Ndërlidhjet

HETUESIT E LITVINENKOS PËRBALLEN ME SFIDA NË MOSKË


RFE/RL

Hetuesit britanikë tashmë janë në Moskë për t'i marrë në pyetje disa rusë, të cilët u takuan me Litvinenkon në Londër, ku ai vdiq pasi u helmua me izotopin radioaktiv polonium 210. Mbetet e paqartë nëse Litvinenko u helmua qëllimisht. Skotland Yard-i, selia e policisë metropolitane të Londrës, nuk pritet të komentojë asgjë përderisa vazhdojnë hetimet. Data e varrimit ndërkaq pritet të caktohet nga fundi i javës.

Babai i Litvinenkos, Valter, i tha Radios Evropa e Lirë se biri ishte konvertuar në Islam pak kohë para se të vdesë, dhe kishte shprehur dëshirën të varroset sipas traditave myslimane.

"Ai më tha për vendimin e tij dy ditë para vdekjes. Më tha: Baba, dua të flas me ty për diçka serioze. Jam bërë mysliman. I thashë: Sasha, ky është vendimi yt. Kryesorja është që nuk je bërë komunist apo satanist. Vetë jam i krishterë, por kam një mbesë, i ati i së cilës është myslimane. Kryesorja nuk e kemi humbur Zotin dhe besojmë në të", tha i ati i Litvinenkos.

Valter Litvinenko, i cili konvertimin e përshkruan si "një vendim të rëndësishëm personal", tha se i biri qysh më parë mendonte të bëhet mysliman, për shkak se ishte i pakënaqur nga Kisha Ortodokse Ruse.
Akhmed Zakayev është i dërguar i kryengritësve çeçenë në Londër.

"Ai më tha se deshte të konvertohet në Islam në ditët e para që u shtri në spital. I thashë se ishte çështje personale e tij, dhe se nuk është e rëndësishme cilit Zot i lutemi, përderisa nuk bëjmë vepra të pahijshme", tregon Zakayev.

Ai thotë se përkundër efekteve shkatërruese të sëmundjes, Litvinenko kishte mendjen e kthjellët, ndonëse 16 orë në ditë bashkëpunonte me policët që hetonin helmimin e tij.

Zakayev thotë se Litvinenkon deri në fund e mbante shpresa se do të shërohej, por një ditë para vdekjes i kishte kërkuar këtij që t'i sjellë imamin për t'i kryer ceremonitë e fundit.

Hetuesit britanikë tash për tash pritet t'i intervistojnë tre personat që mund të kenë informata rreth Litvinenkos dhe mënyrës së helmimit të tij me polonium 210.

Andrej Lugovoi Dmitrij Kovtun dhe Vjachllav Sokolenko u takuan me Litvinenkon në Londër më 1 nëntor, ditën kur ai u sëmur. Që të tre kanë thënë se nuk janë fajtorë.
Prokurori i përgjithshëm i Rusisë Juri Çajka tha se hetuesit do të mund ta marrin në pyetje Lugovoin, por shtoi se çdo qytetar rus i implikuar në rastin do të duhej të gjykohet në Rusi, e jo në Britani.

"Ne do të jemi ata që do t'i bëjmë pyetjet në praninë e hetuesve britanikë, e jo ata të bëjnë pyetjet në praninë tonë. Hetimi po zhvillohet në vendin tonë, në territorin tonë, andaj në pajtim me të gjitha normat ndërkombëtare hetimet do t'i zhvillojmë ne, ndërsa britanikët mund të marrin pjesë me ose pa pëlqimin tonë, të cilin ndoshta ua japim, e ndoshta jo", tha kryeprokurori i Rusisë.

Ndërkohë agjencia Interfax njoftoi se hetuesve britanikë nuk do t'u lejohet të intervistojnë ish agjentin e kundërzbulimit Mikhail Trepashkin, i cili tash ndodhet në burg. Avokati i tij tha më herët se Trepashkin kishte informata relevante për hetimin e rastit Litvinenko.

