tij vjen pasi një ditë më parë, Qeveria e miratoi propozimin e kryeministrit Gjuro Macut për t'i dërguar letër presidentit për të shpërndarë Kuvendin, gjë që është e nevojshme për të shpallur zgjedhje të parakohshme.

SHIKONI EDHE:

Kryeministri i Serbisë i kërkon presidentit ta shpërndajë Parlamentin

Zgjedhje të parakohshme kërkojnë që nga maji i vitit 2025 studentët që mbajnë të bllokuara fakultetet dhe që për muaj me radhë kanë udhëhequr protesta kundër Qeverisë.

Në këto protesta është kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 16 njerëzve në një incident në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad në nëntor të vitit 2024.

Përfaqësuesit e pushtetit kanë paralajmëruar disa herë shpalljen e zgjedhjeve, ndërsa vetë Vuçiq ka deklaruar gjithashtu se do të tërhiqet nga posti i presidentit para përfundimit të mandatit të tij në prill të vitit 2027.

SHIKONI EDHE:

A do të bëhet Vuçiq sërish kryeministër i Serbisë?

Zgjedhjet e mëparshme parlamentare u mbajtën në dhjetor të vitit 2023.

Ato u përcollën me pretendime nga opozita, organizatat joqeveritare dhe vëzhguesit ndërkombëtarë për parregullsi serioze, presion ndaj votuesve, keqpërdorim të burimeve publike dhe përdorim të funksioneve publike për qëllime të fushatës.

Ndërsa pushteti pretendon se kushtet zgjedhore janë përmirësuar që atëherë në përputhje me rekomandimet e Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), disa organizata vendëse vlerësojnë se problemet kryesore nuk janë zgjidhur.