Ndërlidhjet

PETERSEN PROPOZON FORUM JOFORMAL KU PUSHTETI DHE OPOZITA DO DISKUTONIN INTERESAT KOMBËTARE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Soren Jessen Petersen, ka propozuar sot formimin e mekanizmi joformal, në të cilin do të diskutoheshin çështjet më të rëndësishme për Kosovën, përfshirë, standardet, decentralizimi dhe statusi. Këtë propozim zoti Petersen e ka bërë gjatë një takimi me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe me liderët e partive kryesore politike. Tani që po shkojmë drejt një faze shumë të rëndësishme për Kosovën kur pritet fillimi i përcaktimit të statusit të Kosovës pas vlerësimit teknik dhe politik të standardeve, është mirë që pozita dhe opozita të përqendrohen për të diskutuar lidhur me çështjet me rëndësi kombëtare për Kosovën:
"U kam propozuar liderëve dhe presidentit, që do të ishte i dobishëm një forum joformal që unë do të mund ta bëja," tha zoti Petersen, për të shpjeguar se në atë forum do të diskutoheshin çështjet më të rëndësishme për Kosovën. Mirëpo, zoti Petersen tha se në asnjë mënyrë një forum i tillë nuk do të anashkalojë institucionet:
"Nuk është zëvendësim i institucioneve, por është përkrahje për institucionet egzistuese dhe është dialog për çështjet më madhore," tha Petersen.
Në anën tjetër, propozimi i zotit Petersen duhet të presë përgjigjen nga partitë politike dhe liderët kryesorë të Kosovës. Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova me këtë rast tha:
"Kishim atmosferë mjaft pozitive dhe propozimin e dha sot zoti Petersen për një forum joformal, që do të diskutojë për çështje të rëndësishme e do t’u ndihmojë institucioneve dhe jetës sonë politike. Ne duhet të kemi një angazhim të përgjithshëm".
Ndërkaq, kryeministri Bajram Kosumi tha se qëndrimi i qeverisë ka qenë dhe vazhdon të jetë që për statusin e Kosovës duhet të ekzistojë një pajtueshmëri e gjerë.
"Për statusin përfundimtar të Kosovës ne duhet të kemi një tavolinë më të gjerë me partitë në pozitë dhe ato në opozitë dhe aty të merren vendimet e përbashkëta, pasi kemi qëllimin e përbashkët. Por ne do të krijojmë ekipin që do të marrë vendime politike dhe ekipin që do të përgatisë strategjinë për të ecur në rrugën e mëtejshme".
Përderisa nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Kolë Berisha, tha se për çështjet kapitale nuk ka përçarje ndërmjet partive politike, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi, propozimin e zotit Petersen e quajti risi në skenën politike kosovare:
"Në emër të PDK e inkurajoj zotin Petersen që të vazhdojë idenë e forumit politik të Kosovës, që unë mendoj se duhet të jetë forum vendimmarrës për procesin politik deri në zgjidhjen e statusit politik të Kosovës".
Duke mbështetur idenë e zotit Petersen, përfaqësuesi i partisë "Ora" Ylber Hysa, tha se asnjë forum nuk mund të zëvendësojë institucionet demokratike:
"Është mirë që kemi biseduar, pasi është më mirë të bisedojmë sesa të hedhim bomba, mirëpo konsiderojmë se asnjë tryezë e tillë nuk është zëvendësim për institucionet, dhe asnjë debat nuk është zëvendësim për debatin që duhet të ndodhë midis kosovarëve, i cili ka dështuar në institucionet e Kosovës për shkak të qasjes rixhide që mbajnë udhëheqësit e parlamentit".
Ndërkohë, zoti Petersen tha se nuk mund të jepte më shumë detaje lidhur me propozimin e tij për forumin joformal, pasi që tani ishte në pritje të përgjigjes nga liderët dhe partitë politike. Mirëpo, tha zoti Petersen, nuk do të ketë shumë kohë për t’iu qasur kësaj çështjeje, pasi në fund të majit pritet vlerësimi politik i standardeve, me çka do të hyhet në fazën e zgjidhjes së statusit politik të Kosovës.

XS
SM
MD
LG