Ndërlidhjet

COHEN:"PERENDIMI MBËSHTET PAVARËSINË E KOSOVËS"


Ariel COHEN, Instituti Heritage /Washington/


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Cohen, si i shihni bisedimet për statusin e ardhshëm të Kosovës?

ARIEL COHEN
Mendoj që bisedimet duhet të përmbyllen me sukses në nivel diplomatik. Do të ishte shumë e rrezikshme nëse bisedimet do të dështonin dhe do të rikthehej dhuna. Shpresoj që shqetësimet e të dyja palëve, si shqiptarëve ashtu dhe serbëve të Kosovës, do të merren plotësisht në konsideratë në një zgjidhje që i kënaq të dyja këto palë.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke iu referuar 'konflikteve të ngrira', presidenti i Rusisë zoti Putin, ka thënë se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet në bazë të parimeve universale. Por së fundi, i dërguari i Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari ka thënë se Kosova është rast i veçantë.
Si i komentoni këto qendrime?

ARIEL COHEN
Mendoj që jo vetëm se ka implikime në ish Bashkimin Sovjetik dhe Rusia do të lëvizë drejt njohjes së shteteve të vogla si Transnjestri, Abkhazia, Osetia jugore dhe Karabahu, por ka gjithashtu implikime vis-a-vis problemit kurd dhe problemeve të tjera në botë, ku njerëzit kërkojnë pavarësinë. Në diplomaci gjithmonë ekziston nevoja për gjetjen e balancës midis kërkesave për vetëvendosje dhe parimit të integritetit territorial të vendeve. Mendoj se mospeshimi dhe mungesa e analizave të të gjitha implikimeve të njohjes së pavarësisë së Kosovës, mund të jenë mjaft të rrezikshme për sistemin ndërkombëtar.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se Moska apo Kina mund të përdorin veton në Këshillin e Sigurimit?

ARIEL COHEN
Po.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se fuqitë perëndimore në kuadër të Grupit të Kontaktit kanë qëndrime të njëjta për të ardhmen e Kosovës?

ARIEL COHEN
Po. Mendoj se në mënyrë të përgjithshme fuqitë perëndimore po mbështetin pavarësinë. Pyetja është se në çfarë shkalle e mbështesin atë serbët, rusët, nëse është e sigurt të lëvizet drejt pavarësisë tani, apo duhet negociuar në atë mënyrë që serbët të mund të jetojnë me këtë ide.

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi i Kontaktit ka thënë se duhen bërë të gjitha përpjekjet që statusi i ardhshëm i Kosovës të zgjidhet deri në fund të vitit 2006. A mendoni se kjo është reale?

ARIEL COHEN
Mendoj që në një çështje kaq të ndjeshme sa Kosova, imponimi i afateve artificiale mund të mos jetë diçka e mençur. Arritja e koncensusit të përgjithshëm është më i rëndësishëm, sesa respektimi i një afati kohor të caktuar. Për këtë arsye mendoj që pavarësisht faktit se është e dëshirueshme që të respektohet afati i caktuar brenda këtij viti, duhet kuptuar që afatet nuk janë të shenjta.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, çfarë mund të pritet si zgjidhje për statusin e ardhshëm të Kosovës?

ARIEL COHEN
Nuk jam partizan i asnjë zgjidhjeje. Për sa kohë që populli i Kosovës dhe serbët e Kosovës mund të jetojnë së bashku, dhe për sa kohë që të drejtat e të dyja palëve respektohen, autonomia kosovare brenda Serbisë, ose pavarësia e miratuar me shumicën serbe duke qëndruar në vend dhe me njohjen e të drejtave të serbëve, përfshirë ato fetare, mendoj se si Perëndimi si Lindja do të mund të jetonin me të dyja këto zgjidhje. Pra thashë që që të dyja zgjidhjet: autonomia e plotë ose pavarësia, do të ishin të pranueshme sipas këndvështrimit tim, për sa kohë që që të dyja palët mund të jetojnë me to.

Intervistoi: Vullnet POSHKA
XS
SM
MD
LG