Ndërlidhjet

MINISTRIA PËR KTHIM E PAKËNAQUR ME NDËRTIMIN E SHTËPIVE PËR SERBËT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ministri për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës, Slavisha Petkoviq dhe përfaqësues të fshatit Talinovc të komunës së Ferizajt, që ka popullatë të përzier, e kanë akuzuar organizatën suedeze CARE, se shtëpitë që ata i kanë ndërtuar, më shumë u ngjajnë stallave, sesa shtëpive dhe se kanë shumë mangësi.
"Po përsëritet rrëfimi i njëjtë si në disa projekte që kanë bërë disa organizata joqeveritare në Kosovë në kundërshtim me ministritë," tha Slavisha Petkoviq, duke shtuar se ai nuk do të lejojë keqpërdorime, duke theksuar se kur dikush do të ndërtojë shtëpi, duhet të ndërtojë shtëpi dhe jo stalla dhe depo.

Përfaqësuesi i fshatit Talinovc, Milovan Jeptiq, i ka pohuar akuzat që janë bërë ndaj atyre që i kanë ndërtuar shtëpitë e tyre.
"Që nga dita e parë këto shtëpi i ka ndërtuar organizata CARE, por ata s'kanë dashur të dëgjojnë për mangësitë për të cilat i kemi paralajmëruar me kohë," tha Jeptiq.

Ministri Slavisha Petkoviq tha se është fjala për faktin se kur i kanë pyetur ata se sa kushton ndërtimi i shtëpive, ata i kanë fshehur përgjigjet e sakta. Petkoviq, këto pohime i ka komentuar duke thënë:

"Kur i kemi pyetur përfaqësuesit e organizatës CARE se sa kushton një shtëpi ata kanë thënë se kjo është fshehtësi zyrtare. Pse duhet të jetë fshehtësi çmimi i një shtëpie," pyeti Petkoviq.

Ministri Slavisha Petkoviq e ka akuzuar organizatën UNKOR, se ka dhënë vlera shumë më të larta nga kostoja reale e shtëpive që janë ndërtuar.

"Organizata UNKOR ka thënë se një shtëpi kushton 19 mijë euro, ndërsa çmimi real është 9 mijë euro, që do të thotë se çmimit real i janë shtuar nga 10 mijë euro për shtëpi, tha Slavisha Petkoviq.

Ndërkaq përfaqësuesi i fshatit, zoti Jeptiq tha se është i kënaqur nga kthimi i të zhvendosurve dhe nga marrëdhëniet me fqinjët.
"Nëse shohim se çfarë shtëpish na janë ndërtuar, ne kemi jetë shumë më të mirë tani me fqinjët tanë", tha Jeptiq, megjithatë sipas tij, problemi kryesor është situata ekonomike në Kosovë.

Ministri për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës, Slavisha Petkoviq, ka paralajmëruar një takim me përfaqësues të organizatës CARE dhe me përfaqësues të komunës së Ferizajt, për të sqaruar të gjitha problemet lidhur me ndërtimin e shtëpive në fshatin Talinovc. Nëse nuk sqarohen të gjitha dyshimet, ministri Petkoviq ka paralajmëruar se do të kërkojë të ndërpriten punimet.

Organizata CARE në këtë fshat deri tani ka ndërtuar 45 shtëpi, 5 prej të cilave për shqiptarët. Në fazën e ardhshme të kthimit duhet të ndërtohen edhe 50 objekte banimi, ndërsa mjetet për këtë duhet t'i sigurojë Ministria për Kthim dhe Komunitete.



XS
SM
MD
LG