Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

VATIKAN


Gjendja shëndetësore e Papa Gjon Palit të Dytë mbetet shumë serioze dhe tregon shenjat e para të humbjes së vetëdijes, ka bërë të ditur Selia e Shenjtë.
Zëdhënësi i Papës, Joakim Navarro Vals u ka thënë gazetarëve se Papa megjithate nuk është në gjendje kome. Ai ka shtuar se gjendja e Papa Gjon Palit të Dytë marrë në tërësi është jashtëzakonisht e rëndë.
Televizioni italian ka cituar kardinalët më të lartë të Vatikanit të kenë thënë se Papa është i vetëdijshëm se është duke vdekur dhe se e ka thënë lamtumirën e fundit.
Mijëra besimtarë në Vatikan bashkë me miliona njerëz në gjithë botën vazhdojnë të luten dhe të nderojnë Papa Gjon Palin e Dytë.
Krahas lutjeve miliona polakë kanë ndezur qirinjë në shenjë respekti për Papën.
Ish presidenti i Polonisë Leh Valensa i ka thënë agjencisë Rojter se Papa Gjon Pali i Dytë ka pasur rol të madh në përmbysjen e komunizmit në këtë vend.
"Po të mos ishte Papa Gjon Pali i Dytë komunizmi ende do të ishte këtu në Poloni, komunizmi do të kishte jetë shumë më të gjatë. Papa solli shpresën, ai inkurajoi popujt, ata filluan betejën dhe ne tash kemi një botë të lirë" tha Leh Valensa.
XS
SM
MD
LG