Një kontingjent i veçantë i hetuesve të Skotland Yard-it ishte edhe në Shtetet e Bashkuara për të marrë në pyetje Juri Shvarc, një ish agjent të KGB-së, i cili ka lidhje të ngushta me Litvinenkon dhe aleatin e tij në Londër, miliarderin rus Boris Berezovski.

Te personi i katërt, i cili u takua me Litvinenkon në ditën e helmimit, gjithashtu u gjetën gjurmë të polonium 210. Italiani Mario Scaramella, një konsulent i sigurisë tash ndodhet në një spital të Londrës, por mjekët thonë se gjendja e tij është mirë.

Në takimin e 1 nëntorit që u mbajt në një restorant të Londrës, supozohet se Scaramella i ka dhënë Litvinenkos një mesazh që pohonte se oficerët e shërbimit rus të sigurisë, dhe një organizatë pak e njohur me emrin Nderi dhe Dinjiteti, ishin duke u përpjekur të vrasin Litvinenkon dhe Berezovskin.

Daily Telegraph raportoi se mesazhi përmbante një listë, në të cilën ndodheshin edhe emrat e Scaramellas dhe gazetares Anna Politkovskaya, e cila u vra në Moskë në tetor.

Zbulimet e kanë fokusuar vëmendjen te grupi Nderi dhe Dinjiteti, i udhëhequr nga Valentin Velichko, një veteran i shërbimit federal rus të sigurimit. Deri tash, Velichko ka refuzuar të komentojë rastin.

Oleg Gordievski, ish oficer i KGB-së, paraardhëse e sigurimit federal rus, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk beson që grupi i quajtur Nderi dhe Dinjiteti është përgjegjës për helmimin e Litvinenkos.
"Një organizatë e tillë nuk do të ishte në gjendje të kryejë vrasje të një shkalle aq të lartë si vrasja e Litvinenkos në Londër. Vrasja e Litvinenkos është e klasit të parë, është një operacion tejet profesional i KGB-së, i kryer në kombinim të agjencisë ruse të kundërzbulimit dhe shërbimit të sigurimit shtetëror. Një organizatë amatore asnjëherë nuk do të ishte në gjendje të shtinte në dorë substancë të tillë helmuese", thotë Gordievski.

Ai thotë se operacioni është kryer sipas standardeve më të larta të KGB-së.
"Operacioni u krye, kuptohet, sipas rregullave më të mira të KGB-së. Ajo që ata nuk e morën parasysh ishte se britanikët kanë pajisje të sofistikuara, për të cilat ata mendonin se i kanë vetëm amerikanët.

Pajisja u ndihmoi atyre të orientohen nga Moska dhe t'i gjejnë aeroplanët që përdorën organizatorët e vrasjes, të cilët u kthyen në Moskë", thotë ish agjenti i KGB-së.

Litvinenko dhe mbështetësit e tij ishin të bindur se pas helmimit qëndrojnë shërbimet ruse të sigurisë dhe Kremlini, apo më saktësisht vetë presidenti Vladimir Putin.

Rusia ka mohuar çfarëdo ndërlidhje me rastin. Vetë Putini, një i diplomuar i KGB-së, tha se vdekja e Litvinenkos ishte punë e perëndimit për të diskredituar Rusinë. Megjithatë, Gordievski thotë se ka fare pak dyshim se prapa vdekjes qëndrojnë shërbimet ruse të sigurisë, dhe elita në pushtet.

"Shërbimet speciale janë partia në pushtet në Rusi. Ato e kanë zëvendësuar Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, kështu që bëjnë çfarë të duan. Ndikimi i tyre ndjehet kudo. E para, vetë presidenti vjen nga radhët e shërbimeve speciale, kryeministri gjithashtu vjen nga shërbimet speciale, shumica e Dumas janë agjentë të shërbimit federal të sigurimit të Rusisë", thotë ish agjenti i KGB-së Gordievski.

XS
SM
MD
LG