Ndërlidhjet

H. THAÇI: TAKIMI ME KRYEMINISTRIN BUÇKOVSKI ISHTE KONSTRUKTIV


Isuf Kadriu, Shkup

Kryeministri i Maqedonisë Vllado Buçkovski dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi, në një takim që zhvilluan sot në Shkup, kanë diskutuar për çështjet që kanë të bëjnë me caktimin e vijës kufitare dhe zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.
"Ky takim më ka inkurajuar se Maqedonia nuk duhet të ketë frikë nga çfarëdo zgjidhje përfundimtare e statusit të Kosovës", tha kryeministri Buçkovski, sipas të cilit, ky angazhim i zotit Thaçi dhe i zyrtarëve të tjerë kosovarë, në asnjë mënyrë nuk do të rrezikojë stabilitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë dhe kjo sipas tij do të forcojë dhe pozitën e Kosovës.
Kryeministri Buçkovski tha se është i interesuar që para zgjidhjes së statusit të Kosovës, të përfundojë procesi i caktimit të vijës kufitare me Kosovën. Por kryetari i PDK-së Hashim Thaçi, tha se caktimi i vijës kufitare mund të bëhet vetëm pas zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe ajo mes Shkupit dhe Prishtinës.
"Është një çështje e ndjeshme dhe duhet të zgjidhet me proces politik, në mes të autoriteteve legjitime të Prishtinës dhe autoriteteve të Shkupit, me angazhimin konkret dhe të drejtpërdrejtë të UNMIK-ut dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë", tha zoti Thaçi, duke e vlerësuar si tepër konstruktiv, takimin e sotëm me kryeministrin Vllado Buçkovski.
"Besoj se Shkupi dhe Prishtina, edhe më tutje do të jenë partnerë në implementimin e standardeve perëndimore në rajon. Do vazhdojmë fuqishëm të mbështesim zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe besojmë se Maqedonia gradualisht po bëhet shembull i multietnicitetit në rajonin e Ballkanit", tha Thaçi.
Ndërsa sa i përket zhvillimeve në Kosovë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi, ka shprehur bindjen se në mbledhjen e radhës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, do të jepen vlerësime pozitive për zhvillimet në Kosovë, ashtu sikur se edhe javën e ardhshme gjatë qëndrimit në Bruksel të kryeadministratorit Soren Jessen Petersen. Kryetari i PDK-së tha se në asnjë mënyrë nuk mund të arsyetohet vendimi i kryeministrit Ramush Haradinaj, për të mos shkuar në Nju Jork, ndërsa ka vlerësuar lart angazhimin e kryeadministratorit Petersen për punën që po bën në Kosovë.
"Nuk ka asnjë vendim justifikues që mund të arsyetojë moshkuarjen në OKB. Dhe natyrisht se zoti Soren Jessen Petersen ka sjellë një filozofi të re të angazhimeve të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë dhe jemi partnerë për zbatimin e agjendave tona të përbashkëta," tha Thaçi.
Duke u përqëndruar në raportet që kanë të bëjnë me integrimin e pakicave e në veçanti të asaj serbe, kryetari i PDK-së u shpreh se përkundër ndikimeve të Beogradit, integrimi i serbëve ka filluar pasi e ardhmja e tyre, sipas Thaçit, mbetet Kosova.
"E ardhmja e tyre e sigurt, demokratike është Kosova dhe jo mesazhet manipuluese të qarqeve të caktuara të Beogradit. Unë jam i sigurt se në Kosovë po ndërtohet një realitet, ku çdo qytetar do t'i gëzojë të drejtat e veta të barabarta", përfundoi Hashim Thaçi.

XS
SM
MD
LG