Ndërlidhjet

UNICEF: MAQEDONIA HAPA POZITIVE KUNDËR TRAFIKUT TË NJERËZVE


Sefer Tahiri, Shkup

Në raportin e UNICEF-it për trafikimin jolegal me njerëz të publikuar sot në Shkup thuhet se Maqedonia është duke bërë përpjekje të mëdha për asgjesimin e keqpërdorimit të fëmijëve. Sipas ambasadorit të UNICEF-it në Shkup Hongvei Gao, legjislatura e Maqedonisë që e rregullon çështjen e pengimit të kësaj dukurie negative është në harmoni me standardet ndërkombëtare.
" Qeveria e Maqedonisë ka ndërmarrë një numër të madh të aksioneve në drejtim të parandalimit të trafikimit me fëmijë dhe aksione për pengimin e trafikimit me njerëz jashtë kufijve të vendit", tha ambasadori i UNICEF-it Hongvei Gao, duke shtuar se të dhënat dëshmojnë se ky problem ka shënuar rënie dramatike, megjithatë që të arrihet parandalimi efektiv i trafikimit me njerëz dhe fëmijë, duhet patjetër të përforcohen masat mbrojtëse dhe parandaluese.
Ndërkohë përfaqësuesja e zyrës për të drejtat e njeriut dhe institucione demokratike pranë OSBE-së Xheraldine Bjallshtad, theksoi se sa i përket pengimit të trafikimit me njerëz, Maqedonia në krahasim me vendet e tjera të Evropës Juglindore është shumë përpara:
"Në aspektin e pengimit të trafikimit jolegal me fëmijë, Maqedonia ka pozitë udhëheqëse në rajon", tha Bjallshtad.
Përfaqësuesit e UNICEF-it thanë se edhe pse nuk egzistojnë të dhëna të sakta për trafikimin me fëmijë në Maqedoni, dihet se ato janë vajza të moshës adoleshente prej 15-17 vjeç.
Para dy viteve në Maqedoni, 132 femra të shteteve të huaja janë identifikuar si viktima të trafikimit me njerëz. Shumica prej tyre kanë qenë vajza më të reja se 18 vjeç, por ka patur edhe më të reja se 15 vjeç.



XS
SM
MD
LG