Ndërlidhjet

RAMET: NËSE SERBIA PËRPIQET TA MBAJË KOSOVËN, NUK PËRJASHTOHET DHUNA


Sabrina Ramet, eksperte dhe autore e disa librave për ish Jugosllavinë


RADIO EVROPA E LIRË
Që në vitin 1984 në librin tuaj "Nacionalizmi dhe federalizmi në Jugosllavi" keni shkruar se uniteti jugosllav ishte në telashe të mëdha. Por ende sot shpërbërja e ish Jugosllavisë nuk ka përfunduar ende zyrtarisht, kur dihet se bisedimet për statusin e Kosovës janë në proces. Përse ka zgjatur kaq shumë shpërbërja?

SABRINA RAMET
Koshtunica, kryeministri serb, thotë se shpërbërja ka përfunduar dhe në fakt çështja e desintegrimit është punë këndvështrimi.
Sipas meje presioni për shkëputjen e Kosovës mbetet shumë i fuqishëm dhe nuk e di se si qeveria serbe do mund të jetë e suksesshme që të përballojë presionin për shkëputjen e Kosovës edhe formalisht e përfundimisht nga Serbia. Nga pala shqiptare që përbën 90% të popullsisë ka vendosmëri absolute për pavarësi. Luftërat për shkëputje nga '91-'95 dhe lufta në Kosovë '98-'99 e kanë bërë Serbinë njollën e zezë të rajonit. Statusi që ka Serbia aktualisht në bashkësinë ndërkombëtare është plotësisht i pakëndshëm. Ajo është njolla e zezë për shkak të së shkuarës dhe refuzimit aktual që të heqë dorë nga Kosova dhe të dorëzojë Ratko Mlladiçin.
Por nga ana tjetër në Beograd kemi një qeveri tjetër, Millosheviçi nuk është më në pushtet dhe nga bashkësia ndërkombëtare në disa raste Serbia shihet si fëmija e shpëtuar. Është një situatë interesante ky trajtim i dyfishtë njëherësh si njollë e zezë dhe si fëmija favorit dhe i rëndësishëm i rajonit. Serbët vetë janë të ndërgjegjshëm për këtë trajtim.
Por nëse i kthehemi sërish procesit të shpërbërjes duhet pasur parasysh Vojvodina dhe Lugina e Preshevës. Vojvodina nuk do të jetë një çështje për shkëputje, por do kërkojë një autonomi më të gjerë dhe për këtë ka presion nga qarqe të caktuara.
Sa i përket Luginës së Preshevës mbetet ende një çështje e nxehtë. Cilado të jetë zgjidhja për Kosovën ajo nuk do të ndryshojë dëshirën e njerëzve që jetojnë në Luginën e Preshevës se ku duan të jetojnë të ardhmen e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Profesoresha Ramet, jeni autore e shumë librave dhe studimeve për ish Jugosllavinë. Si e shihni gjendjen aktuale në Serbi gati 6 vjet pas rënies së Millosheviqit?

SABRINA RAMET
Situata është zhgënjyese për mua. Ajo që Serbia duhet të bëjë për të forcuar demokracinë liberale në vend është të përballet me të shkuarën dhe të bashkëpunojë plotësisht me Gjykatën e Hagës. Kjo është detyrë e qeverisë serbe dhe partive politike në vend. Përballja e hapur dhe e ndershme me të shkuarën do të thotë të pranohet se çfarë ka bërë pala serbe gjatë këtyre konflikteve.
Dihet se ka pasur krime nga të gjitha palët, por krimet më të tmerreshme siç është masakra e Srebrenicës janë bërë nga serbët. Kam qenë në Beograd kur është shfaqur dokumentari i BBC për Srebrenicën, derisa reagimi i Qeverisë serbe ishte i menjëhershëm duke folur për krimet e kryera ndaj serbëve. Bëhet fjalë për një mospranim total apo siç do ta quaja sindromën e mospranimit të fajit.
Kjo sindromë është dhe arsyeja e mosbashkëpunimit me Hagën dhe mosdorëzimi i Ratko Mlladiçit. Serbia ka mundur ta arrestojë Mlladiçin gjatë 10 viteve të fundit, por nuk e ka bërë një gjë të tillë. E ndonëse publikisht nuk dihet vendndodhja e Mlladiçit është e qartë se ai është në Serbi.

RADIO EVROPA E LIRË
Në librin "Babeli i Ballkanit" keni shkruar se Jugosllavia asnjëherë nuk ka qenë shtet legjitim. Por udhëheqësit serbë edhe sot përdorin legjitimitetin si justifikim për moslejimin e pavarësisë së Kosovës. Çfarë do thoshit në një rast të tillë?

SABRINA RAMET
Legjitimiteti është një nga ato fjalë të mëdha përdorimi i të cilave është i ndryshëm. Kur unë përdor fjalën legjitimitet kam parasysh standarde shumë të larta. Këtu përfshihet legjitimiteti moral, i cili nënkupton respektin maksimal për të drejtat e njeriut brenda dhe jashtë vendit, legjitimiteti politik, që nënkupton ardhjen në pushtet në mënyrë të ligjshme përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme. Në këtë kuptim Koshtunica ka ardhur në pushtet në mënyrë të ligjshme, derisa pushteti i Millosheviçit ka qenë përherë i paligjshëm. Njëherësh tek çështja e legjitimitetit kam parsysh dhe legjitimitetin ekonomik që për mua është shteti në shërbim të qytetarëve.
Por kur Koshtunica flet për legjitimitet ai nuk ka parasysh asnjë nga standardet e mësipërme. Ajo për të cilën ai bën fjalë lidhet me ato që kanë qenë në kushtetuta që nga viti 1974, përfshirë dhe të renë ku ai synon ta fusë Kosovën si një entitet me shumë autonomi, por pa pavarësi. Ai përpiqet ta përdorë termin legjitimitet nga pikëpmaja ligjore, çfarë është në rregull, por është fakt se duhet sqaruar se çfarë kuptohet me termin legjitimitet në të gjitha rastet kur përdoret.

RADIO EVROPA E LIRË
Bazuar në këto që thatë, a ka Serbia legjitimitet moral mbi Kosovën?

SABRINA RAMET
Çfarë ka ndodhur nga vitet 1989 deri në '99 është rasti tipik kur shqiptarët janë përjashtuar nga gjithçka në shoqëri. Dhe nëse ka ndonjë rast në botë kur njerëzit kanë të drejtë të thonë mjaft më, nuk mund të jetohet më së bashku atëherë ky rast është Kosova.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë punës tuaj jeni fokusuar dhe në rolin e kishës ortodokse serbe. Cili ka qenë roli i kësaj kishe gjatë konflikteve të viteve '90 dhe cili është ndikimi i saj sot?

SABRINA RAMET
Gjatë viteve '90 kisha serbe ka qenë shumë e përfshirë në procesin e zgjerimit të territoreve serbe. Në Kroaci kisha ortodokse serbe e ka dëshmuar mes të tjerash vendosmërinë për kufijtë e zgjeruar të Serbisë. Përmes një numri artikujsh ata janë përpjekur të dëshmojnë trashëgiminë serbe në një numër qytetesh kroate, duke përdorur sipas tyre argumente politike, ekonomike e me rradhë në një shtrirje kohore gjatë gjithë shekullit të fundit. Problemi më i madh qëndronte në faktin se në këto paraqitje ata injoronin plotësisht trashëgiminë kroate në këto zona. Por nëse pretendime të tilla si ato të kishës ortodokse serbe do ishin të lejuara në politikë, atëherë një pjesë e Shteteve të Bashkuara duhet t'i kalojë Meksikës, por për diçka të tillë nuk mendon dhe flet kush.
Në Bosnjë priftërinjtë serbë kanë bekuar trupat serbe, para dhe pas betejave, që dëshmon angazhimin e kishës serbe në projektin për zgjerimin e territoreve serbe. Por ka pasur dhe një lloj paqartësie në veprimet e kishës serbe. Në vitin '92 patriku Pavle drejtoi një marshim në Beograd ku kërkonte largimin e Millosheviqit.
Kur lufta shpërtheu në Kosovë ka qenë pozicion i vështirë për kishën ortodokse, duke pasur parasysh shkatërrimin e shumë objekteve të kultit. Në këtë rast kisha ka pësuar tragjedi, madje gjithë shoqëria ka humbur nga trashëgimia e saj, sepse rinovimi megjithatë nuk është objekti origjinal.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe në fund si e shihni hartën e ish Jugosllavisë në vitin 2007?

SABRINA RAMET
Do t'ju jepja dy skenarë, një optimist dhe tjetri pesimist.
Në një skenar optimist do kishim një Bosnjë me situatë të njëjtë. Madje dhe marrëveshja e nënshkruar së fundi nga Tadiçi për lidhje speciale me Republikën Serbe, çfarë parashihej dhe në Marrëveshjen e Dejtonit, nuk do sillte ndonjë ndryshim. Gjendja në Maqedoni do mbetet e qëndrueshme. Kosova do të njihej ndërkombatërisht si shtet i pavarur e ndoshta bazuar në planin e Dërvnoshekut me disa garanci për pakicën serbe. Gjendja në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc do të ishte zgjidhur në mënyrë të kënaqshme. Pra në skenarin optimist kufijtë do mbeteshin të njëjtë me përjashtim të Kosovës, që nuk do të ishte më Kosovo për ndërkombëtarët, por Kosova.
Skenari pesimist duket ndryshe. Koshtunica, Tadiçi dhe institucionet serbe do të vazhdonin të kapeshin pas politikës për mbajtjen e Kosovës. Kjo është e kuptueshme, por shumë vetshkatërruese për Serbinë. E nëse kjo ndodh nuk përjashtohet, ashtu siç edhe është deklaruar, se shqiptarët do të ngrihen. E nëse do kemi një kryengritje tjetër do kemi më shumë konflikte dhe luftë. Natyrisht fakti që aty ka prani ndërkombëtare e komplikon situatën. Por duhet të jemi të qartë se ngritja e shqiptarëve ndaj një situate të tillë nuk do jetë si ajo e viteve '98 – '99. Ky skenar pesismist do të nënkuptojë rritje të tensioneve në Luginën e Preshevës.
Edhe Qeveria serbe do shtojë përpjekjet për aneksimin e Republikës Serbe. Në perëndim do jenë pikëpytjet nëse marrja e Republikës Serbe do përdoret nga Serbia si mjet për të bërë tregëti me të ardhmen e Kosovës.
E nëse vetëm fillon shthurja e problemeve në këtë drejtim atëherë ato ecin zinxhir.
Shpresoj që të ndodhë skenari optimist e jam e shqetësuar nëse ndodh skenari i dytë, ai pesimsit.

Intervistoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG