Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

SERBËT E KOSOVËS ENDE PA VENDIM PËR PJESËMARRJE NË INSTITUCIONE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Në Prishtinë është takuar shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen me përfaqësues të serbëve të Ksoovës, të cilët thanë se ende nuk kanë ndonjë vendim për t’u bërë pjesë e institucioneve të Kosovës dhe grupeve punuese për decentralizimin dhe për standardet. Oliver Ivanoviç, kryesues Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, ka thënë pas takimit se me zotin Petersen kishin biseduar për rrymën, që ai e cilëson si problem humanitar, ndërkohë që është shprehur në favor të rifillimit të bisedimeve për çështje teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Po sot, kryeadministratori Petesen dhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, kanë përsëritur gadishmërinë e tyre për dialog me Beogradin për çështje teknike, si dhe u kanë bërë thirrje serbëve të Kosovës që të angazhohen në institucionet e Kosovës. Këto deklarata janë bërë në qeverinë e Kosovës, ku kryeministri Haradinaj ka biseduar me shefin e UNMIK-ut Petersen, para se ky i fundit të niset në një turne njëjavor nëpër Evropë.
Institucionet e Kosovës dhe unë kemi bërë thirrje të vazhdueshme për dialog, qoftë me Beogradin, qoftë për angazhimin e serbëve të Kosovës në institucionet dhe në proceset e këtushme, tha shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen:
"As Beogradi dhe as serbët e Kosovës deri më tani nuk kanë qenë të gatshëm të angazhohen në këtë dialog. Ata po e dënojnë vetveten. Ne po ecim përpara dhe besojmë se është me rëndësi t’i kemi serbët e Kosovës pjesë e dialogut këtu," tha shefi i UNMIK-ut, Jessen Petersen. Edhe kryeministri Haradinaj tha se qeveria po përpjekjet jo vetëm për dialog politik, por edhe për pjesëmarrje konkrete të serbëve në qeverinë e Kosovës në nivelin qendror. Dua t’ju kujtoj se serbët e Kosovës marrin pjesë në jetën institucionale në nivele të ndryshme, tha kryeministri Ramush Haradinaj për të përsëritur gadishmërinë për bisedime me Beogradin për disa çështje:
"Jemi të gatshëm të vazhdojmë dialogun teknik, sidomos me grupin për çështjen e personave të zhdukur dhe mendojmë se do të ishte me shumë dobi që kjo të ndodhë dhe kemi shprehur gadishmëri që të vendosim kontakte të mira me të gjitha vendet e rajonit dhe do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje që kjo të ndodhë edhe me Beogradin në një të ardhme të afërt."
Në anën tjetër, zoti Petersen tha se gjatë turneut në Evropë, ndër të tjera do të ketë takime të rëndësishme me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Javier Solana dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer lidhur me rrugën që Kosova e ka përpara në procesin e përmbushje së standardeve dhe të bisedimeve për statusin.

XS
SM
MD
LG