Ndërlidhjet

PAPA GJON PALI I DYTË


NEW YORKER

Karol Wojtyla, poet, aktor dhe shkrimtar, i cili për 20 vjet ishte peshkop në Poloni, u zgjodh Papë nga Këshilli i Kardinalëve në 16 tetor, 1978. Fill pas kësaj, Yuri Andropov, kreu i shërbimit sovjetik të kundërzbulimit, e thirri shefin e KGB-së në Varshavë dhe e pyeti i tërbuar: "Si mund të lejoni të zgjedhet papë një qytetar i vendit socialist "? Por përgjigja që mori ishte se Andropovi duhej t'i drejtonte hetimet kah Roma.
Sikleti i Andropovit ishte ekzistencial dhe i bazuar. Si mbrojtës i besimit sovjetik, Andropov kishte urdhëruar dëbimin e Aleksandër Solzhenjicin nga Rusia me pretekst për kërcënimin e stabilitetit të Bashkimit Sovjetik. Tash ai e urdhëroi shefin e Drejtorisë së Parë të KGB-së që ta analizojë potencialin e këtij kërcënimi të ri, i cili e quajti veten Gjon Pali i Dytë. Sipas George Weigel, biografit të Papës, analizat e nxituara të kundërzbulimit sovjetik nxorrën se zgjedhja e Vojtilës ishte mbështetur nga komploti gjermano-amerikan, i prirë në mesin e të tjerëve edhe nga Zbigniew Brzezinski, Këshilltar për Siguri Kombëtare i ish presidentit Jimmy Carter. Qëllimi i tyre, thoshte dokumenti, nuk është asgjë tjetër përpos minimi i regjimit komunist në Poloni dhe shpërbërja përfundimtare e Bashkimit Sovjetik dhe satelitëve të vet, analizë sa parashikuese aq dhe qesharake.
Por jo shumë gjatë pasi u zgjodh, Papa shpalli se do të bëjë një pelegrinazh në Poloni. Për t'ia dalë në krye me atë që e dinin se do të ishte ndikimi i vizitës, Partia u dërgoi një memorandum sekret të gjithë mësuesve në mbarë vendin.
"Papa është armiku ynë. Përkundër shkathtësive dhe ndjenjën e humorit që ka, ai është i rrezikshëm, sepse i bën për vete të gjithë, sidomos gazetarët. Ai është i modeluar sipas fushatës presidenciale amerikane. Për shkak të aktiviteteve të Kishës në Poloni, ne duhet t'i përforcojmë përpjekjet për ateizimin e rinisë, dhe për këtë nuk duhet zgjedhur mjetet dhe duhet lënë anash emocionet", thuhej në dokumentin e partisë.
Gjon Pali, i cili në vitin 1941 e kishte parë arrestimin e priftërinjve polakë nga Gestapoja, dhe nënshtrimin e Kishës Polake ndaj asaj ruse pas Luftës së Dytë Botërore, erdhi në krye të papatit duke u thënë të gjithëve "Mos kini frikë". Siç e kuptoi Andropovi në mënyrën e tij paranoike, ky ishte një mesazh potencialisht subverziv, i ngjashëm me atë të Solzhenjicinit "Jeto pa gënjeshtra".
Adam Michnik, një disident polak, thotë se vizita e Papës në Poloni solli shpresën, e sfidoi "jetën e pandershme", dhe e ringjalli karakterin e vetëflijimit, në emër të të cilit gjyshërit dhe etërit kurrë nuk kanë pushuar së luftuari për dinjitetin kombëtar dhe njerëzor.
Në 31 gusht, 1980, 448 ditë pas zgjedhjes së Papës, në Gdanjsk Lech Walesa e nënshkroi marrëveshjen për formimin e "Solidaritetit", sindikatës së parë të pavarur në perandorinë sovjetike. Në mars 1985, Mikhail Gorbatchev, një reformator i ardhur nga provinca, u bë sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste Sovjetike. Në 1990, Vaclav Havel, një politikan tjetër gjithashtu shkrimtar, e mirëpriti Papa Gjon Palin e Dytë në Pragë duke i thënë: "Nuk jam i sigurt nëse e dij se çfarë është mrekullia, por mund të them se unë tash po marr pjesë në një mrekulli të tillë. Në vendin e shkatërruar nga ideologjia e urrejtjes, mbërriti lajmëtari i dashurisë".
Ndërsa natën e Krishtlindjeve 1991, Gorbatchev, i cili te Papa e kishte gjetur aleatin e tij, u dakordua të shpërbëjë perandorinë e vet.
XS
SM
MD
LG