Ndërlidhjet

PLEMETINI - PLAGË QË DUHET MBYLLUR


Milazim KRASNIQI

Intensifikimi i aktiviteteve të qeverisë së Kosovës dhe të pushteteve komunale të disa komunave, për mbylljen e kampit të Plemetinit, padyshim është njëri nga lajmet më të mira që trasmetohet nga Kosova e këtyre ditëve. Me këto aktivitete qeveria e Kosovës po jep edhe një argument më shumë se është e përkushtuar për përmbushjen e standardeve dhe për të krijuar një ambjent të sigurtë për të gjithë qytetarët e vendit. Në takimin e para disa ditëve të Ministrit të Planifikimit Hapësinor me kryetarët e komunave, prej nga janë disa prej familjeve rome, ashkali, egjiptase dhe serbe, që janë të strehuara në Plemetin, është afatizuar edhe mbyllja e këtij kampi. Planifikohet që ai të jetë i mbyllur nga mesi i këtij viti, ndërsa banorët që janë aty të strehuar, do të kthehen në vendbanimet ku kanë jetuar para luftës. Për familjet që nuk kanë patur banim të përhershëm, është thënë se do të kërkohet një mundësi që të zgjidhet edhe problemi i tyre. Me këto aktivitete ka filluar të thyhet një barrierë psikologjike, që është ngurtësuar në këto vite. Mbajtja e akuzës ndaj minoritetit rom, si gjoja pjesëmarrës në spastrimin etnik të vitit 1999, në vitet e shkuara ka qenë gati zyrtar dhe ka funksionuar me automatizëm. Në bazë të kësaj akuze ka patur edhe injorim të problemeve të rënda sociale të këtij komuniteti në kampin e Plemetinit dhe atë të Zveçanit. Fatkeqësisht në trazirat e marsit të vitit të kaluar, nga injorimi u kalua edhe në dhunë ndaj pjesëtarëve të këtij komuniteti, edhe në vendet ku llogaritej se paragjykimet ishin tejkaluar. U desh një vit punë intensive e të gjithë faktorëve, në mënyrë që të fillojë reflektimi i shoqërisë së re të Kosovës, për të kuptuar realisht pozitën e qytetarëve romë në kampin e Plemetinit dhe atë të Zveçanit. Kjo rritje e reflektimit ka koinçiduar edhe me rritjen e shpresave të qytetarëve të Kosovës për zgjidhjen e statusit të Kosovës, në bazë të vullnetit të tyre politik. Kjo do të thotë se një ambient i tillë mund të shfrytëzohet për rritjen e mirëkuptimit ndëretnik dhe të fillimit të një procesi të pajtimit. Është një rastësi domethënëse që këto aktivitete për integrimin e romëve të Plemetinit, u poqën edhe me përkujtimin e kujdesit të dikurshëm të shqiptarëve ndaj hebrenjëve. Nga traditat e tolerancës dhe të mirëkuptimit të vjetër, mund të nxirren përvoja edhe për realitetet e reja. Ndihma ndaj atyre që janë të rrezikuar, ka qenë ndër traditat e hershme të shqiptarëve dhe ato tradita nuk duhet të injorohen as sot. Kosova e re që po ndërtohet dhe që po shkon drejt një statusi të qëndrueshëm, ka nevojë të madhe për manifestimin e tolerancës ndëretnike dhe të solidaritetit ndaj atyre që janë në nevojë. Kjo nuk duhet të jetë vetëm lustër në sytë e botës, por duhet të jetë element i moralit dhe i kulturës së një populli, që ka bërë shumë sakrifica për lirinë e vet. Është thënë shumë herë se liria e askujt nuk mund të ngrihet mbi fatkeqësinë e tjetrit dhe kjo është provuar edhe në dhjetëvjeçarin e kaluar në ish-Jugosllavi. Prandaj mbyllja e plagëve të së kaluarës, që në çfarëdo mënyre lënë mbresën se janë me prejardhje nga ajo mendësi, është mirë të jetë sa më e shpejtë dhe sa më rezultative.

XS
SM
MD
LG