Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

MOORE:"EMBARGOJA E ARMËVE KUNDËR KINËS, MOLLË SHERRI NË RAPORTET SHBA - BE"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, duket se kishin shënuar avancim pas vizitës së presidentit Bush në Evropë gjatë muajit shkurt. Por, një burim konflikti ka mbetur synimi i Bashkimit Evropian për të hequr embargon e armëve ndaj Kinës. Cili është komenti juaj?

PATRICK MOORE
Embargoja u vendos në vitin 1989 pas masakrës së ushtrisë kineze ndaj qytetarëve kinezë në sheshin Tian An Men të Pekinit. Tash Bashkimi Evropian nën presionin e Gjermanisë dhe Francës, vendosi në parim të heqë embargon ndaj shitjes së armëve Kinës, por do të duhet shumë kohë derisa kjo të vihet në zbatim. Por pse Gjermania Franca dhe disa vende të tjera po ushtrojnë presion për të hequr këtë embargo? Ata argumentojnë që embargo është tashmë e vjetëruar, sepse që nga viti 1989 Kina është bërë një vend më i përparuar, ka një ekonomi të avancuar dhe tashmë pas 16 vjetësh është një lojë tjetër. Gjermanët dhe francezët veçanërisht, por edhe britanikët janë të interesuar në përfitime ekonomike nga kjo çështje. Ata duan t'i shesin armë Kinës dhe pasi që gjermanët dhe francezët zakonisht realizojnë qëllimet e tyre në Bashkimin Evropian, mesa duket edhe kjo gjë herët apo vonë do të ndodhë. Nga ana e Francës është një dëshirë për të krijuar Kinën si një pol të kundërt ushtarak ndaj Shteteve të Bashkuara, siç i pëlqen të thotë presidentit Shirak. Pra ka një element të qartë antiamerikan në këtë histori. Kundërshtimet kryesore vijnë nga Shtetet e Bashkuara, sepse Kina ende shkel të drejtat e njeriut dhe gjendet shumë larg të qenit një demokraci. Megjithatë ka një kundërshtim ende më serioz ndaj heqjes së embargos së armëve në terma shumë praktike. Shtetet e Bashkuara kanë një marrëveshjeje mbrojtjeje me Tajvanin, Korenë e Jugut dhe Japoninë. Shtetet e Bashkuara nuk duan të kenë situatën kur trupat amerikane luftohen dhe vriten nga armët e teknologjisë së lartë që janë prodhim i evropianoperëndimorëve të cilët SHBA-të i kanë mbrojtur për gjysëm shekulli me radhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Havier Solana, embargon e ka cilësuar qëndrim "jo të drejtë" ndaj Kinës. Si e komentoni ju këtë deklarim të zotit Solana?

PATRICK MOORE
Ajo që Solana dëshiron të ndodhë dhe që në fakt është drejt krijimit është një Ministri e vërtetë e Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian si një supershtet, nën kushtetutën që është propozuar për Bashkimin Evropian, e cila u hartua nën udhëheqjen e një ish presidenti francez dhe e cila do të sigurojë jo vetëm që Bashkimi Evropian të funksionojë si një supershtet, por që pozicioni i Gjermanisë dhe Francës në Bashkimin Evropian nuk do të rrezikohet nga vende si Polonia apo Spanja. Si rezultat i kësaj Solana, duke parë funksionin e tij të ardhshëm si një Ministër i vërtetë i Punëve të Jashtme, do marrëdhënie të mira me Pekinin dhe po ndjek një tendencë të Bashkimit Evropian që kërkon më tepër angazhim të njerëzve në Pekin sesa një kundërvënie apo qëndrim të ftohtë ndaj tyre. Ajo që ka qenë një zhvillim interesant muajt e fundit është fakti që pavarësisht se Pekini ka ushtruar mjaft presion mbi BE-në, përfshirë Gjermaninë dhe Francën në mënyrë që ata të vazhdojnë të mbështesin heqjen e embargos së armëve, Kongresi Popullor Kinez, me 3000 vota për, asnjë kundër dhe dy abstenime, kohët e fundit aprovoi ligjin kundër shkëputjes, i cili i referohet kryesisht Tajvanit dhe në fakt mund të rrezikojë këtë vend me luftë. Duke e miratuar këtë ligj në këtë kohë kinezët i demonstruan gjithkujt se kanë si synim luftën. Por, ajo që ka ndodhur kohët e fundit është që anembanë Evropës, veçanërisht në Gjermani, partia e të Gjelbërve që është një aleat i partisë së Shrëderit, por edhe shumë të tjerë kanë thënë se nuk bënë të hiqet embargoja e armëve, sepse Kina po flet me një gjuhë mjaft luftarake dhe ende vazhdon të shkelë të drejtat e njeriut. Prandaj për herë të parë prej vitesh, këtu duket që shumica e opinionit publik evropian favorizon Shtetet e Bashkuara në kurriz të lidershipit francez dhe gjerman në parimet e mbrojtjes së paqes dhe të drejtave të njeriut.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore edhe një pyetje në këtë temë: çfarë fiton Evropa nëse suprimon embargon e armëve kundër Kinës, përkatësisht çfarë synohet me këtë lëvizje?

PATRICK MOORE
Janë të interesuar për përfitime mjaft të mëdha ekonomike që vijnë nga shitja e armëve dhe në rastin e Francës edhe të krijimit të një kundërpeshe amerikane, të një kundërshtari ushtarak potencial të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por, ka disa gjëra të këqija që mund të pësojnë nëse heqin embargon e armëve dhe veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara. SHBA-të e kanë bërë të qartë që nëse Bashkimi Evropian i shetë armë Kinës mund të presë disa veprime armiqësore nga ana e Uashingtonit. Së pari do ketë kufizime në ndarjen e teknologjisë amerikane me BE-në. Kjo për të arsyen e thjeshtë se nuk do donim të përballeshim me teknologjinë tonë në duart e kinezëve, nëse kinezët do të luftonin me ushtarët amerikanë për Tajvanin. Gjëja e dytë është që Shtetet e Bashkuara me siguri nuk do të lidhnin më asnjë kontratë për armët me ndonjë firmë evropiane thjesht për arsye kundërpërgjigjeje. Amerikanët gjithashtu po planifikojnë të blejnë 500 aeroplanë të mëdhenj. Airbusi evropian është ndër të parët në listë për një kontratë për disa nga këto aeroplanë dhe nëse BE-ja do të vazhdojë me mendjen e vet dhe do t'i shesë armë Kinës, Airbusi nuk do fitojë asnjë kontratë me SHBA-të dhe rrezikon të humbë një përfitim të jashtëzakonshëm ekonomik. Ajo që po përpiqem të them është se përmes bllokimit të dhënies së teknologjisë dhe mohimit të çfarëdolloj kontrate armësh me firmat evropiane, Bashkimi Evropian do humbas shumë më tepër nëse nuk do kishte kontrata me amerikanët, sesa do fitonte nëse do kishte kontrata ekonomike me Kinën. Kështu ajo që duhet të bëjmë është të shohim që këto lloj argumentesh së bashku me ndryshimet në qëndrimet e opinionit publik, po e bëjnë pothuajse të pamundur faktin që Bashkimi Evropian të heqë armën embargon e armëve gjatë vitit 2005.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG