Ndërlidhjet

SHKUPI KËRKON NDIHMËN E SHQIPËRISË NË SHËNIMIN E KUFIRIT KOSOVË - MAQEDONI


Alma Çupi, Tiranë

Shënimi i kufijve midis Maqedonisë dhe Kosovës, do të bëhet në mënyrë simbolike në shënimin e kufirit në trekëndëshin midis Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Kështu tha sot në Tiranë, kryeministri i Maqedonisë Vlado Buçkovski, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin Fatos Nano.
"Është e vërtetë që kërkuam ndihmë nga Republika e Shqipërisë në lidhje me shënimin e kufirit midis Maqedonisë dhe Kosovës. Me atë që shënimin e kufirit do ta fillonim në mënyrë simbolike, në shënimin e kufirit në trekëndëshin midis Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Por, në lidhje me gjithë, këtë kuptohet që nevojitet edhe përkrahja e UNMIK-ut, por edhe Beogradit zyrtar dhe e përfaqësuesve të Prishtinës."
Ndërsa kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano, përgëzoi kryeministrin e Maqedonisë Buçkovski, për respektimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe bashkëpunimin me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
"Unë përgëzova dhe inkurajova kryeministrin Buçkovski, për vazhdimin e zbatimit me vendosmëri të Marrëveshjes së Ohrit dhe bashkëpunimin e shkëlqyer me Ali Ahmetin, duke ndarë me kolegun, të njëjtat angazhime dhe vlerësime për stabilitetin e Kosovës, për vazhdimin e zbatimit me sukses të politikës së standardeve për një status, të nxitur nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës."
Çështja e Kosovës është diskutuar me prioritet në bisedimet mes kryeministrave të dy vendeve. Edhe një herë është ritheksuar përcaktimi i statusit të Kosovës dhe rëndësia e standarteve për ta arritur atë." Gjithashtu kryeministri Fatos Nano, në përgjigje të pyetjes së gazetarëve, nëse e njeh Maqedoninë me emrin kushtetues, u përgjigj:
"Shqipëria e ka njohur dhe respekton emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë në marrëdhëniet direkte me këtë vend, apo me institucionet e tij përfaqësuese. Ne jemi gati të kontribojmë në cilësitë e anëtarit të OKB-së dhe në të gjitha kontaktet ndërkombëtare, për zgjidhjen edhe në kuadrin e Këshillit të Sigurimit të kësaj çështjeje, sepse ashtu si edhe për çështjen e demarkacionit të pikës ku takohen kufijtë e rinj dhe të hapur në rajon, ne besojmë se sa më pak çështje të mbetura pezull nga e kaluara të kemi, aq më i sigurtë do të jetë stabiliteti dhe prosperiteti drejt integrimeve evro-atlantike të vendeve dhe të rajonit tonë".
Viti 2005, sipas kryeministrit Nano dhe Buçkovski, do të jetë viti ekonomik i bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Maqedonisë. Kryeministri i Maqedonisë Buçkovski, vlerësoi bisedimet e sotme në Tiranë me homologun e tij shqiptar.
"Mendoj se shembulli i bashkëpunimit midis Shkupit dhe Tiranës, mund të jetë shenjë e mirë për të gjithë rajonin tonë. Qëndrimet tona të ngjashme, qëndrimet ndryshe, por edhe kompromisi, mendoj se duhet të jetë një shembull i mirë se si duhet të zgjidhen këto çështje në rajon. Vlerësoj qëndrimin pozitiv që kemi në kuadrin e Kartës së Adriatikut dhe duhet të kemi më shumë suksese të tilla."
Vizita e kryeministrit të Maqedonisë Vlado Buçkovski është e para me Tiranën zyrtare. Më pas takimet e tij do të vijojnë me presidentin e Shqipërisë Alfred Moisiu dhe kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë Servet Pëllumbi. Ndërsa nesër në ditën e dytë të vizitës, kryeministri Buçkovski do të takojë përfaqësuesit e shoqatës së miqësisë Shqipëri Maqedoni.
XS
SM
MD
LG