Ndërlidhjet

BAJRAM KOSUMI ZGJIDHET KRYEMINISTËR I RI I KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Me 71 vota pro dhe 36 kundër Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur sot Bajram Kosumin si kryeministër të Kosovës dhe ka miratuar propozimet e tij për zëvendëskryeministrin, ministrat, si dhe për zëvendësit e tyre, të cilët pas zgjedhjes janë betuar solemnisht.
Në fillim të seancës së sotme, kryetari i Kuvendit Nexhat Daci, ka lexuar propozimin zyrtar të presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, për nominimin e Bajram Kosumit mandator për formimin e qeverisë së re, pas dorëheqjes dhe shkuarjes në Hagë të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj. Zoti Kosumi ka paraqitur kabinetin e tij qeveritar që nuk ndryshonte nga i përparshmi, përveçse ministra të rinj janë Ardian Gjini për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor në vend të, tani kryeministrit, Bajram Kosumi dhe Ibrahim Selmanaj, aktualisht kryetar i komunës së Deçanit, që është zgjedhur Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, në vend të Ahmet Isufit, që dha dorëheqjen. Duke iu drejtuar deputetëve në cilësinë e kandidatit për kryeministër, zoti Bajram Kosumi tha:
"Qeveria që do të udhëheq unë, është vazhdimësi e qeverisë së mëparshme. Programi i qeverisë së mëparshme, i miratuar para tre muajsh këtu, është punë e përbashkët e partnerëve në koalicion dhe i ekspertëve që kanë punuar për ne, prandaj ai program do të jetë bazë edhe për qeverinë e re."
Zoti Kosumi tha se programi i qeverisë së tij vazhdon angazhimin për përmbushjen e standardeve, zhvillimin ekonomik dhe zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës:
"Natyrisht tani një pjesë e standardeve janë realizuar. Pjesa tjetër do të realizohet në qershor, por edhe pas qershorit, pasi nën formulën ”Standardet për Kosovën” janë disa prej parimeve themelore të demokracisë dhe të lirisë në Kosovë".
Propozimet janë përkrahur nga shefat e grupeve parlamentare të partnerëve të koalicionit, ndërkohë që përfaqësuesja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gjylnaze Syla, ka shprehur disa pikëpamje për figurën e zotit Haradinaj:
"Ai është hero sepse e kuptoi shkallën e përgjegjësisë që vjen me lirinë. Tërë jetën ua kushtoi të tjerëve dhe çdo gjë që bëri ishte në interesin më të mirë të Kosovës, prandaj jemi thellë të bindur se është i pafajshëm për krimet që i ngarkohen dhe se atij i duhet mundësuar të mbrohet në liri."
Përderisa propozimi është përkrahur edhe nga Grupi 6 Plus i pakicave joserbe, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Jakup Krasniqi, tha se kjo parti kërkonte shtyrjen e zgjedhjes së kabinetit qeveritar dhe formimin e një komisioni hetimor për të hetuar përgjegjësinë eventuale të anëtarëve të kabinetit qeveritar për krime ordinere përfshirë, vrasjet, kërcënime shantazhe dhe krime ekonomike, siç u shpreh Krasniqi. Ndaj kësaj kërkese ka reaguar shefi i grupit parlamentar të LDK-së Alush Gashi:
"Propozimi dhe mbështetja e LDK-së për propozimin e presidentit të Kosovës Dr. Rugova, për nominimin e zotit Bajram Kosumit dhe mbështetja për listën e tij qeveritare, mbështetet në Kornizën Kushtetuese dhe në procedurat e këtij Kuvendi. Unë e kuptoj akuzën e PDK-së, nga e cila distancohem plotësisht, sikur në sistemin tonë dhe në procedurat tona të egzistonte mundësia e organizimit të dëshmive individuale për kandidatë."
Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, Hashim Thaçi përsëriti nevojën e konsenzusit:
"Historia e Kosovës nuk fillon sot. Sot po ndodh një aksident politik në procesin politik të ndërtimit të shtetit modern dhe të pavarur të Kosovës. Kosovës dhe qytetarëve të saj mbi të gjitha u nevojitet stabiliteti, bashkëpunimi, qetësia, toleranca dhe konsenzusi në procesin politik për bërjen e pavarësisë."
Zoti Thaçi, ashtu si edhe lideri i partisë Ora Veton Surroi, kërkoi që parlamenti të miratojë një rezolutë për mbrojtjen në liri të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj. Lidhur me qeverinë, zoti Surroi, tha se vizioni i prezantuar nga tani kryeministri Kosumi premton kontinuitet në formë jokonkrete, për të vazhduar atë që ka bërë qeveria e kaluar:
"Ajo që bëri qeveria e kaluar ishte dinamizim i raporteve dhe i paraqitjes, si dhe premtim për realizimin e objektivave të programit qeverisës. Qeveria e re që lind nga i njëjti koalicion paraqitet sot si premtues i zbatimit të premtimeve të qeverisë së kaluar".
Kërkesave të opozitës për konsenzus u është përgjigjur, ndërkaq, kryetari i Kuvendit zoti Nexhat Daci:
"Në rrjedhat aktuale që gjendet Kosova unë sot kërkoj konsenzus nga opozita që ta përkrahë pozitën për të fituar kredi, që në momentet e caktuara jo pak njerëz të pozitës kanë vullnet për bashkëpunim".
Më pas, Kuvendi i Kosovës, me vota të hapura, me ngritje dore ka votuar, duke zgjedhur kryeministër të ri të Kosovës zotin Bajram Kosumi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe duke aprovuar propozimet e tij për kabinetin qeveritar.

XS
SM
MD
LG