Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

RUSIA PËRKUJTON FUNDIN E LDB-SË, DERISA NË EVROPË KUJTOHEN KRIMET E STALINIT


Nën tingujt e muzikës janë mbledhur sot në Sheshin e Kuq të Moskës mijëra veteranë e ushtarë, si dhe 50 krerë shtetesh, për të përkujtuar 60-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Ivanov që drejtonte paradën ka përshëndetur 8 mijë ushtarët dhe veteranët e pranishëm në ceremoni. Ndëra presidenti rus Putin në fjalimin e tij ka kujtuar rolin e Bashkimit Sovjetik dhe sakrificat e tij gjatë luftës.
"Dita e Fitores është festa më e dashur dhe më e sinqertë për këdo në vendin tonë. Për njerëzit e ish-Bashkimit Sovjetik do të kujtohet si dita e fitores së arritur nga populli. Edhe për shtetet e tjera të Evropës dhe për gjithë planetin do të kujtohet si dita kur u shpëtua bota", u shpreh Putin duke e përshkruar 9 Majin si "ditë të shenjtë". Në krah të tij në tribunë ndodheshin shumë udhëheqës si presidenti amerikan George Bush, ai francez Jacques Chirac, kancelari gjerman Gerhard Schroeder dhe kryeministri japonez Junichiro Koizumi. Putin ka kujtuar edhe viktimat e luftës. Bashkimi Sovjetik humbi 27 milionë ushtarë dhe civilë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërkohë që në gjithë botën janë shuar 50 milionë jetë njerëzish.
"Ne nuk e kemi ndarë kurrë fitoren, si "e jona" apo "e atyre", dhe do ta kujtojmë gjithnjë ndihmën e aleatëve si SHBA, Britania e Madhe, Franca dhe të tjerët", shprehet Putin. Pas paradës gjithë liderët vizituan Varrin e Ushtarit të Panjohur. Kremlini organizoi një pritje të veçantë ku iu ndanë dekorata si veteranëve ashtu edhe politikanëve të huaj të cilët luftuan kundër nazizmit. Mes tyre renditet edhe presidenti shqiptar Alfred Moisiu, presidenti grek Karolos Papulyas, presidenti kroat Stepan Mesich, ish-presidenti polak Votisekh Yaruzelsky, dhe ish-mbreti i Rumanisë King Michael I. Të gjithë liderët pjesmarrës duket ishin përpjekur të linin mënjëanë mosmarëveshjet në këtë ditë. Shumë të mira ishin sot edhe marrëdhëniet mes Putin dhe Bush, të cilat kanë qenë të tendosura kohët e fundit pasi janë shtuar kritikat e SHBA-së mbi mungesën e demokracisë në Rusi. Megjithatë Bush pak minuta përpara paradës përfundoi takimin me aktivistë të të drejtave të njeriut. Përgatitjet e kësaj ceremonie u zbehën edhe nga replikat e ashpra mes Rusisë dhe 3 shteteve Balltike të cilët i kanë bërë presion Moskës që të kërkojë falje pasi sipas tyre i ka pushtuar pas luftës. Bush, i cili bëri një vizitë edhe në Riga, kryeqyteti i Letonisë përpara së të mbërrinte në Moskë, miraton kërkesat e vendeve balltike, të cilët thonë se "një regjim totalitar është zëvendësuar me një tjetër", në këto vende pas Luftës së Dytë Botërore. Ky qendrim është komentuar edhe është pranuar nga ish-këshilltari i sigurisë së presidentit amerikan Jimmy Carter, Zbignieë Brezinski:
"Një pjesë e dilemës së Rusisë lidhet me faktin që ata janë nostalgjikë për perandorinë që krijuan duke u treguar armiqësor me fqinjët e tyre. Eshtë e pamundur të gjesh qoftë edhe një vend fqinj me të cilin Rusia ka pasur marëdhënie të mira. Eshtë e pamundur të gjesh një fqinj që e pëlqen Rusinë. Dhe këtë problem vetëm rusët mund ta korigjojnë. Nuk mund ta presin zgjidhjen nga amerikanët", deklaron Brezinski. E ndërkohë që në Rusi ndihet kjo atmosferë festive në Poloni, familjarët e oficerëve që u vranë nga Sovjetikët më 1940, në Pyllin Katin, protestuan përpara ambasadës ruse në Varshavë. Në këtë masakër humbën jetën më shumë se 5 mijë oficerë polakë. Ata u ekzekutuan nga policia sekrete me urdhër të dikatorit Stalin. Gjithsej 20 mijë polakë u vranë në pyllin Katin dhe në 2 masakra të tjera. Sovjetikët nuk i kanë pranuar as këto masakra duke ia faturuar ato nazistëve deri në vitin 1990, kur Mikhail Gorbachov i mori ato përsipër në emër të Rusisë. Ndërsa gazeta britanike "Financial Times" ka botuar sot një letër të hapur kur kritikohet dhe shihet si ironik fakti që është zgjedhur pikërisht Moska si vend për të festuar 60-vjetorin e përfundimit të luftës. Letra është nënshkruar nga 71 persona të njohur mes të cilëve edhe disidentja Elena Bonner, politikanë, ish-diplomatë dhe ekspertë. Në këtë letër i bëhet thirrje si Evropës ashtu edhe Shteteve të Bashkuara që të hapin sytë mbi Rusinë, e cila përshkruhet si një vend ku në radhë të parë mungon demokracia.

XS
SM
MD
LG