Ndërlidhjet

SËRISHT MBYLLET URA MBI IBËR


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Përfaqësues të UNMIK-ut dhe të Shërbimit Policor të Kosovës nuk kanë treguar se kur do të hapet sërish ura kryesore mbi lumin Ibër në qytetin e Mitrovicës, pasi është mbyllur mbrëmë pas një incidenti ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në afërsi të urës.

Zëvendësshefi i UNMIK-ut Steven Schook ka shkuar sot në Mitrovicë, për të takuar përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në Mitrovicë. Pas takimit me ta, zoti Schook tha se do të shihen mundësitë se kur do të hapet ura mbi Ibër:

"Pas takimeve që do të kem me të gjitha palët do të shoh bashkë me ekspertët e KFOR-it dhe të UNMIK-ut, për të gjetur mënyrën e duhur lidhur me urën, se kur do ta hapim dhe nëse do ta hapim," tha Steven Schook.

Përfaqësuesi i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës, Milan Ivanoviq, tha pas takimit se vetë zoti Schook e kishte marrë përgjegjësinë në rast të rihapjes eventuale të urës mbi lumin Ibër. Ai tha se u kishte sugjeruar përfaqësuesve të UNMIk-ut, KFOR-it dhe Shërbimit Policor të Kosovës që të mos e hapnin urën deri sa zgjasin bisedimet për statusin e Kosovës.

Ura kryesore mbi lumin Ibër që e ndan qytetin e Mitrovicës në pjesën jugore të mbizotëruar nga shqiptarët dhe në atë veriore të mbizotëruar nga serbët, është mbyllur pa e mbushur një ditë të plotë prej se qe hapur për të gjithë kalimtarët dhe veturat në mëngjesin e djeshëm. Sipas zyrtarëve, ura është mbyllur mbrëmë pas një incidenti që ka ndodhur rreth orës 22 në bregun verior të urës, me ç’ rast janë fjalosur disa shqiptarë dhe serbë. Incidenti ka ndodhur vetëm 15 orë pasi ishte hapur ura që ka qenë e mbyllur nga 26 gushti për shkak të një sulmi me bombë që pati ndodhur ne kafeterinë në pjesën veriore, me ç’rast qenë plagosur nëntë persona, kryesisht serbë.

Kalimi i urës sot u është lejuar vetëm automjeteve të UNMIK-ut, OSBE-së dhe KFOR-it, ndërsa zëdhënësi i policisë ndërkombëtare në Mitrovicë Larry Miller, tha se për shkak të incidentit të mbrëmshëm janë ndaluar tetë persona të moshës jomadhore, të cilët më pas janë liruar:

"Ne jemi duke bërë hetime për sulmin që ka ndodhur mbrëmë në orën 22.30. Personat e ndaluar të moshës jomadhore janë liruar, në pritje të rezultateve të hetimeve të mëtejshme," tha Larry Miller.

Kryetari i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës tha se përfaqësuesit e UNMIK-ut dhe të forcës paqeruajtëse duhet të bëjnë gjithë çfarë është e mundur për ta mbrojtur pakicën serbe në Kosovë:

"Në takimet e mëhershme është paralajmëruar mbyllja afatgjatë e urës në rast të përsëritjes së incidenteve, prandaj tani na mbetet të shohim nëse përfaqësuesit e UNMIK-ut, të KFOR-it dhe strukturave të tjera të sigurisë do ta mbajnë fjalën për mbylljen e urës," tha Milan Ivanoviq, duke shpresuar se vendimet e UNMIK-ut në të ardhmen do të jenë shumë më të arsyeshme, siç u shpreh ai.





XS
SM
MD
LG