Ndërlidhjet

ZHVILLOHET CEREMONIA E VARRIMIT TË ENVER HARADINAJT


Dhjetëra mijëra veta janë tubuar të marrin pjesë në
varrimin e Enver Haradinajt, ish-luftëtar i UÇK-së dhe vëlla i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, i vrarë nga persona ende të panjohur të premten në aksin rrugor Pejë – Deçan. Homazhet kane filluar që nga ora 13:00 në shtëpinë e familjes Haradinaj, ndërkaq në këto çaste trupi i Enver Haradinajt varroset në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Gllogjan. Në aktin e varrimit tashmë ka mbërritur nga Haga dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj i liruar me kusht, si edhe vëllai tjetër i Enverit të vrarë, Daut Haradinaj, i cili është liruar për disa orë që të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit nga burgu i Dubravës.
Në Gllogjan kanë mbërritur gjithashtu dhe personalitete të larta të jetës politike e publike në Kosovë, ndërsa vet ceremonia e varrimit po zhvillohet nga Trupat e Mbrojtjes së Kosovës. Ndërsa ceremonia e varrimit zhvillohet në këto çaste, policia ka njoftuar se ka gjetur fakte të reja për mënyrën e vrasjes së Enver Haradinajt, por nuk ka arritur ende që të kapë askënd si të dyshuar për këtë vepër penale. Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Refki Morina, tha se organet e hetuesisë dhe kriminalistikës kanë gjetur prova të reja në vendin e ngjarjes:
"Në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja të kalibrit 7- 62 milimetra dhe në vazhdimësi do të thoja proçedura është në vazhdim duke u bërë ekzamini i veturës dhe dëshmitari i rastit dhe dëshmive të reja të rëndësishme për këtë rast. Kërkohet dhe një bashkëpunim më i madh i banorëve të kësaj zone me policinë"
Ndërkohë Morina ka njoftuar sërish se përkundër numrit të madh të njerëzve që po marrin pjesë në ceremoninë e varrimit dhe ndjeshmërisë së gjendjes pas kësaj vrasjeje, situata e sigurisë në tërë Kosovën
përshkruhet e qetë, si edhe në rajonin e Pejës:
"Gjendja e sigurisë në të gjithë Kosovën është në vija normale. Sa i përket rajonit të Pejës e Deçanit aty është SHPK-ja, policia ndërkombëtare dhe KFOR-i q ëpo mbajnë rend e siguri, si në gjithë Kosovën, derisa deri tani nuk ka pasur probleme"
Në ditën e varrimit të Enver Haradinajt, në Kosovë sot është ditë zie dhe të gjitha aktivitetet publike janë
pezulluar. Enver Haradinaj, djali i pestë i Hilmi Haradinajt, ishte 24 vjeçar dhe studionte në Kolegjin Amerikan në Prishtinë. Ai ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkë me katër vëllezërit e tij me të rritur, dy nga të cilët qenë vrarë gjatë luftës.

Zijadin Gashi, Prishtinë
XS
SM
MD
LG