Ndërlidhjet

BUGAJSKI:"SHTYERJA E STATUSIT INKURAJON PALËN SERBE PËR ZHAGITJE TË MËTEJME"


Janusz BUGAJSKI, drejtor në Qendrën për Studime Strategjike /Uashington/

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë vizitës në Kosovë, para disa ditësh, i dërguari amerikan, Frank Wisner tha se "ajo që ndodhë me ju është çështje kosovare dhe ndërkombëtare" dhe se "nuk është çështje e sovranitetit të Serbisë". Si e komentoni ju këtë deklaratë ?

JANUSZ BUGAJSKI
Mendoj se ka të drejtë. Është një çështje e vendimit të shumicës në Kosovë, se cili do të jetë statusi i ardhshëm i territorit. Me këto deklarata mendoj se po përgatit terrenin për faktin që vendimi i shumicës së popullsisë në Kosovë është për pavarësinë. Pra, është në vazhdimësi me ato që kemi dëgjuar deri tani, e që mbështeten nga shumica e anëtarëve të Grupit të Kontaktit.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbët votuan në Referendum për Kushtetutën e re, e cila thotë se Kosova është pjesë e Serbisë. Sipas jush, a ka ky referendum ndonjë ndikim në statusin e Kosovës?

JANUSZ BUGAJSKI
Nuk shoh të ketë asnjë lloj ndikimi. Sa i përket efektit të brendshëm, mendoj se mund të ketë pak frustrim që Serbia sërish po ndërhynë në punët e brendshme të Kosovës. Ndërkombëtarisht, mendoj se disa anëtarë të Grupit të Kontaktit, disa zyrtarë të jashtëm, veçanërisht në Rusi, po bëjnë presion për një lloj shtyrje në marrjen e vendimit për statusin përfundimtar, pra të pavarësisë së Kosovës dhe po presin derisa referendumi në Serbi dhe zgjedhjet parlamentare të përfundojnë. Personalisht mendoj se është gabim, pasi ky qëndrim mendoj se mund t'i inkurajojë serbët që të përpiqen të gjejnë justifikime për shtyrje të mëtejshme.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendet Rusinë. Së fundit gazeta Wall Street Journal ka shkruar se "Shtetet e Bashkuara dhe Evropianët me siguri do të vijnë në konflikt me Rusinë lidhur me Kosovën". Çka mendoni ju, a ka kjo lidhje me votimin e mundshëm në Këshillin e Sigurimit për statusin e Kosovës?

JANUSZ BUGAJSKI
Ajo që Grupi i Kontaktit dëshiron të bëjë është që të marrë një vendim ku përfshihet Rusia, para se çështja të kalojë në Këshillin e Sigurimit. Me fjalë të tjera, nuk duan befasi në momentet e fundit në Këshillin e Sigurimit nga Rusia apo nga Kina, sepse Rusia e kundërshton vendimin për pavarësinë ose statusin përfundimtar të Kosovës, që do të çojë drejt pavarësisë. Pra, për momentin, mendoj se ka një proces negociues që po zhvillohet me Rusinë. Rusia në fakt mund të bindet, ose të mbështesë ose së paku, të jetë neutrale për votën për pavarësinë, për referendumin për pavarësinë në Kosovë, sepse ndoshta do të duan që ta përdorin si një precedent për territoret për të cilat janë të interesuar në Gjeorgji dhe në Moldavi.

RADIO EVROPA E LIRË
Po, a është ky precedent?

JANUSZ BUGAJSKI
Në fakt nuk ka precedent, çdo situatë është e ndryshme. Situata e Kosovës është shumë e ndryshme ndaj asaj të Abkhazisë dhe Osetisë jugore për shumë arsye. Kjo ishte rezultat i një përpjekjeje për gjenocid ndaj një popullësie, e cila kishte sipas kushtetutës së vjetër të drejta të njëjta me republikat e tjera. Gjithashtu është çështja e humbjes së luftës dhe e ndërtimit të demokracisë nga ana e komunitetit ndërkombëtar në Kosovë. Mendoj se situata është shumë e ndryshme me rajonet e tjera si Abkhazia dhe Transdniestria.

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi i Kontaktit ka thënë se do të bëjë çdo gjë të mundshme që çështjen e statusit ta zgjidhë këtë vit. Por, ka edhe disa zëra, që kërkojnë shtyrje, për shkak të zhvillimeve politike në Serbi. Sipas vlerësimit tuaj, a do ta shohim vendimin për status këtë vit?

JANUSZ BUGAJSKI
Mendoj se ajo që do të shohim deri në fund të vitit, ose ndoshta deri në fund të nëntorit, është një raport nga zoti Ahtisari, i cili do të miratohet nga Grupi i Kontaktit. Çështja mbetet se kur do të paraqitet në Këshillin e Sigurimit. Mendoj se kjo mund të shtyhet. Shpresoj që nuk do të ndodhë, sepse mendoj se do të ishte gabim, por nuk do të befasohesha nëse kjo ndodh, për shkak të këmbënguljes së Rusisë dhe për shkak të faktit se një ose dy anëtarë të tjerë të Grupit të Kontaktit janë të gatshëm të dëgjojnë Rusinë për shtyrjen e procesit.

Intervistoi: Fatmir BUJUPI
XS
SM
MD
LG