Ndërlidhjet

UNMIK-U, QEVERIA DHE FAMILJARËT E TË ZHDUKURVE TË ZHGËNJYER NGA BEOGRADI


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Beogradi siç bën shpesh, duket se mund të përqendrohet vetëm në një çështje, e kësaj here ishte rryma, ka thënë me të arritur në Prishtinë, shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jeseen Petersen. Me t’u kthyer nga Beogradi, ku kishte pasur takime që janë vlerësuar zhgënjyese nga vetë UNMIK-u, zoti Petersen tha se çështja e rrymës për kryeministrin e Serbisë ishte shtruar si kusht mbi kushtet. Megjithatë, Petersen tha se kishte arritur t’i njoftojë zyrtarët e Beogradit se në Kosovë po bëhej përparim dhe se qeveria ishte e suksesshme:
"Unë u thashë atyre se ne po lëvizim përpara dhe se ora po ecën. Ende nuk është tepër vonë që serbët të përfshihen në proces, mirëpo koha po shkon, prandaj është më mirë për ata që sa më shpejt të futen në proces, tha Petersen, duke shtuar se në Kosovë është bërë mjaft përparim në fushën e decentralizimit, si dhe në punën e përmbushjes së standardeve. Ai tha se mbetet ende punë për të bërë, si dh për të bindur serbët e Kosovës që të përfshihen në proces, mirëpo nuk mund të presim më shumë, ka thënë Petersen.
Pas UNMIK-ut, edhe qeveria e Kosovës, si dhe asociacionet e familjarëve të personave të zhdukur, kanë shprehur zhgënjimin e tyre nga takimet e shefit të UNMIK-ut, zotit Petersen me autoritetet e Serbisë dje në Beograd.
Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës Arben Qirezi, tha se qeveria e Kosovës çmon dhe mbështet përpjekjet e zotit Jessen Petersen, për të ringjallur disa procese, të cilat kanë ngecur, jo me fajin e Kosovës, por shpreh keqardhje për qëndrimet e djeshme të udhëheqjes së Serbisë:
"Kemi shpresuar se Beogradi të japë sinjale pozitive sa i përket ndriçimit të fatit të të zhdukurve dhe dinamizimit të procesit të kthimit të trupave të shqiptarëve të zhvarrosur nga varret masive në Serbi. Në këtë kontekst qëndrimi i Beogradit është për keqardhje".
Megjithatë, zëdhënësi i qeverisë, Arben Qirezi, tha se ky qëndrim i Beogradit nuk do ta ndryshojë kursin reformist të qeverisë së Kosovës, sa i përket përmbushjes së standardeve dhe reformës së pushtetit lokal:
"Do të vazhdojmë që së bashku me UNMIK-un dhe strukturat e tjera të bashkësisë ndërkombëtare, të angazhohemi në mënyrë që punët tona t’i kryejmë sa më shpejt, pasi Kosova nuk mund të jetë peng i taktikave politike të autoriteteve të Beogradit".
Edhe përfaqësuesit e organizmave që bashkojnë familjarët e të zhdukurve, thonë se janë të pakënaqur nga bisedimet e djeshme në Beograd, pasi Petersen kishte paralajmëruar se çështja e të zhdukurve do të ishte tema mbizotëruese. Sheremet Ademi nga Asociacioni i familjarëve të të zhdukurve, tha se me këtë veprim të Beogradit është injoruar dhe ofenduar edhe bashkësia ndërkombëtare. Kjo sipas tij bëhet me qëllim që të nxisë reagimin e pakontrolluar të familjarëve, mirëpo ne nuk do të veprojmë sipas këtyre provokimeve, tha Ademi:
"Tani qendrat e vendosjes përfundimisht e kanë kuptuar se Serbia luan me kufomat tona – lëre që nuk është e interesuar të japë informatat, por qëllimisht mban edhe kufomat," tha zoti Ademi, sipas të cilit kjo është një përpjekje e Beogradit për të barazuar çështjen e furnizimit të serbëve me rrymë, me dhimbjen e familjarëve për më të dashurit e tyre të zhdukur.






XS
SM
MD
LG