Ndërlidhjet

BUSH ADRESON ÇËSHTJET E LIRISË NË BOTË


Andrew F. TULLY

Të mërkurën në mbrëmje, presidenti i Shteteve të Bashkuara George Bush do ta mbajë para Kongresit fjalimin vjetor drejtuar kombit.
Fjalimi i vitit të kaluar ishte i shkurtër në çështjet e politikës së jashtme, por presidenti megjithatë i përmendi disa nisma të filluara dhe disa qëllime.
Presidenti i parë amerikan George Washington, e mbajti fjalimin e parë drejtuar kombit në vitin 1790 në Nju Jork, kryeqytetin e atëhershëm të vendit.
Presidenti i tretë, Thomas Jefferson, nuk e vazhdoi praktikën, duke thënë se i dukej si punë mbretërore. Në vend të kësaj, ai dërgoi një fjalim të shkruar në Kongres, që e lexoi një nëpunës.
Por në 1913, presidenti Woodrow Wilson e riktheu praktikën, dhe prej atëherë çdo president i është drejtuar kombit në Kongres.
Fjalimi përputhet me fillimin e sesionit vjetor të Kongresit. Robert Spitzer, profesor i shkencave politike nga universiteti shtetëror i Nju Jorkut, thotë se Kushtetuta parasheh fjalime të tilla.
"Është një fillim i rëndësishëm. Është koha kur presidenti i thotë Kongresit: "Ka gjëra, për të cilat unë mendoj se ky vend duhet t'i bëjë". Kjo e ndihmon agjendën e Kongresit në muajt e ardhshëm dhe paraqet fillim formal të vitit të ri politik", thotë Spitzer.
Zoti Bush mund t'i adresojë çështjet për përhapjen e lirisë në mbarë botën, që i tha para dy javësh në fjalimin inaugurues, pohon Spitzer, duke shtruar pyetjen se si do t'i zbatojë presidenti qëllimet e tilla te vendet mike me regjim autoritar dhe si planifikon t'i përmirësojë marrëdhëniet me aleatët e Amerikës.
"Çfarë do të bëhet me Arabinë Saudite, Pakistanin apo Egjiptin? Kur Bushi flet për rëndësinë e përhapjes së lirisë, a i përfshin ai edhe këto vende? Si do t'ia bëjë me vendet evropiane dhe aleatët tradicionalë? Ka sinjale se dëshiron t'i përmirësojë marrëdhëniet me aleatët që kundërshtuan luftën në Irak, por s'është e qartë deri ku do të shkojë", thotë Spitzer.
Në fakt, zoti Bush ka biseduar me telefon me presidentin francez Jacques Chirac dhe kancelarin gjerman Gerhard Schroeder. Që të dy kanë shprehur optimizëm për ecurinë e zgjedhjeve në Irak, por nuk kanë dhënë indicie se mund ta ndryshonin mendimin rreth qëndrimit të trupave atje.
Spitzer thotë se presidenti Bush me të drejtë mund të mburret me zgjedhjet në Irak.
"Zgjedhjet ishin shprehje e mrekullueshme e ndjenjave demokratike të miliona qytetarëve irakienë. Meqë Bushi kërkonte të mbahen zgjedhjet dhe të mos shtyhen, mendoj se ai kishte të drejtë. Por shtrohet pyetja për problemet praktike të qeverisjes. Ka shumë shembuj në botë, ku vendet që mbajtën zgjedhje të suksesshme, përfunduan si regjime jostabile", thotë Spitzer.
Por Allan Lichtman, thotë se disa çështje që zoti Bush i tha në fjalimin e kaluar nuk kanë shkuar si duhet.
Profesori i historisë nga Universiteti Amerikan në Uashington, këtu ka parasysh premtimin për kapjen e Osama bin Ladenit dhe krerëve të tjerë të Al - Kaidës.
Lichtman thotë se zgjedhjet e së dielës e kanë përmirësuar pikëpamjen e botës ndaj Irakut, por ai nuk pret që aletët tradicionalë ta ndryshojnë mendimin për trupat.
"George Bush nuk do të dëshironte asgjë më shumë se sa të kishte mbështetje të fuqishme për politikat e tij në Irak dhe në botë. Iraku mbetet vend shumë i rrezikshëm dhe te të tjerët nuk shihet ndonjë entuziazëm për pjesëmarrje", thotë Lichtman.


XS
SM
MD
LG