Ndërlidhjet

WSJ: MORALISHT DHE LIGJËRISHT SERBIA E KA HUMBUR KOSOVËN PAS LUFTËS SË 1999


Afati ndërkombëtar i caktuar për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, çështjes së fundit territoriale që ka mbetur nga shkatërrimi i Jugosllavisë, ka filluar të rrëshqasë, shkruan në numrin e sotëm Financial Times. Gazeta tërheq vërejtjen se edhe pse vonesa prej disa javësh mund të jetë e tolerueshme, çdo shtyrje më e gjatë mund të zbehë shpresat për arritjen e një zgjidhjeje paqësore për një nga rajonet më të trazuara të Evropës. I

dërguari i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, pritet të propozojë një pavarësi të kushtëzuar, duke i dhënë Kosovës një de facto sovranitet të kufizuar, por edhe kjo zgjidhje është e tepërt për shumicën e serbëve.

Udhëheqësit serbë janë duke luajtur me kohën dhe taktikat e tyre nuk janë tërësisht të pashpresa. Moska ka dhënë shenja se planin e zotit Ahtisaari e sheh vetëm si një propozim dhe me faktin se Shtetet e Bashkuara favorizojnë një pavarësi të hershme, tregëtia e vërtetë ende nuk ka filluar.

Financial Times shkruan se imponimi i një zgjidhjeje të hershme bart me vete edhe rreziqe, Beogradi do të mund t’i trazonte serbët e Kosovës, do të mund t’i shkëpuste linjat e transportit dhe do të mund të provokonte dhunë. Por, Beogradi gjithashtu duhet ta dijë se vetëm zonat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës do të mund të përfitonin nga një qasje e këtillë, komunitetet e tjera serbe në jug do të përballeshin me një izolim total apo edhe më keq.
Mbi të gjitha, vonesat do ta helmonin Kosovën duke ua pamundësuar shqiptarëve që të marrin përgjegjësinë për të ardhmen e tyre dhe duke penguar zhvillimin ekonomik.

E përditshmja tjetër Wall Street Journal shkruan se vonesa prej disa muajsh nuk ka të bëjë me ndryshimin e zgjidhjes përfundimtare për Kosovën që është pavarësia, por ky hap dërgon shenja të painjorueshme në Ballkan, e të cilat kanë një zakon të çuditshëm për të ndryshuar faktet në terren.

Amerikanët dhe evropianët e kanë mbështetur vonesën, duke thënë se me këtë hap duan të shmangin pushtetin ultranacionalist në Beograd. Ndikimi i kësaj çështjeje në zgjedhjet serbe nuk mund të dihet, ndoshta Kosova tani do të jetë një çështje më pak e rëndësishme në Serbi, por ndoshta votuesit do të shohin edhe përtej planit të zotit Ahtisaari. Për Kosovën ndërkaq, shkruan gazeta, me të drejtë apo jo, kjo do të thotë se ndjenjat e serbëve vlejnë më shumë se sa ato të njerëzve që Kosovën e kanë shtëpi të vetën.

Pushtetarët serbë, të cilët kanë luajtur një lojë të ashpër në bisedimet e udhëhequra nga zoti Ahtisaari, tani marrin frymë më lirshëm në kurriz të politikanëve shqiptarë, të cilët kanë treguar më shumë vullnet dhe tani duhet të përballen me rrënimin e pritjeve në vendin e tyre.

Vonesa gjithashtu krijon përshtypjen se perëndimi nuk është i gatshëm t’i bëjë ballë Kremlinit agresiv. Disa serbë madje presin që Rusia të ndihmojë në parandalimin e pavarësisë, ose së paku të mundësojë një ndarje në vija etnike dhe për këtë kategori njerëzish, vendimi për të shtyrë procesin është një shenjë trimëruese.

Synimet e Beogradit mbi Kosovën janë të bazuara në një histori të paqartë mesjetare dhe në kufijtë që krijuan shtetin tashmë të shkatërruar Jugosllavinë. Moralisht dhe ligjërisht, Kosova është humbur pas luftës së vitit 1999, me hyrjen e forcave të NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara.

Shumë njerëz në Kosovë dne në Serbi janë të gatshëm të ndërtojnë rregullin kushtetues dhe të kenë një ekonomi të fuqishme që do t’u siguronte atyre vend në Evropë. Ata kanë pritur shtatë vjet dhe ndoshta duhet të presin edhe disa muaj nën tension. Por, shpresat janë që për hir të paqes në Ballkan, bota nuk do ta bëjë zakon që të shmangë vendimin e vështirë, por të domosdoshëm, për ta lënë Kosovën të lirë.





XS
SM
MD
LG