Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

OPOZITA BRAKTIS SEANCËN E KUVENDIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Edhe seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ka përfunduar si disa herë më parë, me lëshimin e punimeve nga opozita dhe vazhdimin e seancës vetëm nga partitë në pushtet.
Në fakt, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, i ka dorëzuar sot Kuvendit kërkesën me 31 nënshkrime, me të cilën ka kërkuar hapjen e debatit parlamentar në lidhje me decentralizimin, si dhe ka kërkuar formimin e një komisioni hetimor “ad hoc” në lidhje me dyshimet e këtij subjekti politik, për përfshirjen e disa zyrtarëve të lartë të qeverisë në krimet e rënda në Kosovë. Në arsyetimin e këtyre kërkesave, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Jakup Krasniqi, tha se decentralizimi është një proces me rëndësi thelbësore për Kosovën dhe se ai duhet të shtrohet për debat në Kuvend, si institucioni më i lartë në Kosovë. Kurse formimi i komisionit hetimor në lidhje me dyshimet për përfshirjen e zyrtarëve të lartë qeveritar në krime të rënda, sipas Krasniqit, do ta ndihmonte Kosovën në krijimin e një ambjenti më të favorshëm ekonomik, politik, por edhe të sigurisë. Krasniqi më pas përmendi një numër të madh të akteve dhe veprave të rënda penale që nuk janë zbuluar asnjëherë, si arsye të mjaftueshme për formimin e këtij komisioni hetimor.
“Problemi është për disa njerëz që janë në qeveri dhe që dyshohet që janë të inkriminuar në disa çështje që janë ngritur dhe nuk e shohim të arsyeshme që këtë ta shohim si sulm ose si ngritje kundër LDK-së. Në anën tjetër na vjen keq që grupi më i madh parlamentar, ai i LDK-së, pengon formimin e komisioneve, pengon sundimin e ligjeve dhe vihet në mbrojtje të njerëzve që dyshohet se janë të inkriminuar”, tha Krasniqi.
Në lidhje me këto kërkesa të opozitës, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alush Gashi, tha se në lidhje me decentralizimin, LDK-ja do të jetë e gatshme të bisedojë atëherë kur qeveria të jetë e gatshme për ta shtruar këtë çështje. Kurse në lidhje me komisionin hetimor, Gashi tha se Kuvendi angazhohet në të mirë të të gjithë qytetarëve dhe se askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin. Por, tha Gashi, foltorja e Kuvendit po përdoret për një fushatë kundër LDK-së dhe zyrtarëve të saj të lartë në qeveri. Ne e mbështesim respektimin e ndarjes së pushtetit dhe nuk jemi për ndërhyrje në punët e organeve të gjyqësisë, tha Alush Gashi. Ai i tha se komisionet në parlament mund të formohen për hetime të tjera, por parlamenti, sipas tij, nuk mund të shërbejë për të luajtur rolin e policit dhe gjykatësit.
"Nga shtypi kemi kuptuar se PDK ka përcjellur në UNMIK e pastaj në polici, dosje kundër LDK-së, respektivisht disa anëtarëve të kabinetit aktual të qeverisë së Kosovës. Komisionet për hulumtim janë të mirëseardhura për çështje në kompetenca të Kuvendit, por jo për çështje për të cilat ne nuk jemi këtu. Ne jemi deputetë, nuk jemi policë, nuk jemi prokurorë, por nuk jemi as gjykatës”, theksoi Gashi.
Ndërkohë edhe partia politike "Ora", e ka përkrahur kërkesën e PDK-së. Kryetari i saj Veton Surroi kërkoi që Kuvendi të marrë në duart e veta materialin e PDK-së dhe të mbajë një seancë të mbyllur bashkë me organet e rendit, për të shqyrtuar inkriminimin e mundshëm të zyrtarëve të qeverisë.
“Çështja e krimit zonja e zotërinj është serioze dhe nuk është vetëm çështje e një debati. Ne, Grupi Parlamentar "Ora", gjendemi sot në zyrat e Kuvendit të Kosovës, sepse zyrat tona janë shkatërruar në tërësi pas shpërthimit të një bombe. Në cilindo vend, i cili do të respektonte një klimë normale demokratike, ato zyra do t’i vizitonte jo vetëm zëvendës-kryeadministratori i Kosovës, por edhe kryetari i Kosovës, kryetari i parlamentit dhe kryeministri i Kosovës. Grupi "Ora" nuk është grup nga marsi, është nga Kosova dhe do të duhej të respektohej nga bartësit e këtyre institucioneve”, tha Surroi.
Veton Surroi i ka kritikuar ashpër tre udhëheqësit e institucioneve, presidentin, kryeministrin dhe kryeparlamentarin, për faktin se ata nuk e kanë vizituar këtë parti politike pas sulmit ndaj saj dhe demolimit të tërësishëm të zyrave të partisë.
Në vazhdim, sipas procedurës, kërkesa e PDK-së e mbështetur nga "Ora" janë hedhur në votim dhe me këtë rast nuk kanë marë përkrahjen e shumicës. Si shenjë pakënaqësie Grupi Parlamentar i PDK-së, e ka konsideruar vetën të mbivotuar nga pozita dhe i ka lëshuar punimet e Kuvendit. Më pas njësoj ka vepruar dhe "Ora", kështu që Kuvendi i vazhdoi punimet vetëm me partitë politike në pushtet, duke shqyrtuar disa projektligje në procedurë.

XS
SM
MD
LG