Ndërlidhjet

SHBA: KANDIDATËT PËRGATITEN PËR ZGJEDHJET PRESIDENCIALE 2008


ANDREW TULLY

Presidentit George Bush i kanë mbetur edhe 2 vjet në Shtëpinë e Bardhë, por kandidatët nga të dy blloqet politike tashmë kanë filluar ta shqyrtojnë garën për ta trashëguar atë.
Disa madje i kanë bërë publike qëllimet e tyre formalisht, por disa të tjerë thonë se ende nuk e kanë ndarë mendjen.

Kushtetuta amerikane i kufizon presidentët në dy mandate 4-vjeçare, por nuk thotë asgjë se kur kandidatët mund ta fillojnë fushatën politike. Në Shtetet e Bashkuara, fushatat presidenciale zakonisht fillojnë dy apo më shumë vite para votimeve.

"Sigurisht që nuk do të jetë tash apo shumë shpejt, por diku vitin e ardhshëm".
Ky është Rudolf Giuliani, ish kryebashkiaku i Nju Jorkut, i cili u popullarizua në gjithë Amerikën për rolin e tij pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Giuliani me të madhe konsiderohet si një ndër kandidatët e Partisë Republikane në nominimin për president në vitin 2008. Nëse vendos të hyjë në garë, Giuliani me gjasë do të konkurojë me senatorin John McCain, ish i burgosur në Vietnam, i cili nuk ia doli ta fitojë nominimin ndaj presidentit Bush në vitin 2000.
Ai tashmë ka formuar komitetin për t'i vlerësuar mundësitë e tij në 2008-ën, por thotë se ende nuk e ka ndarë mendjen.

"Siç kam thënë gjithmonë, do të vendos në fillim të vitit të ardhshëm. Fundin e vitit do ta kaloj me familjen time, dhe pastaj do të marr vendimin, tha McCain.

Guvernatori republikan Mitt Romney, nga shteti Massachusetts gjithashtu është përmendur si kandidat i mundshëm, por për momentin ka pak gjasa në nominimin kombëtar. Mirëpo në fillim të viteve të 1990, e njëjta mund të thuhej edhe për guvernatorin e Arkansasit, Bill Clinton.

Në radhët e demokratëve, kandidimi i mundshëm i Barack Obama, senatorit nga Illinois, ka nxitur mjaft kërshëri.
"Nëse vendos të garoj për president, atëherë do të bëj një njoftim, dhe të gjithë do të jenë të ftuar. Me kaq po u jap fund spekulimeve të tashme", tha Obama, një afrikano-amerikan i diplomuar në Harvard.

Nëse ai vendos të garojë, konkurente kryesore do ta ketë senatoren Hillary Clinton, gruan e ish presidentit Bill Clinton. Ndonëse ajo ende nuk e ka bërë publike kandidimin, shumica e konsiderojnë si kandidate kryesore e demokratëve për president.

Demokrati Tom Vilsack, guvernator i shtetit Iowa, është nga të paktët që tashmë formalisht e kanë shpallur kandidaturën. Por edhe ai nuk njihet shumë në shkallë kombëtare.

Zgjedhjet e ardhshme presidenciale do të mbahen në nëntor 2008, ndaj shtrohet pyetja mos është pak herët?
Patrick Basham, drejtor i Institutit Demokratik në Uashington, thotë se kandidatët seriozë për president kanë konstatuar se asnjëherë nuk është tepër herët për të filluar fushatën për zyrën më të fuqishme në botë.

"Ne padyshim jemi në epokën e fushatave të përhershme. Disa kandidatë tash i kanë ndezur motorët, por Hillary Clinton dhe John McCain garën presidenciale e kanë filluar para dy vitesh", thotë ai.
Basham thotë se një fillim i hershëm është thelbësor, në mënyrë që kandidatët të mund të lidhen me sa më shumë organizata për t'u siguruar se mesazhi i tyre do të dëgjohet. Por ai mendon se arsyeja kryesore është që votuesit thjesht t'i njohin kandidatët me kohë.

"Në një rast të tillë, pra në fazën e parë, popullarizimi i kandidatit do të mundësojë tërheqjen e mbështetjes financiare. 99% e amerikanëve absolutisht nuk janë të interesuar në fillim të fushatës, por nuk mund t'u shmangen disa paraqitjeve në media. Të jesh një kandidat i mirënjohur nuk është garancë e suksesit, por është e pamundur të korrish sukses po nuk qe i njohur", përfundon eksperti Basham.


XS
SM
MD
LG