Ndërlidhjet

TBILISI


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, George Bush, ka arritur në kryeqytetin e Gjeorgjisë, në ndalesën e fundit të turneut të tij evropian. Ai do takohet nesër me presidentin Mikhail Saakashvili dhe kryetarin e Parlamentit, Nino Burdzhanadze, kurse në Sheshin e Lirisë në Tbilisi, do të mbajë një fjalim. Në një intervistë për mediat gjeorgjiane, Bush tha se e çmon atë që qeveria ka bërë për pastrimin e Grykës së Pankisit nga terroristët. "Pastrimi i këtij rajoni ishte interes i Rusisë, i Shteteve të Bashkuara dhe i Gjeorgjisë", ka thënë Bush.
Ai ka shkuar në Gjeorgji, pas Moskës, ku mbi 50 udhëheqës botërorë morën pjesë në ceremoninë e shënimit të 60 vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

MOSKË


Mbi 50 udhëheqës botërorë u mblodhën sot në Moskë për të shënuar 60 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Parakalimi i madh ushtarak në Sheshin e Kuq, ka shënuar fillimin e manifestimit qendror.
Për herë të parë, në ceremoni, kanë marrë pjesë edhe veteranë nga Gjermania.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, George Bush, ishte ulur pranë homologut të tij rus, Vladimir Putin, në një tribunë në Shesh, afër Kremlinit. Në mesin e pjesëmarrësve ishin edhe; presidenti francez Jacques Chirac, kancelari gjerman Gerhard Schroeder, kryeministri japonez Junichiro Koizumi, e të tjerë.
Presidenti Putin tha se bota nuk duhet të lejojë kurrë më një Luftë të Ftohtë apo Luftë të Vërtetë. "Përballë kërcënimit nga terrorizmi, ne duhet t'u mbetemi besnikë kujtimeve të baballarëve, dhe ta mbrojmë botën mbi bazat e sigurisë dhe drejtësisë, të një kulture të re në marrëdhëniet ndërmjet vendeve, e cila nuk do të lejojë kurrë të përsëriten, qoftë luftërat e ftohta apo ato të vërteta", tha Putin.
Ai vuri në dukje rëndësinë e kësaj date historike për të kujtuar, siç u shpreh, detyrat para gjeneratave që vijnë. "9 Maji është ditë e shenjtë për të gjitha vendet e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura. Ne ndajmë dhembjen e përbashkët, kujtimin e përbashkët dhe detyrat e përbashkëta para gjeneratave të reja", tha Putin.
Më pas, manifestimi ka vazhduar me vendosjen e kurorave me lule në varrin e Ushtarit të Panjohur, dhe me një pritje në Kremlin.
Ndërtesa ishte vënë nën masa të rrepta të sigurisë, nga mijëra policë dhe ushtarë, në rast të ndonjë sulmi nga terroristët.
Ndërkohë, Policia ka arrestuar rreth 80 majtistë që protestuan para heshit të Kuq ku do të mbahej manifestimit qendror.
XS
SM
MD
LG