Ndërlidhjet

ÇEKU, GJUKANOVIQ: STATUSI I KOSOVËS TË PËRCAKTOHET SA MË PARË


Kryeministri i Kosovës Agim Çeku sot vizitoi Malin e Zi me ftesë të kryeministrit Millo Gjukanoviq.
Pas bisedimeve me zyrtarët më të lartë malazezë, kryeministri Çeku tha se e ka njoftuar kryeministrin Gjukanoviq me procesin e negociatave për statusin e Kosovës dhe me pritjet që kjo çështje të përfundojë deri në fund të këtij viti.

"Statusi i Kosovës do të jetë pavarësia, e mbikqyrur nga bashkësia ndërkombëtare, e cila do të jetë e pranishme në Kosovë, me të gjitha garancat e mundshme për të drejtat e gjithë pakicave kombëtare", tha Çeku për të shtuar.

"Kjo është zgjidhja e vetme afatgjatë, e qëndrueshme dhe praktike, që do të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajon", tha Çeku.

Kryeministri Gjukanoviq gjithashtu tha se statusi i Kosovës duhet të përcaktohet sa më parë dhe të mos shtyhet zgjidhja. Gjukanoviq u angazhua për një zgjidhje të qëndrueshme që do të garantonte stabilitetin dhe zhvillimin në rajon.
"Shtyrja e deritashme nuk ka kontribuar të zgjerohet fushëveprimi për zgjidhjet e ndryshme në përcaktimin e statusit të Kosovës. Përkundrazi", tha Gjukanoviq.

Kryeministri i Kosovës e ka përshëndetur qëndrimin e Podgoricës zyrtare, se do të pranojë çdo zgjidhje që do të përcaktonte bashkësia ndërkombëtare.
Konstatim i përbashkët ishte se gjendja e pakicave është indikator i pjekurisë demokratike të vendeve. Në këtë kuadër, kryeministri Çeku nga homologu malazez kërkoi.

"Kërkova ndihmë dhe mbështetje nga kryeministri Gjukanoviq që të inkurajohet komuniteti serb i Kosovës të jetë pjesë e jetës së përditshme të Kosovës", tha kryeministri Agim Çeku.

Të dy kryeministrat kanë konstatuar se marrëdhëniet midis Kosovës dhe Malit të Zi kanë perspektivë të gjerë, prandaj kanë biseduar për projekte të përbashkëta në fushën e sigurisë dhe infrastrukturës.

Takimit Çeku-Gjukanoviq i kanë paraprirë protesta të partive proserbe në Mal të Zi. Kryetari i grupimit politik Lista Serbe, Andrija Mandiq, tha se "duke e ftuar Çekun në Mal të Zi, Gjukanoviq u ka dhënë goditje të madhe jo vetëm 200 mijë serbëve në Mal të Zi, por edhe udhëheqjes dhe popullit të Serbisë pas miratimit të kushtetutës së re".
"Këtë e përjetuan si fyerjen më të madhe nga ana e kryeministrit në largim Millo Gjukanoviq. Borxhin për referendumin Gjukanoviqi sot u përpoq ta kthejë me Agim Çekun", tha Mandiq.

Pas takimit me kryeministrin Gjukanoviq, Çeku u takua me udhëheqës të partive shqiptare në Mal të Zi.


Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG