Ndërlidhjet

KUÇI: OBJEKTIV PARËSOR ËSHTË RUAJTJA E UNITETI POLITIK NË KOSOVË


Hajredin Kuçi, nënkryetar i PDK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kuçi, jemi pothuajse në fund të vitit, i cili është karakterizuar me procesin për përcaktimin e statusit përfundimtar. Si e vlerësoni rrjedhën e deritashme të këtij procesi?

HAJREDIN KUÇI
Fillimi i vitit ndoshta ka qenë një fillim, por duhet ta quajmë në kuptimin e statusit përfundimtar të Kosovës, pozitiv. Gjërat kanë shkuar sipas një dinamike të paraparë, në kuptimin e asaj që evolimi përveç negociatave me faktorin ndërkombëtar, e në këtë kuadër edhe me vetë Serbinë, ka shkuar sipas dinamikës, duke u bartur gjërat në kuptimin e asaj që faktori ndërkombëtar ta shfrytëzojë këtë hapësirë për marrëveshje apo për negociata dhe më tej të jetë në përfundim të një rezolute në Këshillin e Sigurimit. Por duket që muajt e fundit ndoshta ka qenë një pritje më e madhe e qytetarëve të Kosovës, por njëkohësisht ka qenë një premtim edhe i vendorëve edhe i ndërkombëtarëve, për dinamikë më të shpejtë. Nga ana tjetër, tani nga fundi i vitit, duket sikur kemi një status quo- do ta quaja, në kuptimin e statusit përfundimtar të Kosovës, edhe pse ndërkohë duket se po negociohet në nivel më të lartë, pra në vetë Grupin e Kontaktit. Pra mund të them që ky vit është karakterizuar me dinamizëm, por jo edhe me suksesin e pritur.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kuçi, ditë më parë opozita ka kërkuar që skena politike të mbetet e bashkuar deri në fund të këtij procesi. A besoni ju në një unitet të mëtejmë?

HAJREDIN KUÇI
Ne kemi bërë të gjitha orvajtjet e mundura po e them, edhe duke qenë nga roli i opozitës dhe dua të përcaktoj këtu se opozita ka qenë opozitë sa i përket shpërndarjes së buxhetit në Kosovë, por jo opozitë sa i përket statusit përfundimtar të Kosovës.
Në kuptimin e kësaj, ne kemi patur dhe kemi tre objektiva kryesore momentale. Objektiva e parë është të ruhet uniteti politik në Kosovë, që Kosova të përcaktohet në një zë. Objektiva e dytë është që ruhet stabiliteti do ta quaja, në kuptimin e situatës së sigurisë dhe objektiva e tretë është një dinamizëm më i shtuar i përfaqësimit politik të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në të tre këto objektiva ne kemi tentuar dhe kemi dhënë maksimumin e duhur. Po u premtojmë përsëri qytetarëve të Kosovës që Partia Demokratike e Kosovës do të jetë unike në kuptimin e qëllimeve politike me gjithë spektrin tjetër politik, do të japë maksimumin e duhur duke dhënë diçka nga vetë partia, nga vetë personalitetet dhe me një fjalë do të pranojmë me vetëdije të zvetënojmë rolin e partisë, me qëllim të ruajtjes së forcës kohezive të unitetit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kuçi, i dërguari i Kombeve të Bashkuara për statusin ,Marti Ahtisari në fund të janarit pritet që të paraqesë propozimin për statusin përfundimtar të Kosovës. Çfarë prisni ju nga pakoja e zotit Ahtisari?

HAJREDIN KUÇI
Ne jemi të orientuar në dy gjëra momentale në kuptimin me faktorin ndërkombëtar: e para është që dinamizmi i procesit të jetë me një kahje të përshpejtuar dhe e dyta që përmbajtja e rezolutës së re, respektivisht i propozimit të zotit Ahtisari, të jetë propozim, i cili nuk do të lejojë dilema për qytetarët e Kosovës, as të tjerët dhe mundësi të interpretimeve të dyanshme në drejtim të saj. Presim që pakoja e zotit Ahtisari të respektojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës për shtet sovran dhe të pavarur, të mundësojë realizimin e këtij vullneti dhe të respektojë, apo të krijojë mundësi për respektimin e të drejtave të pakicave në Kosovë. Nëse do t'i arrinte këto dy qëllime propozimi i zotit Ahtisari, mendoj se do ta krijonte një objektiv të mirë, të qartë, dhe objektiv për të cilin qytetarët e Kosovës kanë dhënë shumë.

RADIO EVROPA E LIRË
Flisni për objektivat. Si ekspert i të drejtës ndërkombëtare, bazuar në këtë të drejtë a ekziston ndonjë bazë ligjore, me të cilën pavarësia e Kosovës do të mund të përkrahej nga vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara?

