Trupat e pajetë të gjashtë serbëve të vrarë gjatë Luftës në Kosovë iu dorëzuan sot autoriteteve të Serbisë, ka thënë Jose Pablo Baraybar, nga administrata ndërkombëtare në Kosovë. Pranim dorëzimi u bë në Merdar. Zoti Baraybar tha se "kjo nuk ishte hera e parë që trupat e pajetë të serbëve të Kosovës transferohen në Serbi". Agjencitë e lajmeve raportojnë se prej përfundimit të Luftës, në katër varreza masive janë gjetur trupat e pajetë të shqiptarëve të vrarë në Kosovë, që ishin varrosur në mënyrë të fshehtë në Serbi. Sipas Unmikut, afro 900 trupa të pajetë të shqiptarëve të Kosovës janë zhvarrosur nga këto varreza masive në Serbi. Afro 350 prej tyre tashmë janë kthyer në Kosovë.