Ndërlidhjet

KUJTONI KOSOVËN


Wall Street Journal

Në Ballkan tash po merren vendime të rënda, të cilat i testojnë nervat e lidershipit amerikan. Nga fundi i vitit, Kosova do të shkojë drejt "statusit final", që për të gjithë, përveç Serbisë dhe Rusisë, e nënkupton pavarësi. Për këtë do të duhet që Serbia të mos shtyhet në tërbim apo të lëkunden konstruktet shumëetnike në Bosnjë dhe Maqedoni. Amerikanët dhe evropianët gjithashtu janë gjithashtu të sigurtë se për Kosovën do të hyjnë në konflikt me Rusinë.
Ky lëmsh është dhurata e fundit që Sllobodan Millosheviqi i la botës. Për të arritur paqen me NATO-n në vitin 1999, ai u sigurua që Kosova në letër të mbetet e Serbisë. Pas vendosjes së trupave të NATO-s dhe të administratës së Kombeve të Bashkuara, Beogradi më nuk kishte pushtet, por serbët vazhduan të ushqejnë fantazinë e tyre se Kosova nuk ka ikur përgjithmonë.
Problemi po zgjat tashmë 7 vjet. Ndërmjetësuesi i Kombeve të Bashkuara, ish presidenti finlandez Martti Ahtisaari, u përpoq por nuk arriti të negociojë një zgjidhje. Pasardhësit e Millosheviqit, të zgjedhur në mënyrë demokratike nuk janë të gatshëm ta marrin përsipër fajin për humbjen e Kosovës, ndërsa pritjet e shqiptarëve të Kosovës për sovranitetin janë ngritur aq lart, sa që liderëve të tyre nuk u ka mbetur për çfarë të negociojnë. Kështu, z. Ahtisaari i ndërpreu bisedimet dhe shkoi të punojë planin e tij për Këshillin e Sigurimit.
Është sekret publik se finlandezi do të propozojë pavarësi, por koha dhe detajet nuk janë përcaktuar. Ndërkombëtarët mbase do të presin që Serbia t'i mbajë zgjedhjet parlamentare dhe të formojë qeverinë me mandat 4-vjeçar, me qëllim që votuesit të kenë mjaft kohë për ta harruar humbjen. Por serbët njëherë duhet të votojnë për kushtetutën. Ajo pretendon se Kosova është pjesë e Serbisë, por kjo klauzolë vështirë që është legjitime.
Çdo vonesë pas dhjetorit rrezikon rishfaqjen e dhunës etnike, si atë të marsit 2004. Në një intervistë telefonike, i dërguari i SHBA për Kosovën, Frank Wisner, na tha nga Prishtina se Amerika mbetet e përkushtuar për ta sjellë çështjen në Këshillin e Sigurimit para fundit të dhjetorit.
Burimet tona na thonë se plani i Ahtisaarit është frymëzuar nga sovraniteti i kufizuar që iu dha Gjermanisë në vitin 1949. Ndoshta për ca kohë Kosova nuk do mund të ketë ushtri apo ulëse në Kombet e Bashkuara. Kjo nuk do të quhet "pavarësi e kushtëzuar", por do të jetë e kushtëzuar. Megjithëse Beogradi dëshiron të tërheqë me vete rajonet e dominuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, ndarja e Kosovës nuk është në tryezë. Megjithate, është realitet se pakica serbe, viktimë e spastrimit etnik prej vitit 1999, meriton garanca të sigurisë.
E njëjta vlen për serbët në Serbi lidhur me objektet e tyre fetare në Kosovë. E strukturuar në këtë mënyrë, me dyer të hapura ndaj BE-së dhe NATO-s, Kosova e pavarur mund të lulëzojë si vendet tjera të reja të vogla evropiane. Por, problemi më i madh është Rusia. Së fundi, Vladimir Putin u përpoq ta lidhë fatin e Kosovës me kontestet e pazgjidhura territoriale prapa oborrit të tij. Nëse Kosova fiton pavarësinë, pyeti Putin, përse mos e fitojnë Abkhazia dhe Osetia Jugore në Gjeorgji. Sipas kësaj logjike, edhe Çeçenia do të duhej të ishte kandidate për ulëse në Kombet e Bashkuara, por deri tash nuk kemi parë që Kremlini të jetë kaq racional.
Kosovën mund t'ia shtojmë Iranit, Sudanit, Kaukazit dhe vatrave tjera të nxehta ku Putini me të madhe punon për ta sabotuar politikën amerikane. Rusia mund të gjejë një aleat te Kina, e cila është nervoze rreth "precedentëve" për Tibetin dhe Tajvanin. Ndërkaq me një Evropë, e cila më shumë parapëlqen të reagojë e jo të veprojë, Uashingtoni është ai, të cilit do t'i mbetet të shtyjë çdo rezolutë përmes Këshillit të Sigurimit.
Nga të gjitha argumentet për pavarësinë e Kosovës, të paktën integriteti territorial qëndron më mirë. Kosova është një rast unik, një rajon i administruar nga Kombet e Bashkuara, i cili një kohë ishte pjesë e Jugosllavisë, shtetit që tash nuk ekziston. Serbia ka pak pretendime legale, e shumë më pak morale për Kosovën. Fushata e spastrimit etnik që bëri Millosheviqi, i vuri gozhdën e fundit arkivolit.
Ndoshta NATO-ja do të duhet të qëndrojë në Kosovë edhe për shumë vite, kurse SHBA dhe Evropa do të duhet të angazhohen në mënyra tjera. Por cili njeri i arsyeshëm mund të pohojë se kjo nuk ia vlen?


XS
SM
MD
LG