HAJREDIN KUÇI
Unë mendoj se Kosova me aktivitetin e vet deri tani, me të drejtën e vet qoftë ligjore qoftë politike, historike, demokratike etj, plotëson të gjitha prerogativat që të jetë një shtet i pavarur dhe sovran. Por momentalisht është rezoluta 1244, e cila duhet të zhbllokohet, po e quaj kështu, në Këshillin e Sigurimit dhe të hapë mundësi që Kosova të ndërtohet si shtet i pavarur dhe sovran. Në kuptimin e saj, me rezolutën e re në OKB Kosovës duhet t'i hapet kjo mundësi, Kosova duhet të realizojë, ndërsa njohja duhet të vijë veç e veç nga secili shtet anëtar i OKB-së. Sa më e avancuar që do të jetë rezoluta, aq më i lehtë do të jetë procesi, apo mund të ndodhë e kundërta. Në kuptimin e asaj që problemi i Kosovës nuk është tash e tutje apo edhe deri më tani, sidomos pas vitit 1999, mbi bazën e të drejtës ndërkombëtare, por është më shumë mbi bazën e forcës dhe vendimeve politike të forcave të mëdha, apo me ndikim në botë. Pra në këtë këndvështrim, asnjë vendim i Këshillit të Sigurimit, i cili nuk e respekton të drejtën e qytetarëve të Kosovës, nuk është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Çdo vendim i cili respekton të drejtën e qytetarëve, është njëkohësisht demokratik, është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Por njëkohësisht ai kërkon vetëm një mbështetje politike do ta quaja, dhe vullnet politik të fuqive të mëdha momentalisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur mendoni se do të zgjidhet statusi përfundimtar?

HAJREDIN KUÇI
Unë nuk jam idhtar i përcaktimit të datave konkrete, unë jam idhtar i zgjidhjeve të çështjeve që i qëndrojnë kohës, zgjidhjeve të çështjeve që do ta respektojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Por besoj se dinamika e gjërave do të jetë më e përshpejtuar nga fundi i janarit, gjatë muajit shkurt, në veçanti gjatë muajit mars. Por këtë dinamikë qytetarët e Kosovës në veçanti, elita politike do ta quaja, duhet ta përcjellë me vëmendje të caktuar, duhet t'i ndërmarrë hapat që kërkohen nga ajo dhe duhet t'i koordinojë këto hapa me faktorët relevantë ndërkombëtarë. E gjithë kjo duhet të përfundojë do ta quaja para qershorit të vitit 2007.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kuçi, një ekip i Bashkimit Evropian po përgatit terrenin në Kosovë për praninë e ardhshme ndërkombëtare. Sa ka nevojë Kosova për një prani të tillë pas statusit?

HAJREDIN KUÇI
Duhet ta themi se mandati i të ardhmes së pranisë së Bashkimit Evropian në Kosovë buron nga vetë zoluta e re që do ta nxjerrë në Këshillin e Sigurimit. Është pozitive që Bashkimi Evropian ka shprehur gatishmërinë që në fushën e sigurisë, në fushën e mbrojtjes, të rendit dhe ligjit, por ndoshta edhe në disa fusha të tjera, të marrë anën e vet pozitive. Në anën tjetër mendoj që mosefikasiteti i plotë i institucioneve të Kosovës ka lejuar hapësirë për një ndikim më të madh të faktorëve ndërkombëtarë. Por njëkohësisht prezenca e faktorit ndërkombëtar në të ardhmen, do të jetë si rezultat i dhënies së një garancie për dy gjëra kryesore: respektimin e të drejtave të pakicave dhe njëkohësisht respektimin e implementimit të rezolutës apo të marrëveshjes që do të propozojë zoti Ahtisari. Por logjika e gjërave thotë se elita politike në Kosovë pastaj do të ketë një lloj përgjegjësie, do ta quaja përballë vullnetit të qytarëve të Kosovës, por njëkohësisht, edhe përballë kërkesave që do të vijnë nga bashkësia ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kuçi, si i vlerësoni zhvillimet e Kuvendit të gjashtë zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si reflektojnë këto zhvillime në skenën politike dhe në institucionet e Kosovës?

HAJREDIN KUÇI
Partia Demokratike e Kosovës ka qenë jashtëzakonisht e kujdesshme në lidhje me zhvillimet e brendshme që kanë ndodhur në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ne kemi qenë vrojtues pasiv, do të thoja të këtyre zhvillimeve, por kjo nuk do të thotë se nuk e kemi analizuar gjendjen dhe nuk e analizojmë tani e më tutje, sidomos sa i përket asaj që ka ndikim në skenën politike në tërësi në Kosovë. Në kuptimin e saj mendoj se në LDK ka ende procese që duhet të zbërthehen. Zbërthimi i këtyre proceseve është në vetë duart e njerëzve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. PDK-ja e sheh suksesin e vet në potencialin platformë dhe projektet e veta politike dhe jo mbi bazën e fatkeqësive të të tjerëve. Çdo aktivitet i PDK-së në drejtim të institucioneve të Kosovës nuk është nga rendja për të marrë pushtetin në Kosovë, por mund të jetë nga rendja që të pengojë disa dukuri negative që janë në Kosovë. Dhe kryesisht Partia Demokratike e Kosovës nuk pranon që të luajë lojëra të cilat do t'i ndihmonin njërit apo krahut tjetër në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ne do të bashkëpunojmë me secilën parti politike përfshi dhe LDK-në në mënyrë legale dhe për interesa të përbashkëta por momentalisht duke i trajtuar njëkohësisht këto si oponentë politikë.

Intervistoi Albana Isufi
XS
SM
MD
LG